Ethet e kromit vrasin përsëri në Kukës
Një tjetër minator ka vdekur të shtunën pasdite, ndërsa kërkonte krom në masivet e maleve të Komunës Surroj. Njoftohet se gjatë gërmimeve në vendin e quajtur Truall të kësaj komune, ka mbetur i vdekur punëtori Sefer Sina, 35 vjeç, nga fshati Surroj, ndërsa është plagosur një punëtor tjetër me emrin Miftar Sina, nga i njëjti fshat. Burime të vendit të ngjarjes, që konfirmohen edhe nga policia, tregojnë se viktima dhe shoku i tij kanë qenë duke gërmuar një gjysmë galeri, një shpellë të hapur kohët e fundit prej tyre, nga ku nxirrnin kromin. Ndërsa ata punonin, një masiv i madh dheu prej disa dhjetëra metrash kub ka rrëshqitur duke zënë përfund 35-vjeçarin, i cili ka vdekur në vend, si dhe duke plagosur mjaft rëndë punëtorin tjetër, rreth 30 vjeç. Ky i fundit, edhe pse i plagosur, ka arritur t’u dërgojë sinjal disa kërkuesve të tjerë të kromit në zonë, të cilët u kanë shkuar në ndihmë. Një nga punëtorët që kishte ndihmuar në nxjerrjen e trupit të 35-vjeçarit, tha se shembja kishte qenë shumë e madhe, sepse viktima u nxor nga dheu pa frymë. Punëtorët më pas kanë njoftuar edhe policinë e Kukësit, e cila ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për shkaqet që çuan në vdekjen e punëtorit dhe për rrethanat në të cilat punojnë një numër personash si kërkues amatorë të kromit. Në Surroj nuk ka miniera të mirëfillta, ashtu si në Kalimash, por kohët e fundit kërkues amatorë dhe firma të ndryshme të licencuara kanë çelur gropa dhe minigaleri prej dhjetëra metrash. Kërkimi i kromit muajt e fundit ka shënuar disa viktima në zonën e Kukësit dhe Hasit. Duke llogaritur Kalimashin dhe minierat e Goljave në Has, ky është rasti i tretë i vdekjes së punëtorëve brenda një kohe prej tre muajsh. Në të gjitha rastet shkak ka qenë mosrespektimi i rregullave të sigurimit teknik.
#