Withers, përplasjet dyvjçare me Berishën
Ambasadori i SHBA-së, John Withers, u konfirmua nga Senati si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, më 28 qershor 2007, por marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Berisha kanë pësuar plasaritje direkt pas katastrofës së Gërdecit. Dy ditë pas tragjedisë, ambasada me anë të një deklarate publike ka sqaruar pozicionin e saj rreth aludimeve se në Gërdec ishin përfshirë kompani amerikane. Në fillim të prillit, ambasadori ka deklaruar për ftesën e anëtarësimit në NATO dhe rolin që luajti opozita e drejtuar nga Edi Rama, duke thënë se ky hap nuk vjen si sukses ekskluziv i qeverisë. Reagimin e Ramës pas tragjedisë së Gërdecit ambasadori Withers do ta cilësonte një veprim prej “burri shteti”. Brenda të njëjtit muaj kryediplomati i SHBA-së në Tiranë, gjatë një takimi me Kryeprokuroren, Ina Rama, deklaroi se “dua të shpreh mbështetjen time të plotë për një hetim tërësor, të gjithanshëm dhe të paanshëm për shpërthimin e Gërdecit”. Ky hetim, vijoi ai, duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë. Një muaj më vonë, ambasadori lëshon “predhën” e radhës për mazhorancën, teksa thotë se “zyrtarët nuk duhet të përdorin ndikimin për të mbrojtur miqtë apo të afërmit dhe nuk duhet të përdorin pushtetin politik për të ndryshuar rrjedhën e drejtësisë”. Ambasadori i SHBA-së, Xhon Withers, ka dalë sërish përballë mazhorancës në kohën e rrëzimit të gjashtë dekreteve të Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë, nga ana e mazhorancës. “Kjo është shqetësuese dhe unë mund të arrij vetëm në përfundimin se deputetët përdorën detaje teknike në ligj për të anashkaluar, madje rrëzuar frymën e parimeve demokratike”, deklaroi Withers pas votimit. Më pas, ambasadori i SHBA-së në Tiranë ka vazhduar në disa deklarata të tjera kritike ndaj mazhorancës në lidhje me sulmet ndaj kryeprokurores së Republikës. Zgjedhjet e 28 qershorit sollën një periudhë qetësie ku nuk pati fërkime të forta, të cilat kanë nisur pikërisht në fillim të vitit 2010. Ambasadori Withers ka dalë në një qëndrim publik në muajin mars kur mazhoranca miratoi ligjin e ri për Shërbimin Informativ Kombëtar, i cili parashikonte largimin e kreut të këtij institucioni dhe një varësi të kreut të qeverisë. “Ndiejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar”, tha Withers. Në majin e vitit 2010, kryediplomati i Uashingtonit në Tiranë, ka hedhur një kritikë të ashpër ndaj qeverisë, duke e cilësuar si përgjegjëse të një krize të rëndë. “Kriza aktuale është diçka më e thellë, besoj se është krizë e qeverisjes”, deklaroi ambasadori amerikan në Tiranë. Realisht, kjo deklaratë përbënte një qëndrim progresiv të performancës së ndërkombëtarëve ndaj zhvillimeve politike në vend. Por telashet për Kryeministrin Berisha me emrin e amerikanit nga Bostoni nuk kanë të sosur. Në muajin maj, ambasadori Withers kritikoi ashpër rrëzimin nga mazhoranca të kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën e Lartë. “Mënyra dhe mungesa e transparencës në rrugën se si u arrit ky vendim janë befasuese”, deklaroi ai.
#