E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e Tiranës, Mustafaj jep dorëheqjen

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj, dha dorëheqjen edhe nga politika, për një periudhë katërvjeçare

TIRANË- Është njoftuar vetëm me një sms nga zyra e organizimit të Partisë Demokratike, si gjithë anëtarët e thjeshtë të kësaj partie për konferencën e sotme të PD-së, Tiranë. Edhe pse kandidat për degën e kryeqytetit, Besnik Mustafaj nuk është trajtuar aspak i tillë nga strukturat zyrtare të kësaj partie.


I dorëzuar nga besimi se kjo fushatë do të sillte një debat të shëndetshëm brenda partisë, Mustafaj dha dje dorëheqjen nga ky kandidim, duke njoftuar edhe largimin nga politika për një periudhë katërvjeçare.


"Kam pasur vetëm arsye parimore në shtator 2008, kur shpreha publikisht vullnetin tim, mbështetur në statutin e partisë, për të qenë pjesë e kësaj gare, si kandidat për kryetar i degës.


Kam besuar asokohe sinqerisht se kjo fushatë është një rast shumë i përshtatshëm për të zhvilluar brenda partisë një debat të shëndetshëm, i cili do ta demokratizonte partinë e do ta shëndoshte, duke e përgatitur atë të përballojë sfidën e madhe të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Kam besuar kështu se edhe unë vetë, me historinë dhe eksperiencën time politike 20-vjeçare, do të bëhesha më i dobishëm për aspiratat e demokratëve", - tha Mustafaj. Gjatë këtyre muajve, ai theksoi se kishte ngritur zërin, me synimin e vetëm për të respektuar qoftë edhe një minimum të standardeve.


"Sot, në përmbyllje të kësaj historie, konstatoj me hidhërim të madh se nuk është zbatuar as edhe një normë e statutit. Rrjedhimisht, ashtu siç u përfshiva në fillim vetëm për arsye parimore, ashtu edhe tani në fund, për arsye parimore, po tërhiqem nga gara",- tha ai.


Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD-së, Mustafaj, ka hyrë në politikë në dhjetor të vitit 1990, ku është bashkuar me protestën e parë të studentëve.


"Siç merret me mend, për vetë rrethanat historike, përfshirja ime në politikë kishte vetëm motive idealiste dhe parimore. Këto motive më kanë mbajtur 20 vjet në politikë. Dhe sot, për arsye thellësisht parimore, po deklaroj se largohem nga politika",- sqaroi ai.


Mustafaj shprehu keqardhje të thellë për këtë dorëheqje, duke kujtuar që qysh në shtator kur ai kishte shpallur kandidaturën për PD-në e Tiranës, kishte marrë mesazhe pafund nga anëtarë të Partisë Demokratike nga Tirana dhe mbarë Shqipëria, të cilët, e kishin inkurajuar në vazhdimësi, të bindur se platforma që kishte shpallur, do të ishte një shtytje drejt demokratizimit të partisë, rritjes së pjesëmarrjes së çdo demokrati në politikëbërje dhe vendosjes së një transparence të vërtetë në vendimmarrje, elemente këto që do t'i shërbenin fuqizimit dhe modernizimit të partisë.


"Keqardhja ime e thellë shkon tek këta mijëra demokratë, me të cilët do të kisha qenë i nderuar të vazhdoja veprimtarinë politike.


Po mbyll kështu sot një jetë politike dhe publike 20-vjeçare",- tha ai. Por, shkëputja e Mustafajt me politikën do të jetë vetëm për katër vite. Duke thumbuar Kryetarin e PD-së, Sali Berisha, Mustafaj sqaroi për mediat se vetëm këto katër vite nuk do të jetë kandidat në listën e deputetëve.


"Në fjalorin tim nuk ekziston fjala "kurrë". Por e sigurt është se projektet e mia për katër vjetët e ardhshme nuk kanë asnjë lidhje me politikën.


Në vitin 2013 unë do të kem saktësisht moshën që kishte Berisha në vitin 1999, kur së bashku ideuam dhe hodhëm në veprim lëvizjen për "Fillimin e ri" dhe, për të qenë i qartë deri në fund, emri im në këto zgjedhje nuk do të figurojë në listën e asnjë partie", - tha ai

-----------------------------------------------------------------------------------------------------

Malaj: Qeveria të kufizojë shpenzimet elektorale

TIRANË- Ish-ministri i financave, Arben Malaj, i kërkoi qeverisë që në vend të shpenzimeve të tejfryra elektorale, të përpiqet në gjetjen e rrugëve për ti ardhur në ndihmë biznesit në këtë periudhë të vështirë.


"Qeveria duhet të ndalë fushatën, të kufizojë shpenzimet abuzive elektorale dhe të përgatisë paketën anti-krizë, e cila në thelb duhet të lehtësojë biznesin dhe konsumatorin", tha ai.


Krahas shqetësimit për rritjen e shpenzimeve elektorale, Malaj vuri në dukje edhe faktin e rritjes në mënyrë abuzive të rivlerësimeve që po kryen administrata tatimore ndaj bizneseve.


Sipas tij, ky veprim i tatimorëve bëhet për shkakun e vetëm që qeveria të kompensojë rënien e të ardhurave dhe njëkohësisht të financojë qoftë me 10-15% qindra projekte elektorale.

"Ky është keqpërdorim për projekte elektorale, që do të sjellë përkeqësim të ekonomisë, jo vetëm pas zgjedhjeve, por për një periudhë edhe më të gjatë", tha ai.


Malaj gjithashtu, i kërkoi qeverisë që t'i vinte në ndihmë biznesit duke hedhur disa hapa konkret, siç mund të ishte, dhënia fund e rritjes abuzive të detyrimeve tatimore, heqja e pagave dhe çmimeve të referencës, kreditimi i TVSH-së, krijimi i lehtësirave në kreditim dhe shkurtimin e shpenzimeve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›