E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lambrinidis:Tirana të zbatojë paktin detar me Greqinë

PRISHTINE- Nga Prishtina, 4 ditë para se të mbërrijë në Tiranë, ministri i Jashtëm i Greqisë përsërit thirrjen drejtuar Shqipërisë për implementimin e  marrëveshjes së paktit detar.

“Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet”, - ka thënë Stavros Lambrinidis, pas takimit me zyrtarë të qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Duke iu referuar vizitës në Tiranë, e paralajmëruar për 12 shtator, Lambrinidis shtoi se po shkon në Shqipëri për t`iu dhënë përkrahje perspektivës së anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.

“Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë sikur vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty dhe të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”, ka thënë Lambrinidis, - citon gazeta kosovare online "Express". 
Pakti
Më 28 prill 2009 ministri i Jashtëm ( i atëhershëm) Lulzim Basha dhe ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis firmosën marrëveshjen për "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas kësaj marrëveshjeje Greqisë do i dhuroheshin rreth 354. 4 km 2 sipërfaqe ujore në detin Jon, pjesë e ujërave territorialë të shtetit shqiptar. Më 26 janar 2010 Gjykata Kushtetuese, e vënë në lëvizje nga PS, vendosi shfuqizimin si anti-kushtetues të paktit shqiptaro-grek. Vendimi u mor unanim 9-0.  Anulimi i marrëveshjes s'u prit mirë nga qeveria greke, e cila vazhdimisht i kujton Tiranës zyrtare se duhet të gjejë mënyrat për të implementuar marrëveshjen.

Wikileaks
Çështja e paktit detar është trajtuar disa herë dhe në kabllogramet që ish ambasadori amerikan, John Withers i ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Madje në një prej kabllogrameve,të bëra publike nga Wikileaks, ish ambasadori amerikan thotë se mosmiratimi i marrëveshjes së ujrave dhe ai i varrezave greke bëri që marrëdhëniet shqiptaro-greke të ktheheshin në pikënisje, kur ato ishin të komplikuara e të tensionuara.
Vizita
Ministri i jashtëm grek, Stavros Lambrinidis i shoqëruar nga ministri i jashtëm italian Franco Frattini pritet të jetë në Tiranë më 12 shtator. Sipas të dhënave zyrtare vizita mësohet të jetë "nxitja e dialogut në vend dhe përshpejtimi i reformave të nevojshme për pëparimin e vendit në procesin e integrimit."
Gjatë qëndrimit në Tiranë pritet të ketë takime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto si dhe me kreun e opozitës Edi Rama. Nuk dihet nëse gjatë takimeve me krerët e lartë të shtetit, ministri i Jashtëm grek do të diskutojë dhe çështjen e marrëveshjes së paktit detar.
(s.gera/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›