E Shtunë, 31 Tetor 2026

I nxehti i shtatorit, kosovarët i rikthehen plazhit në fundjavë

DURRES - "Për 4 orë udhëtim ia vlen t'i kalosh ditët e nxehta të shtatorit në fundjavë në Durrës". Kështu deklaruan pushuesit kosovarë, të cilët iu rikthyen edhe njëherë plazhit gjatë fundjavës që lamë pas. Plot 21 autobusë nga Kosova zbarkuan të shtunën më mëngjes në plazhin e Durrësit dhe të Golemit. Turistët, kryesisht të rinj të organizuar, bënë dy ditë plazh dhe të dielën në mesnatë u nisën për në Kosovë. Destinacioni i kosovarëve ka qenë deti dhe pishinat e Durrësit. Ndërkaq, këtij fluksi të paparashikuar ia kanë ndjerë lezetin edhe pronarët e lokaleve të plazhit, të ditës dhe të natës, pasi kanë pasur frekuentim më të kënaqshëm se në ditët e muajit gusht.
FUNDJAVA
Kur të gjithë mendonin se me ardhjen e shtatorit sezoni turistik u mbyll, të shtunën e të dielën që lamë pas, plazhi u mbush me pushues, a thua se ishte piku i sezonit. Frekuentuesit e mëdhenj të Durrësit edhe në ditët e para të shtatorit vazhdojnë të jenë përsëri kosovarët. Në fundjavë ata ia behën me një varg autobusësh të agjencive turistike dhe mbushën plazhet e Durrësit. Vetëm në mëngjesin e së shtunës, në vendin e qëndrimit të autobusëve në zonën e plazhit mbërritën njëri pas tjetrit plot 21 autobusë me targa Kosove, të mbushur me turistë, pa llogaritur të tjerë që kishin ardhur që të premten në mbrëmje. Prej autobusëve zbarkuan qindra të rinj e të reja, të cilët iu drejtuan detit dhe pishinave të Durrësit. Që të gjithë u sistemuan nëpër hotelet e plazhit, ku qëndruan deri të dielën pas mesnate.
KOSOVARET
"Në këtë vapë shtatori me temperatura ajri që i kalojnë të 35 gradët, vendi më i mirë për të kaluar pushimet e fundjavës mbetet bregdeti", - pohuan kosovarët. Sipas tyre, ia vlen të udhëtosh 4 apo 5 orë nga Kosova në Durrës për të fituar 2 ditë plazh, ndërsa një biletë vajtje-ardhje kushton më pak se 20 euro. Nëse edhe në fundjavën e ardhshme do të jetë e njëjta situatë meteorologjike, ata bënë me dije se do t'u drejtohen përsëri plazheve të Durrësit. Nga ana tjetër, pronarët e lokaleve të plazhit sqaruan se ditët e para të shtatorit kanë sjellë klientë më tepër se në gusht.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›