E Diel, 1 Nëntor 2026

Weldon: Njerëzve s'u intereson më muzika instrumentale

Saksofonisti Jerry Weldon, plot një javë jazz në Tiranë. Tregon për muzikën dhe përvojën e këtyre ditëve në Shqipëri. Për instrumentistët shqiptarë thotë se duhet të punojnë më shumë

Javën që lamë pas, publiku pati mundësinë të ndiqte disa koncerte jazz. Ishte edicioni I i "Vesa jazz festival" që solli disa nga emrat më të njohur të kësaj muzike. Instrumentisti që mbajti gjithë peshën e mbrëmjeve muzikore në Teatrin e Metropolit, ishte saksofonisti Jerry Weldon.


Për pesë net ai interpretoi pjesë të njohura e të panjohura jazz, përkrah saksofonistit Hal Singer, shoqëroi këngëtaren Crystal White dhe mbrëmjen e fundit të festivalit e mbajti të gjithën për vete. Për të është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe interpreton me muzikantë shqiptarë, për të cilët thotë se kanë nevojë për më shumë punë.


Në intervistën e mëposhtme, Weldon tregon pak nga të gjitha, për përshtypjet që i ka lënë Shqipëria, muzikën jazz dhe problemet e saj, karrierën, muzikantët e preferuar, etj.

U bë thuajse një javë që ju luani në Tiranë. Jeni përshtatur ndopak me qytetin, njerëzit?


Është edhe hera e parë që vij në Tiranë. Njerëzit janë miqësorë dhe entuziastë për muzikën që bëjmë. Është një gjë shumë e mirë. Unë po e shijoj Shqipërinë dhe të them të drejtën, dija shumë pak rreth vendit tuaj.

A keni luajtur këto ditë me instrumentistë shqiptarë?


Kam luajtur me disa saksofonistë dhe kitaristë (më falni, por nuk ua mbaj mend emrat). Për mendimin tim duhet të studiojnë më shumë, të familjarizohen më shumë me muzikën. Kanë një bazë të mirë, mbi të cilën mund të ndërtojnë diçka.


Muzika duhet të luhet, por, mbi të gjitha, duhet të dëgjohet. Stacionet radiofonike duhet ta transmetojnë këtë muzikë, në mënyrë që njerëzit të familjarizohen me të.

Gjatë interpretimit ju përkulnit shumë shpinën. Kjo është ndonjë lëvizje tipike për saksofonistët?


Nuk jam i vetëdijshëm për këtë përkulje. Është një mënyrë që tregon se unë e ndiej muzikën. Një mënyrë kreative dhe spontane për të bërë muzikë, për të improvizuar.


Disa muzikantë thjeshtë qëndrojnë drejt dhe nuk lëvizin kur interpretojnë. Por gjithçka ka të bëjë me stilin dhe personalitetin. Kjo është muzika. Çdo njeri tregon veten e vet nëpërmjet instrumentit.


Ju thatë që kjo përkulje ju ndihmon të improvizoni. Sa i rëndësishëm është improvizimi në muzikën jazz?


Të improvizosh mbi strukturën e një kënge çfarëdo, kjo është muzika jazz. Për shembull, natën e parë, Crystal White këndoi "Sumertime" ndërsa natën e dytë po të njëjtën këngë e këndoi Hal Singer.


Ata e këndojnë në mënyra të ndryshme dhe kjo është e bukura e muzikës jazz. Çdoherë që luan, luan ndryshe. Mund të interpretosh pjesë të vjetra, por sot është një ditë e re dhe do të luash ndryshe. Ne preferojmë të luajmë melodi që njerëzit mund t'i njohin.


Si p.sh., "Sumertime", "All of me", "Cry me a river". Duam që publiku të paktën të jetë në gjendje të njohë disa nga pjesët që luajmë, sepse ne do të improvizojmë mbi to.


Instrumenti, me të cilin keni luajtur këto netët e festivalit, duket paksa i vjetër. Cila është historia e tij?


Kur e bleva këtë saksofon ishte shumë i ri dhe shkëlqente. Asokohe isha adoleshent dhe që nga ajo kohë nuk jam ndarë më prej tij, u bënë gati 34 vite. Dihet që kur luan për një kohë të gjatë, shkëlqimi zbehet.


Mua nuk më intereson fakti se sa shkëlqen saksofoni, por sesi luan. Preferoj të luaj me të, sepse më pëlqen tingulli i tij. Mendoj se sa më i vjetër të jetë një saksofon, aq më shumë mundësi ka që tingulli i tij të jetë i shkëlqyer.

Keni interpretuar në shumë skena. Një muzikanti, skena dhe publiku i duken të njëjta apo të ndryshme?


Ka një ndryshim të vogël. Çdo vend ka një atmosferë të tijën. Këtu është ndryshe. Është e vështirë që ta përshkruash. Mund të them vetëm që çdo qytet ka emocionin dhe energjinë e tij. Shqiptarët janë si njujorkezët, lëvizin shumë shpejt, të paktën kështu duket me sy.

Të kthehemi pas në kohë. Ju kujtohet se si jeni lidhur me këtë instrument?


Po, ka qenë viti 1972, kur unë isha 14 vjeç. Babai im nuk ishte muzikant, por e adhuronte muzikën jazz. Kështu që e dëgjoja këtë muzikë gjatë gjithë kohës në shtëpi. Ndërsa nëna ime ishte adhuruese e madhe e Frank Sinatrës dhe kështu që dëgjoja dhe muzikën e tij, shumë madje.

Kështu filloi, duke dëgjuar dhe kënduar këngët standarde, duke dëgjuar notat dhe babanë që luante (jo në mënyrë profesioniste) kryesisht muzikë instrumentale, Charlie Parker, David Brubeck, etj. Tingulli i saksofonit ishte ai që më pëlqente mbi të gjithë.

Si do ta përshkruanit tingullin që ju bëri për vete?


Është si të dëgjosh zërin e një njeriu. Kur dëgjon muzikë mund të dallosh stilin e çdo muzikanti. Mund të dallosh që është Dexter Gordon ai që po luan apo Hal Singer. Sepse secili ka një stil ndryshe.


Njësoj sikur dëgjon zërin e babait apo të nënës. Le të themi që saksofoni është zëri i një burri. Është njësoj sikur dëgjon tingullin e zërave të tyre dhe thua: "Ah, po, ky është ai i saksofonit".


Pak më parë thatë që nëna juaj ishte një adhuruese e Frank Sinatrës, po shijet tuaja si evoluan?


Është e vështirë të kesh vetëm një të preferuar, ndoshta Dexter Gordon, Lester Young, Jackie McLean, Charlie Parker.

Cilit do t'i jepnit titullin "Mbreti i jazit"?


Ky është një refren që njerëzit e përdorin shpesh. Thonë që Benny Goodman ishte mbreti, gjë që nuk është e vërtetë.


Për mua, Louis Armstrong mund të quhet mbreti i jazzit. Armstrong luante në trombë, por ai nuk pati ndikim vetëm tek ky instrument, por tek të gjitha veglat frymore, tek pianoja, etj. Disa të tjerë mund të thonë Duke Ellington, sepse ai është muzikant, kompozitor dhe pianist shumë i mirë. E vështirë të përcaktosh vetëm një mbret.

Sa e vështirë është për muzikën jazz të mbijetojë në shekullin e XXI?


Ka kohë që jo vetëm muzika jazz, po edhe muzika instrumentale në përgjithësi, është në vështirësi. Nuk është më një muzikë popullore, siç ishte në vitet '40-'50.


Njerëzve nuk u intereson më muzika instrumentale, ata mërziten kur dëgjojnë vetëm instrumente pa këngëtarë. Dëgjojnë një këngë, dy, tre, katër dhe kur shohin që s'ka këngëtarë, mërziten. Sepse duan të ulen të dëgjojnë, të këndojë së bashku me këngëtarin. Të paktën kështu funksionon në Amerikë.


Sot, tek studentët, letërsia gjermane dhe zërat e gjallë të autorëve

Për të gjithë dashamirët e letërsisë moderne gjermane, sot, ora 12.30, prezantohet antologjia e prozës gjermane

"Tregimtarë të gjuhës gjermane 1900-1945" në mjediset e Departamentit të Gjermanishtes, Fakulteti Filologjik, Salla 207.


Libri përfaqëson disa nga pjesët më të njohura në prozë të kësaj periudhe nga autorë që ndryshuan rrjedhat e letërsisë së shekullit 20-të, si Artur Schnitzler, Franz Kafka, Thomas Mann, Alfred Döblin, Robert Musil, Bertolt Brecht, por dhe emra më pak të njohur në Shqipëri, si Gottfried Benn, Kurt Tucholsky, Stefan Andres, Karl Valentin, etj.


Ky libër që doli në shtyp në fund të vitit të kaluar, do t'u paraqitet studentëve dhe gjithë të interesuarve nëpërmjet 5 referimesh të shkurtra: Jürgen Röhling për "Kriteret e përzgjedhjes për antologjinë", Ardian Klosi për "Kafka, magji e përhershme dhe kurthet e përkthimit në shqip", Marsela Lika për "Tendencat në letërsinë gjermane midis dy luftërave", Agron Tufa për "Sa e si njihet letërsia moderne gjermane në Shqipëri" dhe Edvin Cami për "Konti Morosin i Joseph Rothit dhe receptimi shqiptar".


E veçantë është se të pranishmit do kenë mundësi të dëgjojnë zëra origjinalë të disa prej shkrimtarëve të këtij botimi.


Takimi organizohet nga Shoqata kulturore gjermano-shqiptare, "Robert Schwartz"
dhe Departamenti i Gjermanishtes i Universitetit të Tiranës.


Bernard Shaw, premierë "Armët dhe burri"

Komedia "Armët dhe burri", e dramaturgut anglez George Bernard Shaw, është shfaqur dje premierë në skenën e teatrit të Durrësit. Ishte rezultati i punës që kanë bërë një grup studentësh nga universiteti i Durrësit, "Aleksandër Moisiu", nga universiteti i Tetovës "South Eastern European University" dhe nga universiteti i Shkupit "Ss.


Cyril i Methodius Universitet", nën drejtimin e Charlotte Siegerstetter & Evangelos Tzavaras.
Studentët e këtyre universiteteve janë bashkuar për këtë komedi rreth heroizmit, dashurisë dhe gënjeshtrës, sajë projektit "Të bëjmë së bashku gjëra të guximshme".


Pas Durrësit, "Armët dhe burri" do të bëjë një turne në Elbasan, sot, në orën 19:00, në Shkup më 20 maj dhe në Tetovë më 21 maj.
Performanca zgjat 60 minuta. Hyrja është e lirë.


Dita e Muzeve


Me rastin e ditës së muzeve, sot, më 18 maj, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, sugjeron vizita falas në gjithë muzetë e vendit. Këtë vit, ICOM-i (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) pranë UNSECO-s ka shpallur sloganin "Muzetë dhe Turizmi".
"Dita e muzeve na gjen me ICOM Albania, dega e sapokrijuar e ICOM-it.


Tema e këtij viti tregon se thelbi i filozofisë për muzetë është trajtimi i tyre si institucione në shërbim të shoqërisë", - thotë Olsi Lafe, drejtor i Trashëgimisë pranë MTKRS-së.
Përveç vizitave falas, sot, në Ditën e Muzeve, MTKRS-ja ka shpallur që edhe të dielave të fundit të muajit hyrjet në muze do të jenë falas. "Ne do ta masim këtë efekt, sa ndikon kjo gjë në vizitueshmërinë e muzeve.


Ndërkohë, prej vitit 2005, me një vendim të Këshillit të Ministrave është përcaktuar që kategori të caktuara në nevojë të shoqërisë vizitojnë muzetë me një biletë me gjysmë çmimi", - thekson Lafe.


Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka në varësi 12 muze: muzetë arkeologjikë të Durrësit, Butrintit, Apolonisë, Muzetë kombëtarë në Tiranë, Krujë, të artit mesjetar në Korçë e Berat, dhe disa muze etnografikë që janë në varësi të bashkive të Elbasanit, Gramshit, Shkodrës, Kavajës, Gjirokastrës, etj.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›