E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaçka: Aksidentet bilanc lufte, policia asnjë masë

Duke përmendur të dhënat e Policisë së Shtetit për aksidentet dhe viktimat, deputetja socialiste, Olta Xhaçka është shprehur se nuk ka masa të marra në këtë drejtim.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar nga Ministria e Brendshme që të lëvizin menjëherë të sigurojnë jetën e shqiptarëve, në rrugë, në punë e kudo, duke marrë masa efektive sipas shembujve të të gjithë vendeve të zhvilluara.

“Nuk është hera e parë që Shqipëria përballet me një bilanc të tillë tragjik gjatë sezonit veror, megjithatë si çdo vit tjetër ka një mungesë të theksuar masash për të parandaluar aksidentet e humbjen e jetës. Theksojmë edhe njëherë se shtimi i efektivave të policisë në rrugët e vendit është vetëm një nga masat që duheshin ndërmarrë”, u shpreh ajo, duke shtuar se masa të tjera janë përmirësimi i sinjalistikës rrugore, riparimi i rrugëve si dhe përgatitja e një plan veprimi gjatë sezonit veror.

“I i bëjmë thirrje Z. Basha të dalë menjëherë në terren për të analizuar e mbikëqyrur masat që po merren për të kufizuar bilancin tragjik në rrugë, për të kursyer humbjen e jetëve të bashkëqytetarëve tanë e për të mos ia nxirë vendit imazhin siç kemi bere deri me sot. Gjithashtu, duam t'i bëjmë thirrje policisë së shtetit të vihet menjëherë në lëvizje për të zbardhur incidentin e pardjeshëm, ku sipas mediave të ndryshme raportohet se disa punonjës të policisë së shtetit kanë dhunuar katër qytetarë duke ju kanosur me armë”, përfundoi deklaratën deputetja e selisë rosë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›