E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks; Zbardhet kabllogrami për grupet antiamerikane

Uithers dhe një oficer për sigurinë raportonin se mundësitë për demonstrime anti ShBA ekzistonin, por kishte pak gjasa të viheshin në jetë

Mundësitë e një grupi apo celule antiamerikane në Shqipëri janë shqyrtuar herët nga ambasada e ShBA-së në Tiranë. Në një kabllogram të koduar sekret, që është shkruar në pranverë të 2009-s, Uithers dhe një oficer për sigurinë merrnin në sitë në formën e një pyetësori gjithë detajet dhe elementët antiamerikanë në shoqërinë shqiptare.

Kabllogrami që mund ta lexoni më poshtë shqyrton njëri pas tjetrit elementët e sigurisë, pikat e dobëta dhe gjithashtu edhe grupet shoqërore që potencialisht mund të shprehnin apo kryenin demonstrime antiamerikane. Duke u ndalur kryesisht në format e protestave që organizoheshin apo ishin organizuar deri më atëherë në vendin tonë, kabllogrami i publikuar nga Wikileaks më 30 gusht të këtij viti thekson se mundësitë për dhunë dhe shfaqje antiamerikane ekzistonin, por ishin minimale dhe nuk gëzonin përkrahje për shkak se shoqëria shqiptare, siç shkruan Uithers, “është në pjesën më të madhe pro-amerikane”.

Dy ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili ka zëvendësuar Uithers, në një intervistë televizive pranoi se në një moment në kryeqytet ishte aktivizuar një celulë antiamerikane. Pohimi i Arvizu duket se mbështetet edhe nga qëndrimet në kabllogram, edhe pse në kohën kur ky është shkruar qëndrime të tilla nuk ishin shfaqur dhe shiheshin si pak të mundshme. Kabllogrami që ka për qëllim të mbajë të informuar shtetasit amerikanë mbi rreziqet e mundshme nga protestat publike, vëren disa grupe prej të cilave mund të kishte lëvizje antiamerikane. Sipas asaj që shkruhet, lëvizje të tilla, edhe pse me pak gjasa, mund të vinin nga katër grupet fetare, por edhe nga organizata apo parti politike. Ndërkohë, deklarata e para dy ditëve është disa herë më konkrete, pasi flet për një celulë dhe një grup të mirëorganizuar me qëndrim antiamerikan madje me financim dhe përkrahës të rëndësishëm.

SEKRET TIRANA 000140

Subjekti: Profil-Pyetësorë për gjendjen (mjedisin) e sigurisë. Pranverë 2009

E klasifikuar nga: Oficeri për Sigurinë Rajonale (RSO) PATRICK LEONARD për arsye të 1.4 (g)

(C) Demonstratat

A. Po, janë katër grupe të mëdha fetare, që në teori mund të mbajnë protesta antiamerikane. Sidoqoftë, duke qenë se Shqipëria ka një histori të gjatë të tolerancës ndërfetare dhe sepse pothuajse të gjithë shqiptarët janë pro-amerikanë, ne gjykojmë që mundësitë për këtë janë të vogla. Mundësia më e madhe për të demonstruar kundër ShBA-së vjen nga disa elementë radikalë brenda komunitetit të sunive muslimanë, por vetëm nëse provokohen. Ka disa komunitete etnike në vend, përfshi grekët, egjiptianët, vllahët dhe romët. Potencialisht, secili prej këtyre grupeve mund të mbajë protesta antiamerikane, sidoqoftë asnjë prej tyre nuk e ka bërë këtë. Këto protesta të mundshme, mund të jenë domethënëse në entuziazëm, por jo për numrin e pjesëmarrësve. Deri më tani nuk ka pasur asnjë protestë të rëndësishme me bazë fetare në Tiranë.

I. Po; ka pasur protesta antiqeveritare nga partitë e opozitës dhe organizata, si një grup i majtë i shoqërisë civile, shoqata e ish-ushtarakëve dhe disa sindikata. Pjesëmarrja në këto protesta ka shkuar deri në 1 mijë persona. Nuk është raportuar dhunë në këto demonstrata.

L. Protestat në vitet e fundit në Shqipëri kanë qenë kryesisht paqësore, edhe pse gjatë viteve ‘90 pati një numër demonstratash mjaft të dhunshme dhe në fillim të vitit 2004 u mbajtën dy protesta ku u shfaq pak dhunë.

2. (U) Kushtet për një konflikt makro

A. Jo; Shqipëria ka luajtur gjithmonë një rol moderues për shqiptarët në rajon, kryesisht për ata në Maqedoni, Serbi, Malin e Zi, Kosovë dhe Greqi.

B. Po, nën programin e Ndihmës Kundër Terrorizmit oficerët e policisë shqiptare kanë pasur disa mundësi trajnimi si: Mbrojtje jetësore, kundërzbulim, përgjigje për kriza, rolin e policisë në luftë kundër terrorizmit dhe menaxhim të situatës pas shpërthimit të bombës. Disa nga kurset më të fundit janë: Instruktor për ndihmën e shpejtë, hetim për vjedhjen e makinave dhe menaxhim i sistemit TIMS...

C. Po, për shkak se paga mesatare e policisë është rreth 250 dollarë në muaj dhe një tradite të marrjes së ryshfetit...

¶D. Po, ata (policia) janë agresivë kundër terrorizmit dhe aktiviteteve ekstremiste në Shqipëri.

¶E. Po, ata (policia) janë shumë bashkëpunues dhe kanë dhënë ndihmë pas çdo kërkese.

4.(C) Terrorizëm nga jashtë

A. Jo, por ka disa individë me qëndrim antiamerikan.

5. (U) Grupe të tjera terroriste.

A. Po.

B. (1) Armata Kombëtare Shqiptare (The Albanian National Army) AKSH.

6. (S) Tregues për terrorizmin ndërkombëtar

A. Jo, anëtarët e grupit Egjiptian të Xhihadit Islamik dhe përkrahës të Al-Qaedës janë dëbuar në aksione të ndryshme në fund të viteve ‘90 dhe pas asaj që ndodhi më 11.9.2001. Ka elementë radikalë dhe organizata jo-qeveritare që mbahen nën kontroll nga autoritetet lokale.

B. Shqipëria ka misione diplomatike nga Irani, Libia, Rusia, Serbia dhe Palestina, disa prej të cilave kanë edhe prezencë shërbimesh sekrete. Disa OJQ kanë sudanezë, egjiptianë, sirianë dhe persona të tjerë nga vende potencialisht antiamerikane. Irani është më shumë i shqetësuar të ndikojë në Shqipëri përmes mjeteve fetare në xhami dhe nuk ka interes për aktivitetet e përditshme të amerikanëve këtu. Me gjithë përpjekjet e tij, Irani nuk ka gjetur shumë hapësirë veprimi në Shqipëri.

G. Armët dhe eksplozivët gjenden mjaft lehtë qoftë brenda Shqipërisë, qoftë nga vendet fqinje. Raportet e fundit tregojnë për një rritje të përdorimit dhe mundësive për furnizim me eksploziv të kontrolluar, telekomanduar.

UITHERS (Kabllogrami i marrë me shkurtime)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›