E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks, Kaidanow donte që Albin Kurti të mbetej në burg

PRISHTINE- Ambasadorja amerikane, Tina Kaidanow po bashkëpunonte në mars 2007 me qeverinë e Agim Çekut që të mbetej në burg sa më gjatë lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti. Kështu thuhet në njërin prej kabllogrameve të Wikileaks të zbardhur nga mediat kosovare.

Sic raporton Indeksonline, më 5 mars 2007, Kaidanow ka raportuar tek Departamenti Amerikan i Shtetit për protestën e lëvizjes së Kurtit të 3 marsit. Fillimisht, ajo thotë se protesta e 3 marsit shkoi e qetë, në dallim nga ajo e përgjakshmja më 10 shkurt, dhe kjo “falë faktit që Kurti zjarrëndezësi i Lëvizjes gjendej në burg dhe falë faktit që institucionet kosovare dhe Zyra Amerikane dhanë mesazhin se përkrahja e dhënë për “Vetëvendosje” binte në kundërshtim me të ardhmen e Kosovës”.

“Në dallim prej demonstratave të kaluara, ‘marshallët’ e VV (anglisht shkurt SDM), me rroba identifikuese kontrolluan turmën duke bërë një kordon njerëzor. UNMIK-u dhe SHPK-ja i lejuan protestuesit të kalojnë, por nuk i lejuan të hyjnë në ndërtesë. Tek ndërtesa e Kuvendit, protestuesit u ndalën për të dëgjuar një lider të VV-së, Glauk Konjufca, i cili kundërshtoi pakon e Ahtissarit dhe pastaj theu një kuti që simbolizonte pakon e Ahtisaarit”, raportonte Kaidanow, sipas Indeksonline.

Ajo thoshte se protesta shkoi mirë edhe falë bashkëpunimit ndërmjet Vetëvendosjes dhe SHPK-së. Por, në fund të këtij kabllogrami bënte të qartë se çfarë donte Kaianow.

“Ne mund të marrim frymë më lirisht pasi protesta e 3 marsit përfundoi e qetë. Por, ne mund të presim aktivitet të shtuar të VV-së në muajt më vazhdim, deri në zgjidhjen e statusit final, pasi gjetja e një statusi do të nënkuptonte që VV nuk do të kishte më çfarë të kundërshtonte. Ne do të vazhdojmë presionin tek lidershipi i Kosovës për t’u distancuar nga dhuna në secilin rast, do të punojmë me ta që ta mbajmë Albin Kurtin në burg, dhe do t’i inkurajojmë që ta ndjekin procesin e Ahtisaarit si kundërshtimi më efektiv i mesazhit negative të Vetëvendosjes”, përfundonte Kaidanow.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›