Wollfarth: Arsimi ndryshon të ardhmen e romëve
UPDATE- Arsimi është instrumenti thelbësor për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit Rom brenda shoqërisë shqiptare. Kështu është shprehur kreu i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth në vigjilje të 8 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Përmes shkollimit të mirë fëmijët Romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për ti hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike, tha Ambasadori Wollfarth.
Braktisja në përqindje të lartë e shkollës nga fëmijët rom, mbetet një shqetësim i madh për ne sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të Romëve, shprehet më tej Wollfarth.
Nevojitet zbatimi i plotë i Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom, si dhe i angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve Romë me libra falas, shtoi ai.
Lidhur me arsimin, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për ti pajisur fëmijët Romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë ndër të tjera libra dhe kompjuterë.