E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu, Shqiponja dhe Dragoi i Epirit në ekspeditën italiane dhe e fshehta e madhe e saj!

*Nga Agron Luka
Ndoshta edhe nuk e thotë më kot, fjala e urtë popullore shqiptare: I treti i vërteti. Siç dihet edhe Gj. K. Skënderbeu, me trupa të konsiderueshme, u hodh përtej Adriatikut, për atë që quhet si ekspedita italiane. Ta themi qysh në fillim, në qoftë se do i peshonim këto tre aksione ofensive ushtarake të përtej Adriatikut, edhe me një kandar të vjetër, sepse këtu nuk na nevojitet preçizioni i peshores së argjendarit, besoj se ka një ndryshim esencial: ndërsa dy të parët, kishin qëllime pushtuese, i treti nuk kishte qëllime pushtuese, përkundrazi, si të themi ai sakrifikoi edhe veten, për të ndihmuar dhe çliruar Italinë! Shprehja çlirim i Italisë, besoj se të gjithë lexuesve fillimisht do i duket si një marri dhe diçka paradoksale, por siç do të trajtohet më poshtë, nuk është aspak një trillim e shpikje e imja. Në qoftë se do të vërejmë se si e kanë trajtuar autorët mesjetarë italianë dhe si e trajtojnë autorët bashkëkohorë italianë, nuk do të vërejmë ndonjë ndryshim të madh. Në të dy rastet kjo ekspeditë është kaluar pothuajse në heshtje, si një ndihmë modeste dhe madje edhe si një lloj borxhi kalorsiak, që Skënderbeu ia kishte mbretërisë aragoneze të Ferdinandit, për shkak të mirëbërësive të mbret Alfonsit, si një vasalitet i detyruar etj. Ndërkaq në qoftë se do të vërejmë me vëmendje se si e ka trajtuar historiografi ynë M. Barleti dhe vetë heroi ynë, atëherë do të konstatojmë se ndryshimi është jashtëzakonisht i madh! Së pari po e filloj me një citim që në të vërtetën është një Protestë e fuqishme barletiane, jo aq e zëmëruar se sa e hidhur: Prandaj unë (M. Barleti. AL), që ta them haptazi të vërtetën, nuk mund të mos çuditem në këtë rast dhe të mos zemërohem me mosmirënjohjen e shkrimtarëve kundrejt burrave të dëgjuar, të cilët kësaj lufte i kanë dalë hakut me zell të madh nga çdo anë, për Skënderbeun sgjej të kenë thënë asnjë fjalë, sikur ai të mos kishte qenë mbështetja më e madhe e kësaj lufte dhe shpëtimtari e çlirimtari i vetëm i asaj mbretërie dhe shpagimtari i vetëm i lirisë mbretërore. (HS, f 3976-397)  
Dhe përse kështu, çfarë kishte ndodhur si kishte qenë realisht situata politike në Itali?! Po ti referohemi burimeve historike, del se një pjesë shumë e madhe e fisnikërisë feudale të Italisë së jugut, përfshi Napolin, Apulinë dhe të dy Siçelitë ishin hedhur në një kryengritje të madhe kundra mbretit Ferdinand dhe kundra synimeve të vendosura të Papatit me Piun II, për të vendosur një kontroll dhe një hegjemoni pothuajse absolute. Këto kryengritës në fakt anonin nga trashëgimia anzhuine dhe për më tepër gëzonin një përkrahje të fuqishme direkt nga Franca. Kryengritja kundër mbret Ferdinandit filloi me përmasa të gjera dhe qysh në fillim nisi me shpartallimin dhe arratinë e tij. Situatën dhe rrezikun e madh e përshkruante dhe e kuptonte fare bukur M. Barleti: Kur e mori vesh disfatën e trupave në ndihmë të Ferdinandit dhe fitoren e galëve/filofrancezëve dhe kont Jakovit Piu II, rojë aso kohe e lirisë romake dhe e fesë së krishterë katolike, i trembur se mos galët, po të pushtonin mbretërinë e Apulisë, të inkurajuar e të mburrur nga fitoria, do ti rrëmbenin tërë lirinë Italisë thirri në  ndihmë Françesko Sforcën Dukën e Milanos, Aleksandër Sforcën, Federik Urbinatin etj, me trupa të shumta ushtarake. (HS, f 396) Këto trupa u shpartalluan nga kryengritësit dhe konti Jakov korri përsëri një fitore të shkëlqyer. E ashtuquajtura Lidhja e  Mantovës ishte shpartalluar, duke i sabotuar përkohësisht edhe të gjitha planet për një Kryqëzatë që ishte skicuar e projektuar qysh nga koha e Papës Kaliksti III dhe Kardinal Piu II. Siç po e shohim, kryengritja kundër Mbret Ferdinandit aty nga viti 1460, që njëkohësisht drejtohej edhe kundra tutelës së Papës, nuk ishte thjeshtë një nga ato zënkat feudale. Tani ekzistonte edhe rreziku eventual se, galët-francezët mund tia rrëmbenin lirinë të  gjithë Italisë me një kundër kryqëzatë! Barleti e nënvizon këtë dhe zgjidhjen e vetme: Një hall i madh e zuri atëherë Piun; prandaj duke menduar se ishte nevoja për ndonjë trim dhe kapedan të jashtëm (gjë që shikohej si më e rëndësishmja për atë punë), vendosën njëzëri të gjithë që të thirrej në Apuli bashkë me ushtrinë e tij Skënderbeu, Princi i epirotëve dhe i maqedonasve, me emër fort të madh dhe përkrahës i Selisë së Romës... (HS f 396-397). Por, çbëhej ndërkohë në kampin e kryengritësve? Një ndër më aktivët e aleancës kryengritëse dhe filo anzhuine, dhe që kishte marrë përsipër edhe traktativat diplomatike me Skënderbeun ishte pikërisht Princi i Tarantos, Givani Anton de Ursini. Ja pra se ku do të dalim te thirrja dhe ftesa e tretë e tarantinëve, ku tarantela dhe teatri  mesjetar i Tarantos, edhe kësaj radhe luajti një rol të dorës së parë. Dhe pikërisht këtu, ngjet edhe ajo që quhet si ironia tragjike ose komike, për ato rastet e përsëritjes së historisë, kësaj radhe  ftesa tarantinase,  ka dy tehe, njërën për ti larguar epirotët dhe Gj. K. Skënderbeun, nga koalicioni me në krye Papën Piu II dhe tjetrën duke e ftuar të bashkohet me koalicionin anzhuin antipapë. Princi i Tarantos, i shkruante me zemërim Gj. Kastriotit Skënderbeut,  edhe duke i ofenduar albanë-epirotët si mercenarë, si zjarrvënës e si plaçkitësa, i akuzonte se i kishin vënë direkt flakën me pabesi qytetit të Brindizit, i akuzonte për braktisje të luftës së madhe kundra turqve etj.  Ndërkaq, në të njëjtën letër, po ky princ bënte përpjekje maksimale për ta joshur Skënderbeun me diplomaci bisedimesh, duke synuar një komprometim me ryshfete dhe blerje vetëm për personin e Skënderbeut dhe të një rrethi të ngushtë të tij. Në atë letër, nuk mungonte edhe theksimi se, francezët ishin shumë më tepër katolikë se aragonezët e Mbretit Ferdinandit, dhe sidomos një theksim delikat se Princi i Tarantos, ishte i ngarkuar dhe mund të hynte si ndërmjetës edhe për disa premtime përfitimesh shumë më të mëdha se sa ato që mund ti jepte pala tjetër! (V.V. Makushev, Monumenta Slavorum, Vëll. II, f 118-120, Letra e Princit të Tarantos, Giovani Anton de Ursini, 16 tetor  1460. Cit. sip. F. Noli, Gj.K.  Skënderbeu, bot. 1967, f 239, Dok. Nr. 30)  Taranto, si një herë e në një kohë mendonte se mund të bëhej një ndër violinat e para në Mesdhe dhe në tregtinë levantine. Siç e dimë nga historia, Gj. K. Skënderbeu dhe kancelaria e tij diplomatike, duke qenë fare të vetëdijshëm për rëndësinë e luftës kundër turqve, dhe duke i bërë disa llogari me arsyen më të ftohtë, në çorganizimin e papritur të situatës në Itali, ia kthyen përgjigjen Princit të Tarantos, këtij italiani cironkash. Duke qenë edhe jashtëzakonisht korrekt, me aleatët e tij italikë, Gj.K. Skënderbeu i lajmëroi Ferdinandin dhe Papën dhe ua dorëzoi kopjen e kësaj letre, sëbashku edhe me përgjigjen epirote.  Ndër të tjera, në letërpërgjigjen e ftesës tarantinase shkruhej: ... na njihni për besnikë, të matur e të urtë... por, po të isha mundur unë nga turqit, sigurisht edhe Italia do ta kishte ndjerë rrjedhimin, dhe në këtë rast ai zotërim që ju thoni se është i juaji, do të ishte i turqve... Në mos gënjefshin kronikat tona, ne quhemi epirotë dhe, siç do ta dini, në kohë të lashtë, paraardhësit tanë kaluan nëpër vendin që ju mbani sot dhe bënë luftime të mëdha me romakët, dhe dimë se u ndanë më shumë me nder se sa me turp. Unë do të bëj çmos, me të gjithë fuqitë e me të gjithë miqtë e të besëlidhurit që kam, për ti ndihmuar e për ti dhënë dorë zotit tim Mbret Ferrantit...  Kur ju më nxisni dhe më këshilloni të hidhem kundër turqve, ku mund të korr lavdi të madhe... unë ju përgjigjem: prej jush nuk dua as nxitje e as këshilla... tani pasi ju na dhatë shkas, ne kemi bërë me turqit një armëpushim për tre vjet... ata burra që kemi dërguar atje sjanë asgjë kundrejt atyre që kemi ndërmend të dërgojmë... po qe nevoja, do të vi edhe vetë atje me aqë njerëz, sa që me ndihmën e Zotit, të mjaftojnë për ta shtënë në dorë Puljen, por edhe për ta populluar, meqë tashti sikur ka mbetur shkretë... (Po aty sipërcit, Dok. Nr. 31, f 241-244, 31 tetor 1460). Kështu pra në këtë letër, konkretisht me atë fjalën shkas, kundër akuzoheshin diplomatikisht tërë kryengritësit filo

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›