E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks/ SHBA priste dënimin e Bashës: Mbyllja e dosjes së tij, rast i humbur për drejtësinë

Hyrje: Në prill 2009 ambasada amerikane njoftonte Departamentin Amerikan të Shtetit për gjyqin e Lulzim Bashës i akuzuar për korrupsion në tenderin e rrugës Durrës-Kukës. SHBA bën të qartë se priste dënimin e ish-ministrit të Transporteve dhe shpreh zhgënjimin per mbylljen e çështjes me procedura nga Gjykata e Lartë. Madje, ambasada ngre dyshime mbi vullnetin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për ta çuar deri në fund këtë hetim, ndërsa vendimin e Gjykatës së Lartë  qeë e mbylli çështjen me procedura e cilëson të gabuar, duke iu referuar dhe Kushtetutës shqiptare. Ambasada e quan një rast të humbur për drejtësinë shqiptare mosdënimin e Lulzim Bashës. Dokumenti i publikuar nga Wikileaks mban numrin  12958: N/A.

Më poshtë pjesë nga kabllogrami :

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha ka arsye të jetë konfuz këto ditë. Ai nuk e di ende nëse çështja penale që është ngritur kundër tij dy vitet e fundit për shpërdorim të detyrës gjatë ndërtimit të rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën është e mbyllur në të mirë të tij apo nëse një vendim i ri i marrë nga Gjykata e Lartë  mund ta rihapë atë nga e para. Dy panele të Gjykatës së Lartë, dhanë  dy vendime të veçanta lidhur me çështjen kundër Basha, vendime që me sa duket janë në kundërshtim të plotë me njëri-tjetrin. Zoti Basha ishte akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme si i dyshuar për shkeljet e kryera kur ai ishte ministër i Transporteve,  qe mbikëqyr  procesin e ndërtimeve të rrugëve. Prokurorët pohuan se procesi që çoi në nënshkrimin e kontratës me Bechtel-Enka, një sipërmarrje e përbashkët ndërtimesh turko-amerikane e segmentit rrugor, përmban shkelje serioze dhe se kushtet e kontratës në mënyrë të paligjshme kanë rritur koston për taksa-paguesit shqiptarë në shuma qindra milionë euro.

Një rast i humbur..

Rasti kundër Bashës, megjithatë, hyri në një betejë ligjore në nëntor të vitit të kaluar, kur prokurorët zgjatën periudhën ligjore të hetimit me një muaj, një veprim që mbrojtja e konsideron të pajustifikueshme dhe të paligjshme. Ajo që pasoi ishte një numër i pafund i seancave dëgjimore në nivele të ndryshme të gjyqësorit që kanë rezultuar në dy vendime të Gjykatës së Lartë, të cilët shfaqen në kundërshtim me njëri- tjetrin. Më 10 prill 2009, një panel i Gjykatës së Lartë mbylli çështjen penale kundër Bashës me argumentet se, në bazë të vendimit të gjykatave shqiptare të ulëta, prokurorët kishin kryer shkelje të rënda procedurale dhe kishin zgjatur periudhën e hetimin përtej një kufiri të arsyeshëm. Për rrjedhojë gjykata e mbylli gjyqin ndaj Bashës dhe qortoi zyrën e prokurorisë për dhunim të të drejtave të Bashës.

Apo  jo!

Më 29 prill 2009, një panel i ndryshëm i Gjykatës së Lartë, në një seancë  apeli të kërkuar nga zyra e Prokurorit kundër vendimeve gjyqësore marra nga gjykatat e nivelit të parë, gjeti se vendimet e gjykatës më të ulët ishin të pavlefshmedhe dhe se vetëm Gjykata e Lartë ka të drejtë për të marrë në shqyrtim  rastet ku përfshihen anëtarët e qeverisë. (Shënim: Kushtetuta e Shqipërisë thotë se vetëm Gjykata e Lartë ka të të drejtë të merret me çështjet penale ku përfshihen anëtarë të qeverisë dhe të Parlamentit.)

Vendimi i dytë ka lënë tashmë të hapur çështjen nëse Prokuroria mund të kërkojë nga Gjykata e Lartë që të rishqyrtojë vendimin e saj të 10 prillit për të rinisur çështjen kundër Bashës – një vendim që ka qenë bazuar në vendime të pavlefshme të  gjykatave më të ulëta.

Ina Rama në karrigen e nxehtë

Vendimi i Gjykatës së Lartë më 10 prill u pa nga shumë në Shqipëri si një goditje e rëndë për reputacionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Ina Rama. Pikpamja që mbizotëronte ishte se Gjykata kishte marrë një vendim të paprecedentë [nën ndikimin politik] që efektivisht privoi zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm nga e drejta për të sjellë akuzat kundër një personaliteti.  Pyetje serioze janë ngritur dhe për arsyet pse zyra e Prokurorit të Përgjithshëm mori një periudhë kaq të gjatë kohe për të përfunduar hetimin kundër Bashës. Nuk  ka akoma argumente për të mbështetur thashethemet e pranishme në mesin e qarqeve juridike në Tiranë se vendimi ishte rezultat i një loje të dyfishtë nga prokurorët dhe nga ekipi mbrojtës i Bashës për të lejuar që Basha tia hedhë. Në një kohë kur kryeprokurorja Ina Rama, kishte vetëm dy raste që kërkonin vemendjen e saj të drejtpërdrejtë, hetimi i Gërdecit dhe çështja kundër Bashës, çdo gabim hetimor nga ana e zyrës së prokurorit të përgjithshëm direkt minon pozitën e saj. Pikërisht për këtë arsye vendimi i saj për të ringjallur rastin kundër Bashës apo për ta fshirë atë përgjithmonë është duke u shikuar me kujdes nga komuniteti ligjor shqiptar.

Rezultati përfundimtar i garës së vendimeve është se ministri i Jashtëm Basha mbetet në harresë ligjore. Vendimet e datës 29 prill e lanë derën hapur për një rihapje të hetimit kundër Bashës. Megjithatë, kryeprokurorja  Ina Rama ka dërguar sinjale të përziera që nga 29 prilli, nëse zyra e saj do të kërkojë apo jo rifillimin e hetimit ndaj Bashës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›