Kuvend, përkujtohet 15-vjetori i vdekjes së Nënë Terezës

Parlamenti shqiptar ka organizuar sot një seancë përkujtimore me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së misionares së madhe Nënë Tereza.
Seanca homazh, është zhvilluar në prani të deputetëve, kryeministrit, përfaqësuesve të fesë, e të tjerë të ftuar. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, në sallën e Kuvendit është shfaqur edhe një reportazh me fotografi të marra nga aktivitetet dhe takimet e Nënë Terezës.
Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka kujtuar veprimtarinë e madhe të misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhi. “Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë do të kujtohen burrat dhe gratë që lindën kombin dhe Gonxhe Bojaxhiu është një prej tyre” tha Topalli.
Ndërsa në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se në këtë 15 vjetor të ndarjes së Nënë Terezës nga jeta dhe kalimit në përjetësi, çdo shqiptar përulet para saj me nderimin më të madh për të.
"Ne përkujtojmë nënën, motrën, gruan që pas Shën Mërisë është dhe mbetet gruaja më e njohur, më e dashur, më fisnike e krishtërimit dhe njerëzimit. Zoti i dha kombit dhe njërëzimit një simbol kaq të fuqishëm të moralit dhe përkushtimit njerëzor” tha Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi se është nder që Nënë Tereza është shqiptare dhe se nuk e mohoi asnjëherë origjinën e saj megjithëse diktatura e cilësoi atë si rrezik kombëtar.
"Kombi në këtë 100-vjetor pa Nënë Terezën do të ishte jetim. Ajo kurdoherë ishte krenare për kombin e saj" theksoi kryeministri.
Më 5 shtator 1997, zemra e Nënë Terezë pushoi së rrahuri. Trupi i saj u varros në Shtëpinë e Misionarëve të Bamirësisë,në Kallkutë të Indisë. Varrin e saj e vizitojnë shumëpersona nga e gjithë bota,duke e respektuar veprën e madhe të saj.
vijon...