Wollfarth: Komisioni, fillim i mbarë për refomën zgjedhore
Kreu i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth e ka cilësuar fillim të mbarë takimin e parë të komisionit për reformën zgjedhore. Në një prononcim për mediat , ambasadori Wollfarth ka theksuar se shpreson se reforma zgjedhore të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.
"Takim i parë dhe dinjitoz i komisionit për reformën zgjedhore. Kryetarja e kuvendit e bëri të qartë se do të kenë ndihmën e nevojshme. Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm, anëtarët dhe ekspert teknikë duhet të përgëzohen në këtë punë që shpresojmë të çojnë në hartimin e kodit zgjedhor"- tha ambasadori pas takimit.
Sipas tij, prezenca e OSBE/ODIHR-it e kanë pritur me padurim këtë ditë të konstituimit të komisionit të reformës, ndërsa shtoi se është mjaft e rëndësishme që punimet e komisionit nisën menjëherë pas festimeve të Pavarësisë dhe Çlirimit.
"Meqenëse zgjedhjet janë të lidhur direkt me demokracinë është shumë e rëndësishme që e pamë këtë zhvillim pas këtyre ditëve. Orientimet më të rëndësishme janë vendosur nga raportet e OSBE/ODIHR-it, kështu që orientimet janë aty, për një punë të mirë për rezultate të shpresojmë në fillim të vitit të ardhshëm" ka theksuar Wollfarth.
Ndërsa bashkëkryetari i këtij komisioni Damian Gjiknuri deklaroi për mediat se në mbyllje të takimit, u zgjodhën ekspertët që do të identifikojnë gjithçka të nevojshme për të vijuar më tej punën në tryezë për kryerjen e reformës zgjedhore.
Sipas tij sot në komision u diskutua vetëm për çështjet teknike dhe jo në ato konkrete. “E rëndësihme është që filluam nga puna. Kur ka vullnet mund të ketë edhe zgjidhje” ka theksuar Gjiknuri.