E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wisner: Përfundimi i mbikëqyrjes s’erdhi rastësisht

Ndërmjetësi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociata për statusin e Kosovës ambasadori Frank Wizner vlerësoi se Kosova ka bërë progres të madh në katër vjet e gjysmë pavarësi dhe, sipas tij, fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë nuk po vjen rastësisht.

Në intervistën dhënë Radiotelevizionit 21, ambasadori Wizner thotë se Kosova tani duhet të orientohet drejt të ardhmes dhe të krijohet një vend me stabilitet politik dhe ekonomik, çfarë kosovarët edhe e meritojnë.

Ambasador, fillimisht, ju faleminderit që pranuar ftesën. Do të shkoni në Kosovës, për një festim. Mbase edhe mund të quhet ashtu, meqë shënohet fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë?

Kjo është e saktë.

Kjo po ndodhë katër vjet e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Si ju bën kjo të ndjeheni?

Ndjehem tepër i lumtur. Unë po kthehem atje për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë. Mezi pres që të shoh shtetin dhe të shoh progresin që është bërë, por po ashtu mezi pres që të takohem me lidershipin e vendit dhe me kosovarët e zakonshëm. Unë do ta kem privilegjin që të kaloj ca kohë edhe në Pejë, jo vetëm në Prishtinë dhe mendoj se do të krijoj ide të qartë se çka po ndodhë atje. Pas këtyre viteve më vjen shumë mirë që kam gjendje të shoh evoluimin e vendit dhe lidhjen e vazhdueshme dhe të fuqishme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është pa dyshim ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën dhe kosovarët. Çka në fakt do të thotë kjo?

Është një arritje e madhe, por është pjesë e një rrugë të gjatë. Kjo në fakt do të thotë se komuniteti ndërkombëtar është pajtuar më 17 shkurt 2008 se Kosova do të evoluonte si shtet i pavarur nën planin e Atisarit, por që komuniteti ndërkombëtar do të vëzhgonte gjërat, për tu siguruar se si shkojnë ato. Dhe, sinqerisht thënë, ato kanë shkuar shumë mirë. Kosova njihet nga rreth 100 shtete, Kosova ka mbajtur gjendjen e paqes në rajon, përveç disa incidenteve të Mitrovicë. por, frika dhe spekulimet se do të ketë mijëra e mijëra refugjatë asnjëherë nuk u materializuan.

Kosova ka krijuar një parlament, një qeveri dhe institucione demokratike. Kosova i ka treguar botës se mund të kontribuojë se mund të funksionojë si shtet i pavarur dhe madje mund të japë edhe kontribut në shkallë të gjerë. Kjo është arritur dhe është mënyrë e mirë për të njohur procesin që e ka bërë Kosova tani me heqjen e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

A do të thotë kjo se Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës, po perceptohen nga komuniteti ndërkombëtar si partnerë të besueshëm?

Mendoj se të gjitha qeveritë në fakt punojnë si pjesë e procesit. Progres ka patur. Mirëpo, ka ende punë për tu bërë për të arritur nivelin e qeverisjes që populli e dëshiron dhe arritjen e zhvillimit ekonomik që vendi ka nevojë, por edhe e meriton. Pra, ka ende rrugë për tu përshkuar, por kategorikisht pohoj se për këto gati pesë vjet ka pasur sukses dhe komuniteti ndërkombëtar po e njeh këtë sukses dhe është duke përshëndetur popullin dhe liderët e Kosovës për arritjen e tij. Meritë ka presidenti i kaluar dhe presidentja e tashme, kryeministri, gjithë atyre funksionarëve qeveritarë, por të cilët kanë bartur barrën nga shpatullat e popullit, i cili ka mbajtur rendin dhe ligjin dhe ka punuar shumë për shtetin e vet të ri dhe të pavarur.

Për fund, si një njeri që keni punuar në procesin deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, çfarë mezashi do të dërgoni në Kosovë për liderët dhe për popullin e Kosovës?

Kam dy meszashe. I pari është se Shtetet e bashkuara janë krenare që kanë qenë pranë Kosovës në kohën kur Kosova ka neogciuar, e më herët edhe ka luftuar për pavarësinë e vet. Dhe, më pas që kemi qenë miq që kur u bë shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kjo miqësi duhet të vazhdojë. Sipas mendimit tim do të vazhdojë meqë përkrahet nga amerikanët e bindjeve të ndryshme politike dhe nuk shoh arsye pse kjo të mos vazhdojë. Pra, le ta shënojmë ashtu si është, një vazhdimësi e një tradite të fuqishme.

Mesazhi i dytë dhe shumë i rëndësishëm ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës dhe që kjo e ardhme të sigurohet, Kosova duhet të ndërtojë një ekonomi të fuqishme. tani kjo gjë duket e vështirë, meqë kushtet ekonomikë janë të vështira në Evropë dhe në rajonin tuaj. Kjo nuk do të thotë se Kosova nuk ka atribute të mëdha.

Derisa ju investoni në agrikulturë, përmirësoni rrugët, ngritni kapacitetet energjetike, hapeni ndaj tregtisë së lirë dhe bëni hapa që një ditë, dashtë Zoti të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian, atëherë mund të arrini të ardhmen që populli juaj e dëshiron. por, për këtë duhet shumë punë, disiplinë, respekt për sundimin e ligjit, rend, qetësi dhe luftë kundër krimit të organizuar. Në atë rajon duhet të jeni qytetar i mirë për të arritur sukses, në atë rrugë jeni vetëm por unë jam i bindur se do të arrini ta përfundoni atë rrugë. Pra, mund të them se vitet më të mira të Kosovës, janë para saj dhe jo pas saj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›