E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në mobilieri, 500 mijë USD dëm nga motori

Zjarri i rënë te mobileria në rrugën 5 Maji

Një shkëndijë elektrike dyshohet se ka qenë shkak i zjarrit që shkrumboi punishten e drurit në rrugën 5 Maji në Tiranë, duke dëmtuar edhe tri banesa aty pranë mbrëmjen e së shtunës. Sipas këqyrjes paraprake të kryer ditën e djeshme dyshohet se vatra e flakëve ka qenë një shkëndijë elektrike nga një elektromotor që ndodhej në pjesën perëndimore të punishtes. Ndërkohë, sipas vlerësimeve paraprake, rreth 500 mijë dollarë llogaritet të jenë dëmet materiale. Punishtja e djegur ishte një aktivitet 15-vjeçar i pronarit, që shërbente për prodhimin e mobilieve. Nga vlerësimi paraprak i kryer ka dalë se në mobilieri ka pasur edhe mungesë të masave kundër zjarrit. Ekspertë të zjarrfikësve dhe punonjësit e Policisë së Komisariatit Nr. 4, pas punës që kryen dy ditë më parë deri në shuarjen e zjarrit, dje deri në mesditë vijuan hetimet për sqarimin e plotë të shkaqeve të zjarrit të fuqishëm që rrezikoi edhe banesat përreth. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, kur flakët e përmasave të mëdha ranë në punishten e drurit në rrugën 5 Maji. Veç shërbimeve zjarrfikëse të Tiranës, u mobilizuan në operacion edhe shërbimet zjarrfikëse të Fushë-Krujës, Durrësit, Ushtrinë, forcat RENEA dhe shërbimet e Policisë së Rendit. Flakët arritën një lartësi mbi 10 metra, ndërsa lënda e parë, si ajo drusore dhe lëndët kimike që përdoreshin në punishte, e vështirësonin së tepërmi shuarjen e flakëve. Edhe gjatë mesditës së të dielës vatrat e zjarrit vazhdonin të ishin të aktivizuara nga brenda, por pa paraqitur rrezik. Fatmirësisht situata e rëndë e zjarrit nuk shkaktoi viktima në njerëz, ndërsa personi që mbeti i asfiksuar dy ditë më parë nga tymi, në përpjekje për të ndihmuar policinë e zjarrfikësit, mësohet se mëngjesin e djeshëm ka dalë nga spitali dhe shëndeti i tij është stabilizuar. Burime nga Policia dhe zjarrfikësit thanë dje se raporti përfundimtar i hetimeve ende nuk ka dalë. Por, paraprakisht është përcaktuar si shkak i ngjarjes një shkëndijë elektrike në një elektromotor, i cili nga amortizimi nuk ka funksionuar siç duhet. Mësohet se vatra e zjarrit është gjetur pikërisht në pjesën e punishtes ku ndodhej elektromotori. Por, Policia po verifikon edhe rregullat e sigurimit teknik, nëse kanë qenë apo jo në kushte optimale, si dhe ka konstatuar se punishtja nuk ka pasur masa mbrojtëse kundër zjarrit.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›