Wikileaks publikon dokumentet e CIA-s hije. Ja e-maili i parë ku përmenden shqiptarët
Faqja e njohur Wikileaks ka nisur të publikojë më shumë se 5 milion e-maile të kompanisë së inteligjencës globale, Stratfor. E-mailet datojnë nga korriku 2004 deri në fund të dhjetorit 2011 dhe thuhet se janë punë e brendshme e firmës amerikane që njihet edhe me emrin CIA hije.
Në një konferencë për shtyp, themeluesi i Wikileaks, Julian Assange tha se nuk do të zbulojë se nga vijnë këto e-maile. Por mendohet se ato janë siguruar nga grupi i hakersave Anonymous. Wikileaks bëri të ditur se brenda në e-maile gjenden informacione për mënyrën se si funksionon ky gjigand i informacionit siç është Stratfor. Po ashtu thuhet se ka informacione dhe se si Stratfor vetë tentoi të dëmtojë Wikileaks.
Pak e-maile janë publikuar deri më tani. I pari që përmend shqiptarët është ai i një punonjësi të kompanisë, që ka folur me Carl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë dhe negociator i njohur për çështjet e Ballkanit. Në e-mail thuhet se Bildt, që u shfaq sot duke folur në favor të Serbisë për marrjen e statusit kandidat, nuk i pëlqen shqiptarët. Më poshtë janë pjesë nga e-maili:
Bildt beson se Suedia duhet të bëhet një fuqi botërore. Ai flet shumë për sferën tradicionale të ndikimit të Suedisë në vendet baltike. Nga eksperienca e tij në Ballkan, ai ka vendosur se ai nuk i pëlqen kroatët dhe shqiptarët.
Ai është gjithashtu shumë kritik me Rusinë. Ai e quajti Putinin një çetnik në mes të një takimi me një grup eurodeputetësh. Ai është në esencë një person non grata në Moskë. Ai gjithashtu është në kundërshtim edhe me Sarkozinë për shkak se përpara se Suedia të merrte presidencën e BE, ai i tha francezëve se nuk mund të bënin të njëjtat gjëra siç bënë me Çekinë.
Ai është shumë i përfshirë me zgjerimin e BE pasi mendon se kjo është një rrugë për të thyer dominimin gjermano- francez në BE. Ai ka qëllim personal që të shohë çdo vend të Ballkanit që të ecë përpara drejt anëtarësimit gjatë drejtimit të tij.