Orkestra Simfonike e Vlorës feston përvjetorin
Mes një atmosfere festive është festuar 30-vjetori i krijimit të Orkestrës Simfonike të qytetit të Vlorë. Me këtë takim jubilar dhe një koncert simfonik në sallën e teatrit Petro Marko të këtij qyteti u festua ky përvjetor. Në këtë mbrëmje Orkestra Simfonike e Vlorës dhe disa nga emrat më të spikatur të saj, u vlerësuan nga bashkia e qytetit me titullin "Mirënjohje e qytetit të Vlorës".
Instrumentistë e ish- instrumentistë, drejtues të kësaj orkestre në vite, kompozitorë vlonjatë, artdashës të shumtë dhe qytetarë të thjeshtë u mblodhën në sallën e teatrit, për të evokuar një nga ngjarjet më të spikatura të jetës artistike shumëvjeçare të këtij qyteti. Për të pranishmit u shfaq një film dokumentar që përcillte historinë e krijimit të orkestrës simfonike. Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, dorëzoi titullin "Mirënjohje e qytetit të Vlorës, për orkestrën simfonike si dhe për kompozitorin dhe dirigjentin, Vasil Çuni, instrumentistët Thanas Qirinxidhi dhe Thanas Çaçi, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për emocionet që përjetuan në këtë mbrëmje të veçantë. Për të pranishmit, orkestra përcolli më pas pjesë nga Shubert, Maskanji, Verdi, Moxart, Pjetër Gaci, Haxhi Dalipi etj. Me duartrokitje u prit dhe interpretimi i formacionit të harqeve të fëmijëve të qytetit, nën drejtimin e Elisabeta Alikos. Drejtues të Qendrës Kulturore të Vlorës treguan se shumë nga instrumentistët apo kompozitorët e drejtuesit e kësaj orkestre, për motive të ndryshme ushtrojnë sot aktivitetin artistik në qytete të tjera, në kryeqytet dhe jashtë vendit, por ata gjenden përherë në Vlorë. Sipas tyre ky aktivitet evokoi vlerat më të mira të krijuara nga breza artistësh, në qytetin e Vlorës. Formacioni aktual i orkestrës simfonike në Qendrës Kulturore të Vlorës ka një aktivitet të vazhdueshëm koncertor.