E Shtunë, 31 Tetor 2026

McIlwham: Komisioni, me rëndësi për procesin e integrimit

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë Fiona McIlwham ka vlerësuar si jetike punën e komisionit për reformën zgjedhore. Në një deklaratë për shtyp, Ambasadorja britanike ka theksuar se puna e komisionit është tepër e rëndësishme për të çuar përpara procesin e integrimit në Bashkimin Europian si dhe për demokracinë në Shqipëri.
 

“Deputetët e përfshirë në këto grupe, si edhe kryetarët e partive të tyre kanë tani një mundësi të rëndësishme për të provuar që skeptikët e kanë gabim; dhe për t`i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe publikut shqiptar se ata janë të angazhuar për reformat demokratike” thekson McIlwham.

Por ambasadorja britanike ka theksuar se fotot e rastit, shtrëngimet e duarve apo fjalët nuk do të mjaftojnë për procesin e integrimit pasi nëse Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat duhet një progres urgjent dhe të besueshëm në këto reforma kyçe.
 

“Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta shohë Shqipërinë të ecë përpara me integrimin në BE në muajt e ardhshëm. Ne jemi të gatshëm të mbështesim me asistencë teknike punën e këtyre grupeve të reformave, por vetë shqiptarët duhet të drejtojnë procesin. Jam e inkurajuar nga ajo çfarë pashë sot" përfundon ambasadorja britanike

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›