E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Ju flisni anglisht shkëlqyeshëm

Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri, John L. Ëithers, ka vazhduar edhe dje vizitën dyditore në qytetin e Gjirokastrës sipas një axhende të ngjeshur, ku përfshihen takime me autoritetet vendore, vizita në institucione, muze, në shtëpi karakteristike gjirokastrite, në shkolla dhe në shfaqje teatrale.

Në ditën e parë të vizitës, ambasadori Ëithers mori pjesë në ceremoninë e çeljes së zyrës së informimit për publikun, ku ai që në fjalët e para, nuk iu shmang dot tundimit që ngjallet zakonisht tek vizitorët që vinë për herë të parë në qytetin e gurtë, me pamje mesjetare dhe për më tepër vendlindja e dy figurave më të njohura nga Shqipëria në botën e sotme, ish-diktatorit Enver Hoxha dhe shkrimtarit të shquar Ismail Kadare, për të cilin, ambasadori amerikan disa herë përmendin faktin që ishte takuar me të. "Është një privilegj i madh të jem këtu në këtë qytet historik, ku shpresoj që sot të hedhim një hap të vogël në historinë e madhe. Mendoj se po të hedhim një vështrim në të kaluarën e Gjirokastrës, vëmë re se sa rol të rëndësishëm ka luajtur ky qytet në aspektin shoqëror, social dhe kulturor të Shqipërisë. Kam pasur privilegjin të takoj një bir të nderuar të Gjirokastrës, Ismail Kadarenë, dhe sot shoh se çfarë i ka dhënë frymëzimin veprave të tij të shquara dhe sigurisht po i referohem novelës ‘Kronikë në gur‘, që është njëra prej novelave më të preferuara për mua". Këto ishin fjalët e para që artikuloi ambasadori amerikan në Gjirokastër.

Pasditen e së hënës, ai, së bashku me bashkëshorten Maryruth Coleman, që e shoqëronte gjatë vizitës së parë në qytetin jugor, kanë ndjekur në kinoteatrin "Zihni Sako" shfaqjen teatrale "Romeo dhe Zhuljeta" të Shekspirit, interpretuar në gjuhën angleze nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Naim Frashëri". Pas shfaqjes, ambasadori Ëithers u ngjit në skenë dhe takoi një për një aktorët e vegjël dhe u shprehu atyre përshtypjet e tij për interpretimin dhe sidomos zotërimin e mrekullueshëm të gjuhës angleze nga fëmijët gjirokastritë. "Jam vërtet i impresionuar nga zotërimi masiv dhe i përkryer i gjuhës angleze, jo vetëm në Gjirokastër, por në krejt Shqipërinë. Anglishtja është një gjuhë e vështirë, por anglishtja e shqiptarëve është e përkryer dhe kjo gjë gjithmonë më ka habitur vazhdimisht, do të rishprehej ambasadori Ëithers një ditë më pas, gjatë takimit me një grup nxënësish dhe mësuesish të kësaj shkolle. Pasditen e ditës së parë, pasi është takuar me kryebashkiakun Flamur Bime dhe prefektin Spiro Ksera, ai ka vizituar Muzeun Etnografik të qytetit, të vendosur në ish-shtëpinë e udhëheqësit komunist shqiptar, Enver Hoxha. Gjatë vizitës në këtë muze, ambasadori Ëithers tregoi interes për objektet etnografike të ekspozuara dhe historinë e Gjirokastrës, ndërkohë që hyri edhe në odën e shtëpisë ku ruhen disa objekte të familjes së ish-diktatorit Enver Hoxha.

Pa asnjë dyshim, pjesa më e bukur e vizitës së ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, John L. Ëithers, ka qenë ajo në ambientet e shkollës 9-vjeçare "Naim Frashëri", e cila gjatë tre viteve të fundit është cilësuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si "institucioni arsimor më i suksesshëm" në jug të vendit, për shkak të infrastrukturës moderne në procesin e mësimdhënies. Gjatë qëndrimit në këtë shkollë, që zgjati rreth dy orë, ai, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja, janë takuar me nxënës dhe mësues. Me nxënësit e klasës së pestë Ëithers ka bashkëbiseduar lirshëm në gjuhën angleze, duke rrëfyer si një mësonjës i vërtetë ngjarjet e përrallës së njohur e të dashur për fëmijët "Borëbardha dhe shtatë xhuxhët". Më pas, ka hyrë në klasën e nëntë të kësaj shkolle, me të cilët komunikoi në gjuhën angleze për zotërimin e së cilës ai i falënderoi në mënyrë të përsëritur. Aty Ëithers dorëzoi Flamurin Kombëtar Shqiptar për nxënësen që ishte shpallur "Flamurtarja e shkollës" dhe i dorëzoi stafit certifikatën "Shkolla më e Suksesshme për vitin 2008", dhënë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kur nga nxënësit e kësaj klase mësoi se edhe vetë ministri aktual i Arsimit, Fatos Beja, ka mësuar në këtë shkollë, ambasadori kërkoi nga nxënësit që të formonin "qeverinë" e së ardhmes së Shqipërisë, duke i përzgjedhur "ministrat" nga nxënësit e kësaj klase. "Ju jeni e ardhmja që do ta çoni këtë vend drejt progresit dhe zhvillimeve bashkëkohore, aq të domosdoshëm për këtë vend, prandaj ju ftojmë që këtu të nisim të formojmë një "qeveri" të së ardhmes së Shqipërisë", shtoi ambasadori i SHBA-së. Stafi i mësuesve i dhuroi ambasadorit një fotografi me pamje nga shkolla e tyre.

Orët e tjera të vizitës së Ëithers në Gjirokastër vijuan me vizita në kështjellën e qytetit, në Muzeun e Armëve, nëpër sokakët e gurtë dhe shtëpitë karakteristike të qytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›