E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja si do të veprojë KQZ pas vendimit të kolegjit

Politika dhe qytetarët do të rikthejnë sytë sërish te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Do të jetë ky institucion që do të zbatojë vendimin e marrë prej Kolegjit, duke i dhënë rrugë tanimë finalizimit të procesit zgjedhor, për caktimin e kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. KQZ është në pritje të vendimit të zbardhur të Kolegjit, ku t’i specifikohet konkretisht ajo çka duhet të bëjë për të konsideruar të gjitha fletët e votimit të kontestuara dhe të hedhura në kutinë e gabuar. Në vendimin e tij, Kolegji kërkon një hetim të mëtejshëm të çështjes, për të shkuar më tej, me hapjen edhe të kutive të tjera, të cilat nuk janë hapur nga KQZ deri më tani. Fillimisht do të duhet të ngrihen disa grupe numërimi votash në institucionin e menaxhimit të zgjedhjeve. Parashikohet se do të procedohet me hapjen e të gjitha kutive, sikundër përcakton vendimi i Kolegjit, do të vlerësohen të gjitha fletët që nuk janë hedhur në kutinë e duhur, do të numërohen ato dhe do të tabulohen në tabelën përmbledhëse për kryetarin e Bashkisë Tiranë. Siç thotë edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ky institucion “do të kërkojë për fletët e vlefshme të votimit, kudo ku ato janë ndodhur, si në zarfin e fletëve të pavlefshme, ashtu dhe në atë të fletëve të votimit të kontestuara”. Në këtë formë do të mund të sheshohen paqartësitë që kanë ekzistuar te KZAZ-të gjatë zhvillimit të procesit të numërimit të votave. Për të shkuar te hapja e kutive do të duhet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kërkojë shënime përkatëse në procesverbalet e mbajtura nga anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe grupet e numërimit të votave. Ajo çka mbetet ende në pikëpyetje ka të bëjë me trajtimin e votave të hedhura në kutinë e gabuar, të ndodhura në zarfin e votave të pavlefshme, por për të cilat nuk ka pasur shënime dhe kontestime. Për diçka të tillë do të duhet të pritet zbardhja e vendimit të Kolegjit, çka do sqarojë nëse urdhërohet apo jo KQZ ta kryejë këtë veprim e ti numërojë ato vota. Ekspertë të mazhorancës sqarojnë se edhe pse hapet zarfi i fletëve të pavlefshme, mund të numërohen vetëm ato fletë për të cilat ka shënim dhe jo ato për të cilat nuk ka pasur kontestime. Sipas juristëve të PD, thënë më thjeshtë KQZ do të vazhdojë hetimin e kryer deri tani me kutitë e votimit. Por problemi qëndron në faktin se deri më 14 maj, kur u përmbyll numërimi në njësinë KZAZ nr.49, fletët e hedhura në kutinë e gabuar ishin cilësuar konsensualisht si të pavlefshme dhe ishin futur në zarfin përkatës. Pavarësisht se Kolegji Zgjedhor e ka hedhur poshtë pretendimin e socialistëve për mospërputhje shifrash, në numrin e votuesve dhe atë të fletëve të votimit të gjetura në kuti, procesi që do kryhet në KQZ ka pak gjasa të mundësojë rakordimin e shifrave. Kodi Zgjedhor përcakton se fletët e votimit ndahen mbi tryezën e punës në vende të caktuara dhe të veçanta në grupime të votave për çdo subjekt zgjedhor, në vota të pavlefshme dhe vota të kontestuara. Në përfundim të numërimit të fletëve të votimit për çdo kuti votimi, Grupi i Numërimit rivlerëson fletët e votimit të kontestuara. Në rast se edhe pas rivlerësimit ka fletë votimi të kontestuara, numëruesi i parë ose çdo anëtar thërret KZAZ-në për vlerësimin e votave të kontestuara të asaj kutie. KZAZ-ja bën vlerësimin në çast të secilës fletë votimi të kontestuar dhe merr vendim në lidhje me të. Rezultati i shpallur nga KZAZ-ja shënohet në librin e protokollit të KZAZ-së dhe përfshihet në tabelën përkatëse të rezultatit të qendrës së votimit që harton grupi i numërimit të votave. Për secilën fletë të kontestuar, në pjesën e prapme të saj, numëruesi i parë i Grupit të Numërimit shënon qartë arsyet e kontestimit. Për votat e kontestuara mbahet një procesverbal i veçantë, sipas modelit të përcaktuar me vendim të KQZ-së, në të cilin pasqyrohet numri i përgjithshëm i fletëve të votimit të kontestuara për QV-në përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›