Wisner: Kosova shtet që po prosperon çdo ditë

Ambasadori amerikan Frank Wisner i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, qëndroi për disa minuta në Manastirin e Deçanit, duke u informuar me historikun e këtij manastiri nga Ati Sava.
Ai tha se ky tempull fetar, krijon qetësi dhe paqe që e reflekton tek të gjithë ata që e vizitojnë.
"E falënderoj At Saven, për mirëpritjen tij, vërtetë është për t’u çmuar ky vend i shenjtë, vend i paqes i frymës dhe i historisë së lashtë. Gjithashtu jam shumë i nderuar që vizitova bashkë me bashkëshorten time", ka thënë Wisner.
Nga ana tjetër, At Sava ka qenë i kënaqur me vizitën e ish-ambasadorit Wisner dhe respektin e kanë për këtë manastir.
"Sot jam shumë i nderuar që na ka vizituar ambasadori Frank Wisner me bashkëshorten e tij. Unë e njoftova me gjithçka që e bënë të shenjtë këtë vend të paqes. Me vjen mirë që e respektojnë dhe e duan këtë vend", ka deklaruar ai.
Pas kësaj vizite, ambasadori amerikan Wisner, me kurora lulesh nderoi varrezat e dëshmorëve në Gllogjan dhe qëndroi për vizitë në familjen Haradinaj. Diplomati amerikan foli me pietet për dëshmorët e Kosovës.
"Natyrisht që i kam njoftë edhe zotërinë Ramush Haradinaj dhe që gjithnjë e kam admiruar kontributin e tij për liri për çlirimin e Kosovës. Është privilegj i veçantë që jam këtu sot vetëm dy ditë pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, për të cilën shumë trima sakrifikuan jetën e tyre për të arritur lirinë dhe dinjitetin e tyre”, ka thënë Wisner.
Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova është një shtet i ri dhe premtues për rininë e saj.
“Unë jam shumë i kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë qenë një vend mik i këtij vendi dhe admirues i luftës dhe përpjekjeve tuaja gjithmonë. Rezultati i gjithë asaj përpjekje është suksesi i një shteti në rritje të sotëm, një vend që po prosperon çdo ditë dhe që premton shumë për rininë e tij. Natyrisht që mbetet shumë punë për t’u bërë përpara dhe si shumë amerikanë të tjerë ju uroj të gjithë të mirat juve”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, kryefamiljari Hilmi Haradinaj ka falënderuar mysafirin për vizitën që i ka bërë familjes së tij.
Po ashtu ambasadori i Amerikës, Frank Wisner, është nderuar me dekoratën "Shkëlzen Haradinaj", dekoratë me të cilën po nderohen shumë figura të larta në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. (Kosovapress)