Xega: Topi e di ku janë pikturat, nxirreshin pa procesverbal
Korçë- Ish-përgjegjësi i arkivave të Galerisë së Arteve, Sotiraq Xega, bën me përgjegjësi drejtorin e qëndrës kulturore Vangjush Mio, Vladimir Topin, për humbjen e pikturave sepse sipas tij veprat e artit hynin dhe dilnin nga galeria pa procesverbal dhe drejtori ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve.
Sipas Xegës fakti që drejtori Topi nuk po reagon dhe që mbi të gjitha vijon të qëndrojë në atë post, tregojnë se ai është në dijeni se ku kanë përfunduar pikturat.
Ish- përgjegjësi i arkivave rrëfen se piktorët nxirrinin vazhdimisht piktura nga galleria për t’i restauruar dhe këtë e bënin pa procesverbal. Gjendja e keqe e ambjentit ku ruhej fondi por edhe lagështira e tepërt kanë sjellë një dëmtim masiv të pikturave.
Nisur nga ky fakt por edhe sepse kostoja për restaurimin e këtyre veprave është më e lartë sesa vlera e rregjistruar në inventar, restaurimi në kryeqytet nuk është realizuar ndërsa sipas Xegës vetë drejtori i qendrës kulturore Vangjush Mio ,Vladimir Topi ka sugjeruar që ato të restaurohen nga autorët e tyre.
Xega pohon se asnjë nga këto vepra nuk është shoqëruar me dokumentacionin përkatës, por u janë dhënë në mirëbesin autorëve. Ai mohon të ketë dijeni për vendodhjen e pikturave por aludon se persona të tjerë mund të kenë dijeni dhe se ato piktura janë marrë nga dikush që ka njohuri nga arti dhe di vlerën reale të tyre.
Xega hedh akuza të forta edhe për administratorin e fondit ku sipas tij aktualsiht është një person që nuk ka lidhje me pikturën dhe është i paaftë për tu kujdesur për to.
Hetimet po vijojnë nga policia e Korcës, për vendodhjet e mundshme të pikturave duke bërë kërkime në vend ku mund të jetë bërë restaurimi i mundshëm i tyre.
/IDEA/