E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wollfarth: Inkurajues progresi i Shqipërisë për ruajtjen e sigurisë në pikat kufitare

29-06-2012 / Gazeta 55

OSBE i dhuron Policisë lexues optikë për pasaportat biometrike
 
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i ka dhuruar Policisë së Shtetit dhjetë pajisje optike për leximin e pasaportave biometrike , me qëllim ruajtjen e sigurisë në pikat e kalimit kufitar në prag të sezonit turistik ku edhe fluksi është shumë i madh.
Në ceremoninë e dorëzimit, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, kreu i OSBE-së u shpreh se policia e kufirit dhe e migracionit kanë rol thelbësor për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që bashkëpunim ndërkufitar lind natyrshëm nga siguria e kufirit.
Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, evidentoi ndihmën e vazhdueshme dhe mbështetjen permanente që Prezenca e OSBE-së në Tiranë i ka ofruar në vijimësi institucionit të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të saj, si dhe rëndësinë e donacionit të sotëm. “Veçanërisht i rëndësishëm ka qenë kontributi i Prezencës së OSBE-së dhe përfaqësuesve të saj në Shqipëri për reformimin e Policisë së Shtetit, hartimin e përmirësimin e legjislacionit, trajnimin e oficerëve të policisë, si dhe akordimin e pajisjeve të ndryshme logjistike”, tha Burgaj.
Ai bëri të ditur se donacioni i radhës përbëhet nga 10 lexues optikë të pasaportave biometrike.
“Mendoj që është në kohën e duhur dhe në shërbim të plotë të qytetarëve shqiptarë, të përmirësimit të cilësisë së shërbimit policor nga policia e kufirit dhe sigurisht do të jetë një nga kontributet më të mira për të hequr dhe minimizuar kohën e qëndrimit në kufi”, u shpreh Burgaj.
Ndërkohë Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, e cilësoi këtë aktivitet një shembull të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe Policisë së Shtetit, dhe duke ju referuar rëndësisë së donacionit të kryer gjatë ditës së sotme theksoi se, “garantimi i duhur i sigurisë së kufirit kërkon profesionistë të përkushtuar me mbështetjen dhe kapacitetet e nevojshme operacionale. Edhe ndihma e ofruar nga teknologjitë e avancuara është thelbësore në ditët e sotme për një menaxhim modern të kufirit, për t’i bërë ballë kërcënimeve të shumta si krimi i organizuar, duke mundësuar njëkohësisht progresin njerëzor dhe ekonomik që buron nga lëvizja e lirë dhe e sigurt e njerëzve dhe mallrave”. “Në të vërtetë OSBE është themeluar mbi parimin e bashkëpunimit mbi sigurinë. Kjo shpjegon brendësinë e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje dhe shërben për të rritur besimin dhe për ta bërë më të sigurt jetën e qytetarëve që respektojnë ligjin”, u shpreh ambasadori Wollfarth, i cili theksoi se është bërë progres i dukshëm në Shqipëri dhe disa vende të rajonit. “Kemi parë progres të dukshëm mes Shqipërisë, Malit të zi dhe Maqedonisë. Ne i përgëzojmë dhe inkurajojmë këto përpjekje të përbashkëta, sepse ato kanë rëndësi të madhe. Shkëmbimi i informacionit dhe praktikave të mirave sjellin siguri të madhe për të gjithë ne”, vijoi më tej ai.
Duke e konsideruar menaxhimin e kufirit thelbësor për menaxhimin rajonal, i cili ka të bëjë me lirinë e qytetarëve, Wollfarth tha se ndihma e ofruar është thelbësore për menaxhimin kufirit për të për të mundësuar progresin ekonomik që buron nga lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave.
Nga ana e tij drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj falënderoi OSBE-në për ndihmën permanente që i ka dhënë policisë së Shtetit, si përfituese e drejtpërdrejtë e donacioneve të saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›