West Virginia: Shembet miniera, 25 minatorë humbasin jetën
Katër minatorë ende nuk janë gjetur në një minierë në West Virginia, pas një shpërthimi të madh që ka marrë ndërkohë jetën e 25 minatorëve duke shkaktuar kështu një nga katastrofat më të mëdha në miniera në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, veç të vrarëve edhe 2 persona janë plagosur rëndë. Dhe 4 të tjerë ende nuk dihet se ku kanë përfunduar. Në vendin e ngjarjes rendën menjëherë skuadrat e shpëtimit që po përpiqen të qetësojnë situatën. Presidenti Obama ftoi të gjithë vendin që të lutej për minatorët e vrarë dhe për shpëtimin e atyre që ende mund të ndodhen gjallë nën gërmadhat e minierës së shembur. Kjo fatkeqësi në këtë minierë ka ndodhur ndërsa në Kinë po festohej shpëtimi i mbi 120 minatorëve të tjerë që kishin mbetur të bllokuar në një minierë të shembur për një javë rresht. Miniera në fjalë është pjesë e një kompanie që është prodhuesja më e madhe e qymyrit në Apalashet Qendrore. Kjo tragjedi bëri që aksionet e kësaj kompanie të bien në bursë në nivelin e tyre më të ulët të të gjitha kohërave. Ende nuk dihet mirë se çfarë e shkaktoi këtë tragjedi, por mendohet se një rrëshqitje e tokës mund të ketë zënë shtegun e daljes për minatorët që janë gjetur befas të bllokuar dhe në kurth.
#