Berisha: Përgjigjen për Tiranën, Rama do ta marrë nga Basha
Kryeministri Sali Berisha u shpreh i sigurt në fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, në zgjedhjet e ardhshme lokale. Duke iu referuar Ramës, Berisha tha se PD-ja nuk do të ecë në fushatë me klishetë e armikut
TIRANË Teksa i dha fund leximit përfundimtar të listës emërore për kryetarë komunash dhe bashkish në 12 qarqet e vendit, Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, në fillim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar se, PD-ja po shkon e sigurt në fitore. “Ne shkojmë të sigurt në fitore, sepse ne kemi në zbatim e sipër qindra e qindra projekte në të katër anët e vendit dhe ne do të hartojmë mijëra projekte të tjera, për të investuar gjatë katër viteve që vijnë, katër herë më shumë sesa në periudhën që kaloi, në katër vitet tona. Katër vitet që vijnë, në këtë debat dhe dialog intensiv me qytetarët, ne do të identifikojmë qindra e mijëra probleme, kudo aty ku jetojnë shqiptarët...”, - tha Berisha. Kryeministri i vendit theksoi gjithashtu se fitorja e PD-së në Tiranë do të jetë e sigurt. “Unë e garantoj se në vitin 2013 do t’i duket lule viti 2009, ndërsa në 2011 përgjigjen më të plotë do ta ketë nga z. Basha”, - tha Berisha, duke shtuar se Rama preferoi ta shpallte kandidaturën në një emision televiziv nga frika se mos nuk e voton forumi i partisë. “Zoti Rama ka zgjedhur Berishën, ndërsa unë kam zgjedhur qytetarin. Zgjedhjet janë bërë. Unë do jem me qytetarët. Ky zotëri nuk ka arritur të kuptojë kurrë qytetarin dhe rolin e tij. E keqja e madhe është se më kujton shpesh një roman, në të cilin personazhi thotë se iu desh gjithë jeta që ta pësonte për të mësuar atë që i kushtoi një jetë të tërë të dështuar. Pasi humbi thellë në vitin 2007, pavarësisht se thotë fitova, se për të ka rëndësi karrigia e Tiranës, por se humbi Partia Socialiste e doli 120 mijë vota më pak, se në zgjedhjet e mëparshme, s’ka rëndësi, pasi humbi në mënyrë dëshpëruese në vitin 2009, tani na çon sfidë dhe u thotë qytetarëve ju nuk ekzistoni, për mua ekziston vetëm obsesioni im dhe ky është Berisha”, tha ai. Berisha u ndal gjatë në fjalën e tij tek beteja për Tiranën. “Fushatën e Tiranës që kandidati ynë, ish-ministri Basha, e paraqiti para qytetarëve të Tiranës, mendoj se mishëroi në mënyrën më të shkëlqyer parimet themelore apo drejtimin themelor të fushatës sonë - për qytetarin, me qytetarin! Z. Basha shpalosi alternativën më të shkëlqyer të “Aleancës për qytetarin” në këto zgjedhje, alternativë e cila do të bazohet fund e krye në interesat, në vlerat, në problemet e qytetarit; alternativë e cila do të kristalizojë vizionin më të kthjellët të zhvillimit të bashkive dhe komunave tona; alternativë e cila është pritur me interesin më entuziast nga qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, - tha ai. Duke iu referuar qëndrimit të Bashës gjatë shpalosjes së programit, Berisha tha se mazhoranca nuk do të ecë në fushatë me klishetë e armikut. “Ne kemi qejf të bëjmë publike fushatën dhe të shpallim fitoren. Ne e bazojmë atë te qytetari, te vlerat, te problematika. Dhe unë ju garantoj se do të vij në mënyrë intensive tek qytetarët tuaj, në komunat dhe bashki. Por, sigurisht, do të vij me zotimin solemn për të mbështetur kandidaturat tuaja, projektet që ato bëjnë. Unë do tu premtoj qytetarëve ato projekte që ju do të hartoni së bashku me ta”, - tha Berisha.
N.Perndoj