E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaviti mban fronin

Kick-boksieri kosovar, Xhavit Bajrami të shtunën mbrëma në Prishtinë e ka mbrojtur titullin e kampionit botëror në kategorinë e rëndë në International Sport Kickboxing Asociation (ISKA), pasi e mundi kick-boksierin ukrainas, sfiduesin Dimitri Bezus.

Në një atmosferë të shkëlqyeshme të krijuar në Palestrën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, Bajrami, kampion i botës që nga viti 2004, u tregua më i mirë sesa kundërshtari në rundet 3, 4 e 5, derisa dy rundet e para ishin të baraspeshuara. Treshja e gjyqtarëve vendosi për fitoren 2-1 për kick-boksierin kosovar.

“Ju falënderoj shumë për përkrahjen. Fitoren ia dedikoj nipit dhe mbesës sime, që e kanë shtuar së fundmi familjen Bajrami. I falënderoj të gjithë sponsorët që e kanë mundësuar këtë spektakël. Kjo fitore është edhe e juaja”, u është drejtuar kampioni Bajrami të pranishmëve.

Kampioni ukrainas, Bezus, ishte kick-boksieri i katërt që u mundua t’ia rrëmbente titullin e kampionit botëror Bajramit, të fituar para 6 vjetësh, por edhe ai dështoi.

Para duelit kryesor, në spektaklin e quajtur ‘Nata e Gladiatorëve’, u zhvilluan edhe shtatë para-meçe të kick-boksit: në kategorinë 81 kg, Shpëtim Ahmetaj barazoi me malazezin Elvir Dervisevic; vëllai i Xhavitit, Tefik Bajrami ishte më i mirë se malazezi Janko Kuzman (86 kg); Avni Kabashaj e mposhti malazezin tjetër Milan Jovanovic (71 kg); vëllai i vogël i Xhavitit, Ferid Bajrami triumfoi ndaj malazezit Nikola Zadrima (86 kg); Kreshnik Rama ia doli ta mundte malazezin Lazar Djikanovic (66 kg); Blerim Rashiti ishte më i mirë se hungarezi Imre Torok (86 kg), ndërsa u zhvillua edhe një meç i boksit ku Shkëlqim Muja e rrahu maqedonasin Ibrahim Mustafov (61 kg).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›