Wollfarth:Demontimi i armëve me rëndësi për sigurinë

Kryetari i Prezencës së Ambasadori OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka deklaruar se mbështet angazhimin e qeverisë për demontimin e municoneve në Shqipëri.
Gjatë një vizite në fabrikën ushtarake në Mjekës të Elbasanit, ambasadori Wollfarth theksoi se përfundimi i procesit të shkatërrimit të municionit të tepërt deri në 2013-ën, është me rëndësi për sigurinë e njerëzve në vend.
"Kimikatet e rrezikshme, municionet e vjetra dhe armët e vogla, për aq kohë sa ato ekzistojnë, janë një rrezik i vazhdueshëm për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. Procesi i demontimit përforcon paqen dhe sigurinë në Shqipëri, në rajon dhe më gjerë, dhe ne jemi të angazhuar për të mbështetur autoritetet në këtë proces” theksoi ambasadori.
Ambasadori Wollfarth gjithashtu ka theksuar se OSBE-ja është e angazhuar për të rritur sigurinë e punonjësve të uzinës së Mjekësit.
"Është e rëndësishme të sigurohet që punëtorët të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në kushte sa me të sigurta të mundshme, dhe ne jemi të lumtur për të kontribuar në rritjen e sigurisë për punonjësit e fabrikës ", tha Wollfarth.
Ambasadori Wollfarth gjithashtu kërkoi më shumë mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes në shkatërrimin e armëve të vogla.
“Pas shpërthimit vdekjeprurës në Gërdec në vitin 2008, OSBE-ja ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurtë municionet e tepërta dhe kimikatet e rrezikshme” ka shtuar më tej ambasadori Wollfarth.
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth është shoqëruar gjatë vizitës në uzinën e Mjekësit në Elbasan nga Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ku ka dhuruar 7 kamera sigurie, një video regjistrues dhe një monitor.