Maqedoni, propozohet që zv/presidenti të jetë shqiptar
Liderët e partive politike të shqiptarëve duhet ta shfrytëzojnë momentin e hapjes së procesit të ndryshimeve kushtetuese që të kërkojnë ndryshime thelbësore që kanë të bëjnë me rregullimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Këtë e sugjerojnë ekspertët shqiptarë për takimin e radhës të liderëve të partive më relevante politike në Maqedoni, i cili është paralajmëruar të mbahet në fund të javës. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i BDI-së, Ali Ahmeti, i Demokracisë së Re, Imer Selmani, dhe lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, njoftohet se në takimin e radhës do të mundohen t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre rreth ndryshimeve kushtetuese në sferën e gjyqësorit. Profesori i së drejtës kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se duhet të intervenohet edhe në Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare, si dhe në atë të përdorimit të gjuhës shqipe. “Në këto momente kur po hapet çështja e ndryshimeve kushtetuese partitë politike shqiptare duhet të kërkojnë ndryshime në çështjet që i prekin shqiptarët. Patjetër duhet të kristalizohet çështja e përdorimit të flamurit shqiptar, pasi që Kushtetuta e tanishme nuk i ka dispozitat shumë të qarta rreth përdorimit të tij. Kushtetuta nuk është e qartë se si mund të përdoret flamuri kombëtar, para cilave institucione dhe në cilat festa”, deklaron Kadriu.
Profesori Jeton Shasivatri është i mendimit se duhet ndryshuar komplet Kushtetuta e Maqedonisë dhe të rishqyrtohet statusi i shqiptarëve. “Mendoj se tërësisht Kushtetuta e Maqedonisë duhet të zëvendësohet më një Kushtetutë të re. Kushtetuta duhet të ndryshojë në të gjitha aspektet, duke filluar nga statusi i shqiptarëve, përdorimi i simboleve përfshirë edhe të drejtën e Badenterit për të gjitha çështjet që i prekin shqiptarët”, thotë Shasivari. Sipas tij, këto ndryshime janë vetëm kozmetike, të cilat aspak nuk do ta ndryshojnë pasqyrën për gjykatat e vendit.
Propozues i ndryshimeve kushtetuese është qeveria e Maqedonisë, ndërsa me të synohet në pavarësimin e gjykatave, respektivisht mënjanimi i ndikimeve politike ndaj pushtetit gjyqësor. Ndryshimet e reja thuhet të bëhen për shkak të presioneve të faktorit ndërkombëtar, me ç’rast parashihet që ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar i Këshillit Gjyqësor, të zvogëlohet mandati i gjykatësve dhe të rritet numri i anëtarëve në KRGJ nga radhët e gjykatësve.
#