E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks: Komuniteti Mysliman, strehë konfliktesh

TIRANE- Ndryshimet e fundit në Komunitetin Islamik në Shqipëri kanë përfunduar me largimin e zëvendësit të tij, një vendim ky i paligjshëm dhe personal. Shkarkimi ka lidhje me kritikat e tij ndaj kryetarit të Komunitetit Mysliman, por disa zyrtarë të qeverisë shqiptare thonë se edhe të tjerë faktorë mund të jenë në lojë, si për shembull një përplasje mes brezit të vjetër të arsimuar në Turqi dhe elementëve të tij të arsimuar në shkollën arabe të Islamit. Në një kabllogram të dërguar në 9 nëntor 2009 në Departamentin e Shtetit, ambasadori amerikan Withers përshkruan të gjithë atmosferën në të cilën ndodhën ndryshimet në Komunitetin Mysliman Shqiptar.

“Ndërsa harmonia dhe bashkëpunimi mes feve është një rregull në Shqipëri, harmonia duket se mungon tërësisht në Komunitetin Mysliman dhe kjo që prej vitit të kaluar”. Në dramën e fundit të këtij komuniteti, kryetari Selim Muça vendosi të shkarkojë në mënyrë unilaterale nënkryetarin Saimir Rusheku dhe ta zëvendësojë atë me Bujar Spahiun, ish-drejtorin e Arsimit. Muça e lidhi shkarkimin e tij me drejtimin e xhamisë në rrugën e Kavajës, që konsiderohet edhe si më radikalja. Rusheku, që është i njohur në Shqipëri dhe i arsimuar në Libi, e ka denoncuar këtë lëvizje dhe ka akuzuar Muçën për lejimin e influencave të huaja dhe donatorëve të huaj në vend. Withers thekson se sipas burimeve nga qeveria shqiptare, 80- vjeçari Muça është vetëm një kukull dhe se pushteti dhe influenca e vërtetë vjen nga Betim Truci, sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman.

Në përgjigje, Rusheku ka paraqitur një padi duke thënë se shkarkimi i tij është antiligjor. Edhe pesë persona të tjerë janë shkarkuar bashkë me të. Rasim Hasanaj, kryetari i Komisionit shtetëror për Kultet, u tha zyrtarëve të ambasadës se ai e diskutoi çështjen e Rushekut me presidentin Bamir Topi më 4 nëntor dhe se presidenti ishte angazhuar në zgjidhjen e saj në përputhje me ligjin. Hasanaj tha se kishte edhe mbështetjen e Berishës për të zgjidhur çështjen. Ka shumë arsye për konfliktet brenda Komunitetit Mysliman në Shqipëri. Veç përplasjeve për shkak të shkollimit dhe influencës, edhe çështja e pronave dhe korrupsionit të trashëguar është shkak për përplasje. Komuniteti islamik ka qenë një ndër pronarët më të mëdhenj të tokave në Shqipëri para shpronësimit dhe vendosjes së aseteve të tij nën regjimin komunist.

Udhëheqja e Komunitetit ka qenë shpesh nën akuzë për korrupsion dhe këto ndryshime të brendshme tregojnë se po bëhet një përpjekje për të larguar të pakënaqurit. Korrupsioni është endemik në këtë instancë dhe mungesa e tolerancës për këndvështrime të ndryshme mund të nxisë lëvizjet nga ana e gjeneratës së re dhe t’u hapë derën elementëve më radikalë brenda Komunitetit. SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë publikisht dhe privatisht të gjitha besimet fetare në Shqipëri.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›