E Shtunë, 31 Tetor 2026

Williams, titulli i pestë

Serena Williams fitoi titullin e saj të pestë në Australian Open, të shtunën në një triler, që zgjati tre sete dhe tregoi shërbimin e saj të fuqishëm, forhendin e saktë dhe mbi të gjitha dëshirën e madhe për fitore, që iu nevojit në çdo moment për të mposhtur në finale Justine Henin, 6-4, 3-6, 6-2.

Ky është titulli i 12-të Grand Slam për Williamsin, e cila barazoi totalin e Billie Jean King dhe është në gjysmë të rrugës së rekordit prej 24 titujsh të arritur nga Margaret Court, e cila ishte në Melbourne Park për të dorëzuar trofeun për Williamsin.

“Dua të uroj Justinen për zhvillimin e një turneu të shkëlqyeshëm. Ajo më dha krejt çka kishte nga vetja”, tha Williams, e cila katër titujt e kaluar i fitoi më 2003, 2005, 2007 dhe 2009. Ishte përballje shumë interesante me kthime që e detyroi Williamsin të shfaqë talentin dhe fuqinë e saj për të mposhtur Heninin, e cila u paraqit në turneun e saj të dytë, pas largimit nga tenisi për 20 muaj.

Rikthimi i saj ishte pikë emocionuese prej fillimit të Australian Open, derisa ajo synonte të rikthejë formën me të cilën kishte fituar shtatë Grand Slam tituj. Për herë të fundit, një finale në Grand Slam turne për femra, ishte vendosur në tre sete në Wimbledon, më 2006, kur Henin u mposht nga Amelie Mauresmo.

Pas dy orë e shtatë minuta lojë, lodhja ishte më e shfaqur te Henin, për dallim nga Williams e cila fitoi pesë geme të njëpasnjëshme dhe 15 pikë. Përveç gjendjes më të mirë fizike, amerikania u mbështet edhe në shërbimin e fuqishëm duke servuar 12 ase.

“Kanë qenë dy javë me shumë emocione për mua”, tha Henin, pasi pranoi trofeun e pozitës së dytë. “Jam kënaqur gjatë turneut dhe mendoj se është vendi më i mirë për mua të fillojë këtu, sepse ju e njihni tenisin shumë mirë dhe e njihni kulturën e sportit, andaj ju falënderohem për përkrahje. Dua të uroj Serenan, ajo është kampione e vërtetë”, u shpreh belgia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›