Xhafa: Berisha po mban peng integrimin e vendit

Partia Socialiste ka reaguar sërish sot pas shtyrjes së shqyrtimit të paketës së saj për ndryshimet kushtetuese nga Këshilli i Legjislacionit. Në një konferencë për shtyp, sekretari i çështjeve ligjor në PS Fatmir Xhafaj ka akuzuar kryeministrin Berisha se po mban peng integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Çudia e opozitës është shtyrja e nismës nga deputetët e mazhorancës me arsyetimin se u duhet kohë e mjaftueshme që të njiheshin me projektin. Kërkuan kohë për shqyrtimin e paketës kur një ditë më parë e kishin cilësuar si paçavure. Kërkuan kohë ata që prej ditësh e kanë pasur në dorë projektligjin por si ushtar të bindur të kryeministrit votojnë ligjet që kanë ardhur në parlament të hënën dhe i votojnë të enjten. Ata që çirren për imunitetin, për integrimin, për afatet që po ikin sigurisht pas shtyrjes së paketës së PS-së nuk kanë më të drejtë të bërtasin se ditët po ikin dhe imuniteti nuk po miratohet. Kryeministri nuk duhet të drejtojë më gishtin nga opozita se po bllokon. Kryeministri nuk e do realisht kufizimin e imunitetit. Bashkimi Europian nuk mund ta pranojë këtë përqendrim të pushtetit. Berisha ka si qëllim të kontrollojë institucionet e pavarura të drejtësisë", u shpreh Xhafa.
Xhafa tha gjithashtu se PS-ja ka paraqitur një axhendë të saj mundësonte që nisma e saj të shqyrtohej deri më datën 15 shtator dhe të miratohej së bashku me imunitetin deri në 30 shtator por kjo nuk u pranua nga mazhoranca.
"Berisha i tha jo propozimeve të PS-së. Kryeministri i tha jo paketës tonë duke i thënë jo nevojës reale në fushën e drejtësisë. Kryeministri i tha jo ofertës publike dhe konkrete për bashkëpunim dhe konsensus në të mirë të reformave që i nevojiten shqiptarëve” shtoi Xhafaj.