Westerwelle: Të largohen strukturat paralele në veri

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me Ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwvelle ka thënë se Kosova gati për zbatimin e marrëveshjes. Ndërsa, Ministri gjerman, Westerwelle ka theksuar që palët duhet të reflektojnë në zbatimin e marrëveshjes.
Westerwelle ka theksuar se strukturat paralele serbe në veri të Kosovës duhet të hiqen. Ai ka shprehur përkushtimin e Gjermanisë në përkrahje të Kosovës në të gjitha fushat.
---------------
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle sapo ka mbërritur në Prishtinë. Ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Westerwelle ka arritur në Prishtinë pas vizitës që pati në Beograd, ku nga krerët e shtetit serb ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Edhe në takimet me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Westerwelle pritet të bëjë të njëjtën thirrje, për zbatim sa më të shpejtë të Marrëveshjes.
Gjermania është në mesin e vendeve më të zëshme të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë bërë thirrje Serbisë që të largojë strukturat e saj paralele nga veriu i Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet me shtetin e ri, nëse do që të shënojë përparime në procesin integrues./Indeksonline/
------
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka takuar në Beograd presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq.
Westerwelle ka thënë se pret që Serbia, së shpejti, të marrë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka theksuar edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes me Kosovën.
Nikolliq ka thënë se Serbia është e përkushtuar në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në përparimin e mëtejshëm drejt BE-së, por ka thënë se nuk do të mashtrojë partnerët evropianë, duke premtuar diçka që nuk mund të përmbushë, transmeton rel.
Sipas mediave serbe, Nikolliq, në këtë mënyrë, ka vënë në pah se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
Westerwelle ka arritur të dielën mbrëma në Beograd, ku është pritur nga zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai takon sot edhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, para se të vazhdojë udhëtimin për në Prishtinë./Indeksonline/