Wikileaks: Së shpejti, dosje të tjera edhe për BP
Sajti tashmë i famshëm i internetit, “Wikileaks”, ka marrë disa materiale “shumë domethënëse” në lidhje me abuzimet e ushtarakëve amerikanë në vendet në luftë dhe këto materiale janë sjellë nga persona kundërshtarë të luftës dhe mënyrës se si funksionojnë gjërat në elitën amerikane. Këto dokumente pritet që të publikohen brenda disa javësh në vijim të 92 mijë dokumenteve të publikuar për luftën në Afganistan. Në një intervistë me “NBC News”, shefi i “Wikileaks” tha se gjatë ditëve të fundit, sajti që ai drejton ka marrë një sërë materialesh të reja, mes të cilave ka edhe dokumente që flasin për afera të kompanisë britanike të naftës, BP, fajtore për tragjedinë e Gjirit të Meksikës, si dhe dokumente në lidhje me abuzime të ndryshme, përfshi ato seksuale brenda ushtrisë amerikane.
Duket se reagimi që pati publiku në lidhje me publikimin e materialeve lidhur me Afganistanin u ka dhënë guxim shumë personave që të publikojnë materialet e tyre, që faktojnë një realitet ndryshe nga ai që paraqitet zyrtarisht, apo qoftë edhe nga mediat kryesore të botës. Drejtuesi i “Wikileaks” është zotuar që të publikojë edhe dokumente të tjera qeveritare, pavarësisht kriticizmit me të cilat po përballet nga administrata e Obamës dhe anëtarët e Kongresit Amerikan në lidhje me publikimin e dosjeve për Afganistanin. Ushtria amerikane në bashkëpunim me FBI-në ka nisur hetimin e prejardhjes së dokumenteve, duke u marrë me persona të dyshuar. Në një konferencë për shtyp në Pentagon, shefi Gates deklaroi se materiali i sajtit kishte vënë në rrezik jetën e ushtarëve në Afganistan, ndërsa shefi i shtabit tha se tashmë “Wikileaks” i kishte duart e lyera me gjak, por në kundërpërgjigje të akuzave, lideri i sajtit, Julian Assagne, tha se ushtria amerikane duhet të fajësonte veten për daljen e këtyre dokumenteve që përbënin veç të tjerash, edhe një problem shumë të madh që ajo ka me sigurinë. Ai tha se të gjithë kishin treguar shumë kujdes në përpunimin dhe kontrollin e materialit për të mos dëmtuar asnjë person.
“Wikileaks” i publikoi në sajtin e saj 92 mijë dosjet, pikërisht një javë më parë dhe reagimi ka qenë shumë i madh. Ai e bëri këtë përmes burimeve nga persona, sekreti i të cilëve ruhet duke qenë se edhe sajti është i një teknologjie të lartë me serverë në shumë vende të botës, që e bën të pamundur spiunimin, apo infiltrimin e tij. Edhe në të shkuarën, ky sajt që është ngritur në vitin 2007, ka botuar materiale që rrëfejnë për skandale dhe shkelje të rënda.
#