Kunati i Bashës dhe partneri i tij, pas biznesit të mbeturinave. Fabrika, pa leje mjedisore

Erion Isufi (Kunati) dhe Dionis Teqja
Oliver Shtylla, menaxheri i kompanisë Megatek, pronar i së cilës është partner në çdo biznes të kunatit të Lulzim Bashës, ka marrë përsipër kompaninë që po mbledh mbetjet plastike në Tiranë.
Kjo kompani që po futet në biznesin e riciklimit të mbetjeve, është lidhje direkte e çiftit Teqja Isufi, përkatësisht pronarë të Megatek-ut dhe kunati i Lulzim Bashës, të cilët kanë drejtuar gjithë operacionin për mbledhjen e mbetjeve plastike në Tiranë dhe që kanë hyrë në konflikt me komunitetin romë.
Të njëjtët biznesmenë kanë dhe biznesin e tubave plastike në një fabrikë riciklimi në Tiranë, që prodhojnë tuba për ujëra të zeza dhe kanalizime.
Pra, praktikisht ky është një biznes i kunatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe partnerit të tij në çdo biznes, Dionis Teqja, pronar i Megatek.
Fabrika, pa leje mjedisore
Fabrika e ngritur në territorin e komunës Vaqarr, e cila merret me përpunimin e mbetjeve ushtron aktivitetin pa u pajisur më parë me leje mjedisore.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës, akuzojnë kreun e Bashkisë Lulzim Basha se u hoqi të drejtën romëve të mblidhnin mjete të riciklueshme, me qëllim për të favorizuar një kompani, e cila vetëm para pak kohësh është regjistruar pranë QKR-së.
Plehrave u doli tymi, gazetarë të pavarur të gazetës “Idea” kanë kryer një investigim të pavarur, mbi denoncimet e bëra pak javë më parë. Monopoli i mbetjeve, si një strukturë e tipit mafioz është ndërtuar tashmë në Tiranë. Zoti Basha, duhet t’u përgjigjet qytetarëve të Tiranës, cila është firma që mbrohet natë e ditë nga uniformat e Bashkisë? Cili është pronari i vetëm që kontrollon këtë biznes, duke goditur shtresat që jetojnë në varfëri të thellë? A e ka lejen mjedisore? Ministria e Mjedisit të japë përgjigje për këtë çështje, tha Aldrin Dalipi, kreu i këshilltarëve socialistë në Bashki.
Sipas Dalipit, Bashkia e Tiranës i ka dhënë kësaj kompanie, pas të cilës nuk dihet kush fshihet,të drejtën të shfrytëzojë mbeturinat që nëpërmjet firmave të pastrimit i depoziton në Sharrë.
Këshilltarët kërkojnë shpjegime se përse është dhënë pa tender shfrytëzimi i mbetjeve, pasi në treg ka dhjetëra kompani biznesi riciklimi dhe mbi të gjitha një kompanie pa leje mjedisore.
Si fillim u hoqën romët që bënin selektimin e mbetjeve në Sharrë, të cilat më pas i shisnin. Por nuk mjaftoi me kaq, pasi pak më vonë romët nuk u lejuan t’i grumbullojnë as nëpër kazanë nëpër Tirane me qëllim që mbetjet të vihen në dispozicion të kësaj kompanie e të selektohen nga punëtorët e saj në landfill.