Wenger nuk ngutet për përforcime

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, insiston se nuk do të ngutet për të bërë lëvizje në afatin kalimtar dhe pranon se mund të kalojnë disa javë para se ai të bëjë një gjë të tillë.
Tifozët e Arsenalit kanë kërkuar nga Wenger të përforcojë ekipin gjatë kësaj vere, pas përfundimit të një tjetër sezoni premtues pa asnjë titull të fituar në edicionin e kaluar.
Një numër i futbollistëve kryesorë, përfshirë kapitenin Cesc Fabregas, Samir Nasrin dhe Gael Clichyn, spekulohen me largim nga Emirates Stadium.
Sulmuesi i Lille, Gervinho pritet të kompletojë transferimin në Arsenal në ditët e ardhshme, ndërsa i riu i Southamptonit, Alex Oxlade-Chamberlain është një tjetër objektiv i gjigantit londinez.
Pavarësisht se Manchester United deri më tani ka bërë përforcime të konsiderueshme, Wenger ndjen se afati kalimtar nuk do të jetë i nxehtë deri në afrimin e fillimit të sezonit të ri.
“Aktualisht, të gjithë janë duke qëndruar në vend”, tha Wenger gjatë një interviste për një radiostacion francez.
“Të gjithë presin të tjerët të bëjnë lëvizjen e parë. Të gjithë mbajnë në duar letrat e tyre, duke shpresuar në përforcimin e madh. Nuk pres që dikush të shpërthejë deri në fund të korrikut, fillim të gushtit. Pastaj ne do të analizojmë nevojat. Por, jam shumë aktiv në telefon”, përfundoi Wenger.