Werder dhe Shakhtar kërkojnë finalen “e fundit” të Kupës UEFAGjermanëve në finale do t’u mungojë Diego dhe Almeida. Ukrainasit kërkojnë trofeun e parë që pas ndarjes së Bashkimit Sovjetik

Altin Vorpsi (STANDARD) - Në finalen “e fundit” të Kupës UEFA gjermanët nga Bremeni do të përballen me skuadrën ukrainase, Shakhtar Donetsk. Kjo do të jetë finalja “e fundit”, pasi ky kompeticion, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, do të ndërrojë emër e do të quhet Liga Evropiane. Takimi final i kompeticionit do të luhet sot në Stamboll (20:45) në stadiumin “Sükrü Saraçoglu”.
Shikueshmëria
Edhe pse bëhet fjalë për një finale të një kompeticioni të dytë të Evropës, gjithsesi autoritetet turke kanë lajmëruar se për ndeshjen e sotme mediat nga e gjithë bota do të jenë të pranishme në stadiumin “Sükrü Saraçoglu”. Ky impiant ka një kapacitet prej 42,000 vendesh. Gjithsesi, autoritetet turke kanë bërë me dije se rreth 80 milionë banorë nga 63 shtete do të ndjekin “live” apo nga televizori këtë eveniment. Në Stamboll pritet që të jenë të pranishëm rreth 400 përfaqësues të medias së shkruar, 120 fotografë dhe 28 kamera televizionesh (që do të pozicionohen në fushë). Dita e sotme shënon dhe mbarimin e një epoke, pasi Kupa UEFA, që nga viti i ardhshëm do të ndërrojë “identitet”.
Asnjëherë më parë
Dy skuadrat që do të zbresin sot në fushën e lojës, nuk kanë luajtur asnjëherë përballë njëra-tjetrës, gjithashtu kjo është finalja e parë (Kupa UEFA) për të dy ekipet. Sot, për herë të parë në historinë e futbollit ukrainas, në finalen e këtij kompeticioni do të zbresë në një ekip nga ky vend (Ukraina). Trajneri i skuadrës së Shakhtar Donetsk (Mircea Lucescu) e njeh mjaft mirë ambientin në Stamboll pasi në karrierën e tij ka drejtuar edhe ekipin e Galatasaray AŞ dhe Beşiktaş JK (me të cilat ka fituar edhe kampionatin). Ndërsa kundërshtari i tij, Thomas Schaaf, kërkon që të lërë “shenjë” në ekipin e Werder Bremen-it (gjermani tashmë e drejton këtë ekip që prej dhjetë vitesh). Schaaf kërkon t’i japë trofeun e dytë e Bremen-it (pasi të parin ky ekip e ka marrë në 1992, kur triumfoi në Kupën e Kupave, ku Schaaf ka qenë në përbërje të atij ekipi).
Duke “shkruar” historinë
Pa dyshim që trajneri rumun i Shakhtar Donetsk është duke shkruar historinë e klubit të tij, sepse për herë të parë, që pas ndarjes së Bashkimit Sovjetik, një klub nga Ukraina shkon në finalen e Kupës UEFA. Pa dyshim që për një klub, i cili deri më tani nuk kalonte dot më tej se 16-shet e këtij kompeticioni, një “udhëtim” i tillë është fantastik. Këtë sezon ekipi i Mircea Lucescu-t ka skualifikuar skuadra si Tottenham Hotspur, CSKA Moscow, Marseille dhe Dynamo Kiev. Djemtë nga Donetsk mund t’i besojnë mjaft mirë një suksesi në finalen e sotme, pasi ata duken që janë në formë.
Në kampionatin e tyre ata nuk kanë mundur që të triumfojnë, edhe pse gjatë ndeshjeve të fundit ata kanë marrë vetëm fitore. Gjithsesi, Lucescu kërkon që dëshpërimin e kampionatit ta “dëmshpërblejë” me fitoren e Kupës UEFA, edhe pse ekipi lindor duket se ka potencialin e duhur që të vështirësojë mjaft punët për Werder Bremen-in. Shakhtar është një ekip që është shumë i plotësuar, trajneri i tyre ka ditur mjaft mirë që forcën e lojtarëve vendas ta bashkojë mjaft mirë me teknikën e lojtarëve nga Brazili. Në këtë ekip ka plot pesë lojtarë që dinë të kërcejnë sambën: Ilsinho, Fernandinho, Luiz Adriano, Jadson and Willian.
8 vite
Werder Bremen, ndërkohë, me një fitore të mundshme do të ishte ekipi i parë gjerman që do të fitonte një titull në kupat e Evropës që prej 8 vitesh (që kur Bayern Munchen doli kampion në Ligën e Kampioneve në edicionin e vitit 2000-2001 asnjë nga klubet gjermane nuk ka mundur të fitojë një finale të kupave të Evropës). Gjithashtu, jeshilët nga Bremeni brenda 10 ditësh do të luajnë në dy finale pasi Bremen është në finalen e Kupës së Gjermanisë (ku në Berlin do të ketë përballë Leverkusen-in më 30 maj). Ndërsa në kampionat “jeshilët” duhen të “kënaqen” me një vend të dhjetë që nuk i dërgon askund vitin e ardhshëm. Sigurisht që Bremen ka një CV më të mirë sesa ajo e rivalëve të tyre të sotëm, pasi për të ardhur në finale, ata kanë mundur ekipin e AC Milan, St Etienne, Udinese dhe SV Hamburg. Ekipi nga Bremeni kërkon të fitojë trofeun e dytë evropian që pas triumfit në vitin 1992 në Kupën e Kupave. Gjithsesi, trajneri i “jeshilëve” do të ketë një sërë problemesh sot në formacion, pasi dy nga lojtarët më të mirë nuk do të luajnë sot për shkak të kartonëve të marrë. Dy të pezulluarit janë Diego e Almeida, ndërsa i dëmtuar është Per Mertesacker. Kështu që lojtarët kyç të Bremen-it sot do të jenë Claudio Pizarro, Markus Rosenberg dhe fantazisti Mesut Ozil.
Tifozët turq
Duket se në mbrëmjen e sotme sportdashësit turk, edhe pse në skuadrën e Bremen-it aktivizohet një turk, Mesut Ozil, do të mbështesin skuadrën ukrainase. Duket se vendasit nuk e kanë “gëlltitur” vendimin e Ozil (lojtari turk ka vendosur që të përfaqësojë kombëtaren gjermane dhe të mos aktivizohet me kombëtaren turke). Por ky fakt nuk është i vetmi pasi sportdashësit turq do të përkrahin Shakhtar Donetsk pasi trajneri i ukrainasve është mjaft popullor në Turqi. Trajneri i skuadrës së Shakhtar Donetsk (Mircea Lucescu) adhurohet nga vendasit pasi në Stamboll ai ka drejtuar dy skuadra: Galatasaray AŞ dhe Beşiktaş JK, me të cilat ka fituar edhe kampionatin.
Yuschenko
Në shkallët e stadiumit “Sükrü Saraçoglu” pritet të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Ukrainës, Viktor Yuschenko. Presidenti ukrainas, sipas The Financial.com, do të takohet në Stamboll edhe me Patriark Bartolemeun I, gjithashtu ai do të takohet edhe me Kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Formacioni i mundshëm
Werder Bremen: Wiese, Fritz, Prodl, Naldo, Boenisch, Frings, Baumann, Niemeyer, Ozil, Pizarro, Rosenberg
Shakhtar Donetsk: Pyatov, Srna, Kucher, Chigrinskiy, Rat, Gai, Duljaj, Ilsinho, Jadson, Fernandinho, Luiz Adriano
E Merkure, 20 Maj 2009