E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhaçka takon homologun ukrainas në Berlin: Do bëjmë gjithçka që lufta të përfundojë, e ardhmja jonë në BE

Shqipëria do të bëjë gjithçka ka në dorë në Këshillin e Sigurimit në OKB për të ndaluar luftën në Ukrainë. Ky ishte premtimi që Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka i ka bërë homologut të saj ukrainas, Dmytro Kuleba gjatë një takimi të tyre në Berlin ku ndodhen për të marrë pjesë në mbledhjen e NATO-s. Gjatë takimit Xhaçka dhe Kuleba kanë ndarë mendimin se Ukraina dhe Ballkani e kanë të ardhmen e tyre në BE.

“Në Berlin, në një diskutim të sinqertë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba. Ndamë të njëjtin mendim se si Ballkani Perëndimor, ashtu edhe Ukraina meritojnë një perspektivë të qartë evropiane. E sigurova për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të izoluar Rusinë dhe të ndihmojmë në ndalimin e luftës” shkruan Xhaçka.

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ndodhet në Berlin ku do të marrë pjesë në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të NATO-s. Fokusi kryesor i diskutimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s do jetë mbi pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe ndikimet e këtij agresioni mbi sigurinë e vendeve të NATO-s. Në takim do të diskutohet edhe  kërkesat për anëtarësim në NATO të Finlandës dhe Suedisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›