E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Hetimi ndërkombëtar, një propozim interesant

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste analizon krizën dhe strategjinë e opozitës

“Thyerja e bojkotit? Blushi nuk kishte pse ta deklaronte”
Ideja e hedhur nga britaniku Denis Macshane për një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit vlerësohet si propozim interesant nga Partia Socialiste. Sekretari për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, thotë në një intervistë për “Shqip” se kjo mund të jetë një mënyrë për një zgjidhje të krizës përmes një procesi të besueshëm për palët për sa i përket asaj që ka ndodhur. Xhafaj analizon bojkotin e opozitës dhe strategjinë e ndjekur deri më tani. Referuar çështjes së mandateve, Xhafaj thotë se Kryetarja e Kuvendit e ka tejkaluar momentin ligjor të parashikuar nga ligji dhe rregullorja. Referuar deklaratës së Ben Blushit, se do të hyjë në Kuvend brenda javës së parë të marsit, Xhafaj thotë se për shumë arsye nuk ka pasur nevojë për t’u bërë një deklaratë e tillë. Ai garanton se shumë shpejt do të mblidhet grupi parlamentar, duke i dhënë zgjidhje kësaj situate. Xhafaj mohon që PS të ketë kërkuar balancim në institucionet kushtetuese si opsion të zgjidhjes së krizës. Sa i takon vendimit të Kushtetueses për kufijtë ujorë, Xhafaj thotë se problemi duhet parë te pala shqiptare dhe jo te pala greke.
Zoti Xhafaj, Partia Socialiste ka mbushur katër muaj jashtë Parlamentit. A nuk është një rrugë ekstreme kjo?
PSSH i cilësoi zgjedhjet të manipuluara në rezultatin e tyre, të dhunuara në përmbushjen e standardeve dhe normave të një ligji të bashkëhartuar, vullnetin e zgjedhësve të deformuar dhe institucionet e dala prej tyre rrjedhojë e një vendimmarrjeje formale, por me legjitimitet të cunguar. Shqetësimi për çka kishte ndodhur, nevoja për të pasur një analizë të plotë të keqadministrimit të procesit dhe pasojave të ardhura prej tij, përcaktimi dhe evidentimi i përgjegjësive përkatëse dhe në rrjedhim logjik të tyre, përcaktimi i ndryshimeve ligjore e institucionale të nevojshme për të sanksionuar garancitë e domosdoshme për standardet në procesin zgjedhor, është në themel të një qëndrimi vijues të PS kundrejt institucionit themelor të demokracisë, votës. Për të realizuar një gjë të tillë, PS formuloi një sërë kushtesh politike e institucionale, me anë të të cilave kushtëzoi pjesëmarrjen e grupit të saj parlamentar në veprimtarinë normale të Kuvendit. Nëse shihen me kujdes, ato nuk janë kushte idhnake, të paragjykuara, por mundësi për një dialog të hapur politik e parlamentar. Në thelbin e tyre, ato edhe sot e kësaj dite, kanë domosdoshmërinë e hetimit parlamentar të administrimit të procesit zgjedhor përmes ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar. Mazhoranca reagoi negativisht me heshtjen apo ironizimin e tyre. Nga ky reagim mohues, kokëfortë, i artikuluar nga lidershipi politik i PD dhe LSI, opozita dhe zgjedhësit e saj, por jo vetëm, panë qartë se kjo aleancë pushtetarësh pa shtet, nuk ishte e gatshme për të realizuar transparencën e këtij procesi. Ne ritheksuam qëndrimin tonë dhe deklaruam se përmes këtij komisioni nuk synonim ndryshimin e rezultatit në tavolinë, por transparencën e procesit, përmirësimin dhe garantimin e rregullave të lojës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryeministri reagoi me arrogancën karakteristike të tij, duke përdorur keqas në disa deklarime të papërgjegjshme zëvendësin e tij në qeveri dhe zëvendësen e tij në parti. Në këto rrethana, veprimi ynë politik u formëzua si reagim ndaj shurdhërisë politike të kësaj qeverie, ndaj nevojës për të garantuar sigurinë e leximit të ndershëm të vullnetit të popullit të shprehur me votë. Mospjesëmarrja në Kuvend pa dyshim është një masë ekstreme e padëshiruar, por e detyruar. Bojkoti nuk ka qenë një zgjedhje e lirë e opozitës, as shkak për mosfunksionimin e demokracisë në këtë vend, por zgjedhje e detyruar si pasojë e mosfunksionimit të demokracisë. Fatkeqësisht, jo rrallë dhe në mënyrë të qëllimshme bëhet një gabim i rëndë. Merremi me bojkotin, që është instrumenti që tregon sëmundjen dhe nuk po merremi me vetë sëmundjen, krizën e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këtë vend. Ju me të drejtë pyesni nëse konsiderohet ekstrem ky qëndrim i opozitës parlamentare. Unë them PO, por me të drejtën që ta mbështes atë. Bazuar kjo në gjykimin se situatat ekstreme kërkojnë reagime ekstreme. Propocionaliteti është një parim i vlefshëm edhe në këtë rast. Ajo çfarë ka ndodhur me zgjedhjet e 28 qershorit është ekstreme, sepse është prekur vota e lirë. Këtë e pranojmë ne si opozitë, e ka pranuar botërisht Kryeministri i vendit, duke deklaruar se i janë vjedhur mandate konkrete, e kanë certifikuar edhe arbitrit ndërkombëtarë, duke pranuar se 1/3 e kutive të votimit janë keqnumëruar. Kjo është situatë e papranueshme në një demokraci funksionale. Trajtimi i saj kërkonte reagim politik, ligjor e institucional të shpejtë dhe efektiv nga të gjitha palët në këtë proces. Në të kundërt, mazhoranca ka adaptuar një qëndrim ekstremisht bllokues. Në këto rrethana, ne ç’duhet të bënim sipas jush, të kërkonim me përulje respektimin e ligjit, apo të shkonim në foltoren e znj.Jozefinë dhe të predikonim! Sigurisht, trashëgimia e një force politike, mbartëse e vlerave më të arrira të demokracisë, sikurse është PS, nuk mund të binte në këto nivele. Ja pse u detyruam dhe zgjodhëm rrugën më të vështirë, por një rrugë demokratike, që nuk e kemi shpikur ne dhe as zbatuar ne për herë të parë, atë të kushtëzimit të pjesëmarrjes në Kuvend, që tashmë është shndërruar në bojkot.
A mund të cilësohet e suksesshme kjo strategji e ndjekur që prej shtatorit të vitit 2009, kur askush nuk e ka përkrahur bojkotin?
Strategjia e aksionit tonë politik në çdo rast ishte dhe mbetet transparenca e plotë e procesit zgjedhor si analizë dhe përgjegjësi e asaj që ndodhi dhe përgjegjshmëri për atë çka duhet të ndodhë në të ardhmen, zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Instrumentet mund të jenë të ndryshme. Kondicionohen nga një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë. E ritheksoj, nuk ishte e dëshirueshme nga ne kjo rrugë, sepse bojkoti në vetvete nuk është sukses, nuk është një tregues që mund të shërbejë si një matës për suksesin e një force politike, por në kushtet e rrethanat për të cilat po arsyetojmë e veprojmë, duhet konsideruar si një rrugë që mund të ndihmojë në realizmin e strategjisë së përcaktuar. Në vlerësimin tim nga këndvështrimi i sotëm, mund ta konsideroj se ishte një lëvizje politike e detyruar, e domosdoshme, e cila e kombinuar edhe me protestat qytetare, ka prodhuar një aksion politik me efekte pozitive të vlerësueshme. Para së gjithash gjykoj se ky aksion politik i opozitës, bojkoti dhe protestat qytetare, kanë sjellë edhe një rezultat tejet pozitiv për demokracinë në vend. Kauza e opozitës për zgjedhje të lira ka fituar si asnjëherë më parë një mbështetje masive nga qytetarët në të gjithë vendin. Asnjëherë në këto vite tranzicioni nuk është parë një reagim qytetar i përmasave të tilla në mbrojtje të votës së lirë. Kjo është arritje e madhe, shenjë e ndryshimit të mentalitetit dhe përgjegjësisë së vetë njerëzve për të ardhmen në këtë vend. Shqiptarët përditë e më shumë po konsolidojnë bindjen se asgjë në jetën e tyre nuk është e arritshme dhe nuk mund të jetë e qëndrueshme pa zgjedhje të lira, pa qeveri që vijnë të qeverisin dhe ikin nga qeverisja, kur njerëzit e vendosin me votë. E kam thënë edhe më parë, në vlerësimin tim, pesha e aksionit politik të opozitës qëndron pikërisht te përfaqësimi i kësaj kauze, te përfaqësimi aktiv i kërkesave të mijëra zgjedhësve që i ka votuar. Tej kësaj, gjithçka tjetër nuk është veçse një spekulim, pavarësisht nga qëllimi apo gjuha e përdorur. Përfytyrojeni se çfarë do të ndodhte nëse bojkoti dhe fryma e protestës nuk do të kishin qenë pjesë e aksionit politik të opozitës dhe nëse deputetët e opozitës do të shkonin në sallë si nxënës të mirë, të kërkonin mirëkuptimin dhe konsensusin e Sali Berishës, që nuk është gjë tjetër përveçse një dështak i ndërtimit të institucioneve demokratike. Ndoshta do të kish qenë shumë më keq se çfarë ka ndodhur realisht në 4 vitet që kaluan, kur komisionet hetimore ishin një kronika e një ngjarjeje të paralajmëruar. Shumë zhurmë për asgjë. Nga ana tjetër, kjo pjesëmarrje masive në protestat tona, e cila ka ardhur në rritje, është gjithashtu edhe një tregues i mbështetjes ndaj kësaj strategjie. Nëse sot do të bënim një referendum brenda partisë dhe votuesve tanë, sipas asaj çka unë konstatoj në kontaktet që kam, pa asnjë dyshim do të kishim një mbështetje mazhoritare ndaj kësaj strategjie politike. Nëse një strategji politike ka mbështetjen e anëtarësisë së vet, mbështetjen e elektoratit të saj dhe më gjerë unë s’kam asnjë arsye të mos e konsideroj atë të drejtë dhe pse jo edhe të suksesshme në kushte e rrethanat që po arsyetojmë e veprojmë. Në sajë të këtij aksioni politik, sot kemi një veprim aktiv të bazës së partisë, një opozitë përgjithësisht të riorganizuar dhe në veprim, një mbështetje më se aktive të elektoratit socialist, shprehje solidariteti aktiv nga ana e partnerëve tanë politikë ndërkombëtarë dhe natyrisht edhe një tjetër vëmendje nga ana e partnerëve institucionalë e diplomatikë ndërkombëtarë rreth asaj çfarë ka ndodhur, nevojës për të hetuar gjerësisht dhe për ta korrigjuar përmes instrumenteve ligjore e institucionale që garantojnë standardet e kërkuara për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
Vazhdimisht është thënë se nuk ka qenë asnjëherë opsion djegia e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste. Në fakt, nga ana juridike, kjo duket e pakuptueshme. Duket se ka dy mundësi. E para që deputetët e PS-së të futen në Parlament, dhe e dyta që mandatet të cilësohen të djegura. Cili arsyetim juridik do të ligjëronte mosdjegien e mandateve të PS-së edhe përtej gjashtëmujorit?
Juridikisht është zhvilluar një debat i gjerë në media përmes një sërë argumentesh shteruese pro dhe kundër. Fakti që ka një debat të tillë, tregon që ka realisht një casus juridik. Ajo që do të duhej të ndodhte në një vend normal, në një shtet të së drejtës, do të ishte që për çështje të tilla të shpreheshin institucionet kushtetuese. Kjo ishte rruga normale që duhej të ndiqte Kuvendi, duke kërkuar interpretimin e normave kushtetuese përkatëse. Kjo s’mund të ndodhë, sepse rruga kushtetuese është rruga e panjohur për këtë mazhorancë dhe për vetë Kryetaren e Kuvendit, e cila pasi nuk e pati për gjë që ditën për diell detyrimin kushtetues për thirrjen në seancë normale të sesionit parlamentar ta konsideronte “seancë të jashtëzakonshme”, nuk mungoi t’ju dërgonte me korrier gjatë tërë natës letra deputetëve socialistë për të bërë diversion. Në pikëpamjen time, Kryetarja e Kuvendit e ka tejkaluar momentin ligjor të parashikuar nga ligji dhe rregullorja për të vënë në diskutim mandatet tona. Në këndvështrimin politik, më duhet të ritheksoj se politikisht deri më sot askush në PS nuk ka deklaruar se djegia e mandateve të deputetëve aktualë është një opsion jo më i përcaktuar, por as edhe i diskutuar të paktën në forumet vendimmarrëse të saj. Përkundrazi, në mënyrë të përsëritur nga ana e lidershipit politik të PS, është theksuar qartazi se mandatet e deputetëve socialistë nuk mund të digjen dhe as t’i falen Sali Berishës, sepse janë mandate që u përkasin zgjedhësve socialistë dhe do të mbeten të tillë. Pavarësisht nga fakti se cili ka qenë qëndrimi im në debatet e brendshme për këtë çështje, edhe për shkak të funksionit që ushtroj aktualisht në PS, nuk më përket të shprehem individualisht publikisht se cili është momenti procedural dhe shkaku që do ta çoj vendimmarrjen politike të grupit parlamentar socialist të vendosë se kur dhe përse do t’i bëjë efektive mandatet përkatëse. Ajo për të cilën do të shprehesha pa asnjë ngurrim, është fakti se përtej këtij momenti procedural, një gjë është e sigurt. Në çdo rast, ushtrimi i mandateve të deputetëve socialistë nuk do të jetë kurrë i shkëputur nga përmbushja e kauzës për të realizuar transparencën e zgjedhjeve.
Disa prej deputetëve të grupit parlamentar, kam parasysh zotin Blushi, Islami, Bello, Harasani dhe Malaj, kanë paralajmëruar se javën e parë të marsit do të jenë në Kuvend. A do ta rrezikojë kjo situatë unitetin brenda Partisë Socialiste?
Personalisht mendoj se për shumë arsye nuk ka pasur nevojë për t’u bërë një deklaratë e tillë publike. Për më tepër kur ishte kërkuar një debat dhe vendimmarrje për këtë çështje. Unë besoj se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vend për veprime të natyrës individuale. Grupi ynë parlamentar shumë shpejt do të marrë vendimin e përshtatshëm për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare kësaj çështjeje, që me apo pa qëllim është shndërruar në pikë debati brenda nesh dhe në një instrument diversioni nga ana e treshes Berisha – Topalli - Meta. Personalisht mendoj se kjo treshe (dhe jo vetëm ata) do ta dëshironin shumë një çarje të grupit parlamentar socialist. Ata do ta kishin me shumë dëshirë një përfaqësim të cunguar të socialistëve në Parlament, dhe pse jo një opozitë të emëruar. Kjo është në logjikën e tyre normale. Një mazhorancë informale do t’i shkonte për shtat edhe një opozite informale. Kështu, edhe ca punë që bëhen natën me gjumë të trazuar, mund të bëhen lirisht edhe ditën për diell, me gjumë të qetë. Kështu do të kishim një mazhorancë që vepronte dhe një “opozitë” që cicëronte. Unë s’bëj pjesë tek ata që mendojnë se pushteti autoritarist dhe abuziv i Sali Berishës mund të çmontohet me fjalime e recitime, sado të bukura qofshin ato.
Zoti Rama përmendi pak ditë më parë edhe rrugën si opsion për ta larguar këtë qeveri që, sipas tij, ka dhunuar zgjedhjet e lira. çfarë do të thotë kjo?
Sigurisht që është deformimi i radhës për të cilën ishte kujdesur personalisht znj.Topalli, që i “dhemb” shumë imazhi i vendit të vet, “të informonte” deri Presidentin e KiE-së. Z.Rama ka folur për protestat si një formë e reagimit demokratik të opozitës, të cilat natyrisht në sheshe e rrugë zhvillohen dhe jo në zyrat e kryeministrisë dhe në pronat e biznesit privat, si demonstratat e vitit ‘98 të Sali Berishës. Mund të jesh në rrugë dhe të protestosh ndaj sjelljes së institucioneve në një mënyrë krejt paqësore dhe mund të jesh në institucione e të sillesh më keq se në rrugë. Ne kemi demonstruar se dimë të protestojmë në mënyrë tërësisht civile, ndërsa ata që flasin për veprim të turpshëm të opozitës, janë pikërisht ata që kanë tentuar t’i kthejnë institucionet në objekt dhune e plaçkitjeje. Thuhet me të drejtë që opozita vjen në pushtet përmes votës dhe jo përmes rrugës. Absolutisht është kështu, por kjo duhet të ndodhë në një shtet ku demokracia dhe shteti i së drejtës janë funksionalë, ku vota vlerësohet dhe çmohet në vlerën e saj dhe jo në një shtet ku populli voton dhe “Maliqi” numëron. Po si mund të ketë garanci opozita se vota do të respektohet kur shkelet edhe dispozita ligjore e hartuar dhe miratuar me konsensus të përbashkët për hapjen e kutive si garanci e transparencës së procesit?! Nëse opozita nuk synon transparencën e një procesi votimi, qoftë edhe në funksion të garantimit të procesit të ardhshëm, për çfarë do të duhet të reagojë dhe veprojë ajo?! Këtë gjë kërkon opozita sot. Kjo është tërësisht në funksionin dhe përgjegjësinë e saj politike. Nëse nuk e kërkon opozita transparencën e një procesi zgjedhor, kush do ta kërkojë? Mazhoranca, që rezultatet formale i përdori për t’u kacavjerrë në muret e pushtetit? Apo qiraxhiu më i ri i qeverisjes së sotme?! Këtë gjë janë duke e kërkuar edhe qytetarët që kanë mbështetur aktivisht këtë kauzë të opozitës. Sali Berisha, për fat të keq, është duke e trajtuar ballafaqimin me opozitën si një ndeshje të forcës e jo si një debat dhe dialog me forcën e arsyes. Nëse ai nuk sheh rrugë tjetër, ne jemi të gatshëm ta përballojmë edhe këtë lloj sfide. Kjo është një sfidë në emër të së cilës duhen bërë disa sakrifica, për të cilat ne jemi të gatshëm. Një betejë që ka filluar nuk mund të lihet përgjysmë e për më tepër kur në qendër të tyre janë vënë kauza të tilla, si kauza për votën e lirë. Ne e dimë që është rrugë e gjatë dhe e vështirë, do të ketë dhe mosbesim, edhe pengesa, edhe të lodhur, por të gjithë bashkë do t’ia dalim. Kjo është vendosmëria e shprehur e socialistëve dhe opozitarëve progresistë.
Rezoluta e Këshillit të Europës ka bërë qartë një lloj propozimi për zgjidhjen e krizës politike. Pra, një tryezë me ndërmjetësimin e kreut të shtetit, ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit dhe rikthimin e opozitës në Kuvend? Cili është vlerësimi juaj?
Projektrezolutën e KiE-ës ne e kemi përshëndetur si një dokument serioz, që bën një përpjekje të mirë për të vlerësuar drejt atë se çfarë ka ndodhur realisht në Shqipëri, duke sjellë si risi edhe një tentativë propozimi për mënyrën e daljes nga kriza aktuale. Ne jemi të gatshëm të dialogojmë për të gjetur zgjidhjen e duhur, por një zgjidhje të qëndrueshme dhe që ka si hap të parë krijimin e komisionit hetimor që krijon kushtet për një hetim parlamentar, i cili garanton transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe mundësinë e reflektimeve serioze në garancitë ligjore e institucionale që na sigurojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Mbetet përgjegjësi politike e mazhorancës të hedhë hapin e duhur. Personalisht nuk besoj se ajo është e gatshme për ta bërë një gjë të tillë përtej deklarimeve demagogjike për vullnet për dialog. Ata që drejtojnë sot mazhorancën, nuk e njohin një kulturë të tillë politike dhe demagogjia e përdorur është më shumë një përpjekje e radhës e hiles shqiptare për t’i bërë pak “budallenj” ata që e shohin këtë histori nga jashtë. Për fat të keq, histori të njohura me aktorë të njëjtë në teatrin e vjetër politik shqiptar. Mazhoranca, edhe ndaj këtij sinjali favorizues për të dhe kthimit në normalitet të procesit, po tregohet e papërgjegjshme. Në vend që ta konsiderojë atë si një pikë kthese për të çelur dialogun dhe për të gjetur zgjidhjen e krizës politike, po bën të kundërtën. Emisarët e qeverisë po tentojnë të lobojnë, të ndryshojnë paragrafë të projektrezolutës, për ta paraqitur atë si ndëshkim ndaj opozitës. Në funksion të këtij qëllimi janë duke u përdorur jashtë çdo tagri ligjor e diplomatik edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik shqiptar në Strasburg e Bruksel. E dhimbshme, por deri edhe Hamza Kastriotin e kanë ringjallur për ta përdorur në këtë sulm të paskrupullt ndaj opozitës. Kjo është shqetësuese dhe tregon mungesën e vullnetit të treshes Berisha-Topalli-Meta për të reflektuar ndaj krizës së thellë, ku është zhytur vendi, për të vendosur një dialog të hapur dhe të ndershëm me opozitën në përpjekjet për të dalë nga kjo krizë. Kjo e bën më të largët mundësinë e dialogut me këtë lidership politik dhe natyrisht shkon në favor të strategjisë së ndjekur deri më sot nga ana jonë si e vetmja mundësi në kushtet aktuale.
Ju folët për çka është duke bërë qeveria, por edhe ju jeni bërë të njëjtën gjë duke dërguar letra dhe përfaqësues në KE. Kryeministri ju ka bërë thirrje për të kërkuar falje publike?
Absolutisht nuk është i vërtetë konteksti në të cilin serviren gjërat nga papagajtë e pushtetit. Përkundrazi është spekulimi i radhës. Znj. Dade, përmes letrës së saj, në mungesë të prezencës sonë në këtë seancë të Asamblesë të Këshillit të Europës ka kërkuar respektimin e proporcionalitetit në përbërjen e delegacionit shqiptar duke kërkuar në këtë mënyrë garanci për të pasur opozita numrin e nevojshëm të përfaqësimit në këtë institucion në përputhje me rregulloren e Kuvendit, në raport me vendin që ajo zë në Kuvend dhe me precedentët e mëparshëm. Në asnjë rresht të asaj letre nuk kërkohet ngrirja e kredencialeve të delegacionit shqiptar, por rishikimin vetëm të një vendi që sipas nesh i përket opozitës. Kjo e gjitha në respekt dhe vlerësim të këtij institucioni të rëndësishëm europian. Natyrisht, bazuar edhe në vetë letrën e znj.Topalli drejtuar Parlamentit të KiE. Ajo që është anormale në gjithë këtë histori dhe për të cilën duhet kërkuar realisht falje është fakti që znj.Topalli në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të Rregullores ka përcaktuar një delegacion përfaqësimi në të cilën opozita jo thjesht e vetëm kufizohet në të drejtën e saj të përfaqësimit, por edhe guxohet të emërohet. Kjo është e papranueshme dhe në kundërshtim me çdo normë e moral demokratik. Nuk është opozita ajo që duhet të kërkojë falje. Përkundrazi. Duhet të kërkojë falje publike Kryeministri dhe znj. Topalli që guxojnë t’i kufizojnë mandatet e përfaqësimit opozitës dhe për më keq akoma që këtë t’ia tregojnë asaj përmes letrës së dërguar në Strasburg. Qenka më e lehtë për këta njerëz të komunikojnë me KiE në Strasburg sesa me kolegët e tyre deputetë këtu në Tiranë. çfarë është kjo paaftësi, papërgjegjshmëri apo urrejtje patologjike? Kaq të vështirë e paska znj.Topalli të kërkojë takim me përfaqësuesit e opozitës parlamentare dhe të diskutojë me ta si me kundërshtarin politik dhe jo me armikun që synohet të eliminohet !. Po letrën e znj.Topalli drejtuar Presidentit të KiE, ku i ankohet për opozitën e vendit të vet si do ta konsideronit ju?! Pas këtij fakti të shëmtuar të bërë publik dje në media çfarë do thotë znj.Topalli, për daljen në një konferencë për shtyp ku çfarë nuk tha përmes një maske keqardhjeje për një letër ku nuk kishte asnjë fjalë negative ndaj saj dhe mazhorancës aktuale?! Ndërsa ajo thotë e ç’nuk thotë në këtë letër për opozitarët shqiptarë të vendit të vet. Nuk çuditem fare për këtë qasje të saj teksa më kujtohet ajo çfarë thanë para disa vjetësh z.Berisha dhe znj.Topalli në përpjekje për të nxirë qeverinë e vendit të tyre duke deklaruar se në Shqipëri një në çdo tri femra trafikohet (!!) çka bëri që një gazetë e huaj të ironizonte ato ditë duke vendosur si titull të shkrimit të saj (me sa më kujtohet tashti) se ndërsa vendet e tjera do të shkojnë në Gjermani me ekipet e futbollit, Shqipëria do të ketë ekipin e prostitutave !!! Nuk më çudit teksa shoh përditë Kryeministrin e vendit tim edhe tash 5 vjet mbasi është në pushtet që flet për mafien e rrezikshme shqiptare, për banda mafioze shqiptare ndër më të rrezikshmet në botë, për bashkëpunim të administratës shtetërore me krimin etj., etj. Këto janë realisht turpe që rëndojnë mbi imazhin e vendit, mbi shqiptarët këtu e veçanërisht ata që jetojnë e punojnë atje me sakrificën e gjakut të tyre për një jetë më të mirë për vete dhe për të gjithë ne këtu. Z. Berisha deklaron me mburrje se i ka bërë ftesë Presidentit të Serbisë, z.Tadiç për të dialoguar për fatet e Ballkanit (dhe ka bërë mirë) dhe nuk paska kurajën civile e qytetare t’i bëjë ftesë opozitës së vendit të tij, shqiptarëve të Shqipërisë për të dialoguar për çështje me interes të përbashkët. Kjo është ajo që çudit realisht të huajt me çfarë po ndodh në këtë vend, ndaj dhe s’kemi pse të çuditemi me deklaratat e tyre në jo pak raste edhe me doza ironie. Këto janë sjellje për të cilat duhet kërkuar realisht falje nga e gjithë politika shqiptare e veçanërisht nga lidershipi politik i mazhorancës, sjellje që duhet ta bëj të reflektojë seriozisht mazhorancën e vendit tim, e cila në vend të shpifjes, përbaltjes, presionit dhe diversionit ndaj opozitës duhet të përpiqet në çdo çast të ndërtojë urat e komunikimit real dhe të sinqertë.
Në këtë rezolutë, ama nuk thuhet asgjë për çështjen e hapjes së kutive të votimit. Askush nga ndërkombëtarët nuk është shprehur pro hapjes së kutive.
Rezoluta vlerëson dhe kërkon domosdoshmërinë e një procesi të plotë hetimor parlamentar. Nuk kuptoj se ç’duhet të thotë më shumë. Kërkojmë edhe ndërkombëtarët t’i bëjmë të gjithë si disa nga ne politikanët shqiptarët që ndryshe i shkruajmë dhe ndryshe i lexojmë ato që shkruajmë vetë. Transparenca e procesit zgjedhor, hetimi parlamentar si rruga për realizimin e këtij procesi e nënkuptojnë për aq sa është e nevojshme edhe procedurën e hapjes së kutive zgjedhore për të cilat pretendohet për manipulim e parregullsi në procesin zgjedhor. Kjo është në logjikën e komisioneve hetimore parlamentare dhe në përmbajtjen e ligjit përkatës.
Si e konsideroni propozimin e bërë lidhur më mundësinë e një hetimi ndërkombëtar për zgjedhjet?
Jam njohur me këtë propozim të z.Denis Macshane, një figurë e njohur britanike dhe europiane, të bërë publike dje përmes medias. Në një vështrim të parë më duket propozim interesant për një zgjidhje të mundshme të krizës përmes një procesi të besueshëm për palët për sa i përket asaj që ka ndodhur dhe veçanërisht përcaktimit të ndryshimeve ligjore e institucionale që kanë besimin e palëve dhe garancinë për standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka përvoja të ngjashme, të cilat kanë pasur iniciativën e institucionit prestigjioz ndërkombëtar siç është KiE. Gjithsesi, mbetet të shihen detajet e një propozimi të tillë për t’u vlerësuar më konkretisht.
A mund të ishte zgjidhje një lloj balance që mund të bëhej në institucionet kushtetuese?
Kjo është tërësisht absurde. Aq në hall janë sa s’dinë se ç’flasin. Nuk ia kërkoj njeri Jozefinës seancën e jashtëzakonshme, sepse edhe s’kishte më kuptim një gjë e tillë në sensin kohor, por edhe sepse për ne Kushtetuta ishte e qartë e nuk linte vend për asnjë diskutim. Mirëpo, doli vetë zonja Kryetare e pa iu dridhur qerpiku i saj tha se vërtet Kushtetuta më detyron ta thërras të hënën Parlamentin, por unë e kisha planifikuar të enjten, por meqenëse ma ka kërkuar opozita (?!!) do ta mbledh të hënën Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme !!! Tani doli dhe foli edhe z.Meta për institucionet kushtetuese. Nuk arrita të kuptoj, përse duhej të fliste për këtë temë. Nga PS nuk ka pasur një artikulim të tillë. Nuk di t’i jetë drejtuar njeri atij me një kërkesë të tillë. Askush. Pastaj si mund t’i lejojë vetes zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i një vendi, ku ndarja e pushteteve është parim kushtetues, të flasë për ndarje të posteve të kryetarëve të gjykatave e prokurorive. ç’lidhje ka kjo me mazhorancën politike e parlamentare? As kaq gjë nuk e di zv.kryeministri që drejtuesit e gjykatave i emëron KLD-ja dhe jo qeveria, kurse ato të prokurorive vetë Prokurori i Përgjithshëm ?!! Një çmenduri e tërë politike dhe institucionale. Shprehje e qartë e abuzivizmit dhe prepotencës politike, por edhe tregues i lajthitjes politike. Nga qeveria e pazareve nuk mund të presësh gjë tjetër, veçse muhabete pazari. Për më keq kur këto vijnë nga qiraxhiu i radhës i qeverisë së PD.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dy ditë më parë marrëveshjen me Greqinë. Si e konsideroni këtë vendim në raport me pretendimet e Partisë Socialiste?
Jemi sinqerisht të trishtuar teksa shohim dështimin e radhës së qeverisë së vendit tonë. Duhet të shqetësohemi më shumë se për çdo gjë tjetër pikërisht për papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e kësaj qeverie çka bëhet akoma më shqetësuese kur bëhet fjalë për të hartuar, negociuar dhe nënshkruar marrëveshje të kësaj natyre shumë delikate për fatet e vendit dhe marrëdhëniet me fqinjët e për më tepër kur historia e tyre ka përbërë shpesh ujëra ku kanë peshkuar interesa të lloj-lloj nacionalizmash. Të lloj-lloj pseudopatriotëve. Kjo është ajo çka duhet të na preokupojë të gjithëve dhe të lëmë mënjanë çdolloj përpjekje pseudopatriotike në trajtimin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme. I shoh me përbuzje dhe të gjitha ato spekulime politike të bëra jo rrallë në media teksa kërkojnë ta veshin me mister gjithçka në këtë proces dhe bile të shkojnë deri aty sa të shohin edhe hilen e qeverisë greke, përpjekje të autoriteteve të tyre për të përfituar etj., abuzime të tilla. Kjo nuk është fare e drejtë. Sa e njoh unë këtë marrëveshje dhe procedurën e ndjekur për të më duhet të them se nuk shoh gjëra të kësaj natyre. Në të kundërt, ne duhet të vlerësojmë seriozitetin e treguar nga ana e palës greke teksa ajo ka kërkuar të ketë një marrëveshje të kësaj natyre. Seriozitet i shprehur qartë edhe në mënyrën se si reagoi dje Ministri i jashtëm plotësues grek Z. Dimitris P. Droutsas. Nëse ka parregullsi, pasaktësi apo edhe abuzime kjo s’ka pse të kërkohet te partnerët tanë të vendit mik grek, por tërësisht te qeveria jonë, te lehtësia dhe papërgjegjshmëria me të cilën ajo ka trajtuar të gjithë këtë proces negocimi dhe përgjithësisht procesin duke arritur të bëjë edhe gafa elementare të karakterit formal. Spekulimi pseudonacionalist dhe mbrojtja pseudopatriotike (komike, por kjo ka ndodhur në mënyrë të dyfishtë edhe me vetë ministrin e Jashtëm në detyrë) që i është bërë kësaj marrëveshjeje është i dëmshëm dhe pa dyshim edhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e papërgjegjshmërisë së qeverisë në trajtimin e këtij procesi që duke njohur mirë sensibilitete të tilla duhej të ishte treguar shumë më e përgjegjshme në të gjithë realizimin e këtij procesi. Pikërisht ky ka qenë edhe preokupimi ynë kryesor në iniciativën që morëm për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Dua të sqaroj sot qartësisht se kemi pasur shumë dilema dhe kemi diskutuar gjatë para se t’i drejtoheshim Gjykatës Kushtetuese. Kjo jo vetëm lidhur me faktin e legjitimitetit tonë si palë ankuese, por edhe për shkak të mosnjohjes në detaje të marrëveshjes nga fakti se duke mos qenë të pranishëm në Kuvend, por edhe sepse në këtë proces kishte një mungesë të skajshme transparence. Ndaj dhe po të vërehet me kujdes ankimi ynë do të shihet se ne jemi skrupulozë në argumentimin e legjitimitetit tonë si ankues dhe lidhur me thelbin e marrëveshjes, për të argumentuar mungesën e transparencës së procesit. Në ankim kemi konfirmuar qartazi shqetësimin tonë thelbësor për këtë marrëveshje teksa kemi theksuar se “... shqyrtimi i thelbit të kësaj marrëveshjeje është i rëndësishëm edhe për një argument tjetër që meriton vlerësim të veçantë në trajtimin e kësaj kërkese. Qartësimi i pretendimeve të ngritura publikisht rreth kësaj marrëveshjeje, pretendime të cilat tashmë janë bërë pjesë e vëmendjes dhe debatit të të gjithë opinionit publik mbarëshqiptar, do të përbënte ndër të tjera edhe një kontribut tejet të rëndësishëm transparence në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të një marrëdhënieje të shëndetshme ndërmjet dy popujve e dy shteteve kufitare të rajonit, duke qartësuar kështu çdolloj dyshimi që mund të përbëjë në çdo moment sot e në të ardhmen mundësi abuzimi në cenim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve tanë”. Ky ka qenë dhe mbetet një shqetësim i ligjshëm i opozitës, shqetësim që ka të bëjë me sigurinë e vendit, me pozitën e tij ndërkombëtare e rajonale dhe pa dyshim me nevojën e marrëdhënieve të shëndetshme të fqinjësisë së mirë. Kjo që ndodhi me këtë marrëveshje është dështimi kushtetues i radhës i kësaj qeverie. Ky dështim i radhës tregon papërgjegjshmëri politike e institucionale, por dhe paaftësi të dukshme profesionale. Kuptohet lehtë kjo papërgjegjshmëri dhe paaftësi nëse njihesh me përmbajtjen e procesverbalit të seancës së GJK teksa njihesh me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë të qeverisë dhe Kuvendit në këtë seancë që jo vetëm demonstruan një paaftësi të dukshme, por jo rrallë ishin fotokopje e arrogancës dhe fodullëkut të shefave të tyre politikë !! Për çfarë kontestohet kjo marrëveshje dhe çfarë rezulton nga debati në GJK? Një parregullsi e dukshme ligjore dhe në rastin konkret jo vetëm ligjore fakti që në kundërshtim me ligjin “Për traktatet”, mungon plotfuqishmëria, një element flagrant ky i informalizmit e voluntarizmit. është anashkaluar Presidenti nga ky proces jo sepse nuk njihet ligji, por sepse administrata civile i është nënshtruar sjelljes dhe humorit të shefave të tyre të politikës. Nëpunësit militant të politikës që zbatuan urdhrin për të hequr nga zyrat portretin Presidentit të Republikës e përkthyen për besnikëri politike që duhej t’i hiqnin atij dhe atë që i jepte ligji, të drejtën e dhënies së plotfuqishmërisë !!!. Përmbajtja e marrëveshjes është në shkelje të hapur të neneve 3, 4 dhe 5 të Kushtetutës edhe sepse në negocim është aplikuar parimi i baraslargësisë, parim ky i tejkaluar në të drejtën ndërkombëtare nga parimi “i zgjidhjes së drejtë e të ndershme” që është i vetmi parim i sugjeruar nga Konventa e Detit e OKB-së. Përzgjedhja e parimit të baraslargësisë, që nuk sugjerohet nga Konventa e Detit dhe praktika e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka çuar automatikisht në humbje të ujërave territoriale. Ka ndodhur kjo, sepse në një marrëveshje të tillë nuk janë konsultuar ekspertët e vërtetë që ka shteti në këtë fushë (të cilët janë të paktë, por për fat kemi ende të tillë edhe me përvojë ndërkombëtare në këtë fushë), por me ekspertë militantë që nuk dinë gjë tjetër veçse të kthejnë në ligj vullnetin politik edhe kur ai nuk përputhet me Kushtetutën, ligjin dhe aktet ndërkombëtare. Gjithçka një tregues tjetër i prekshëm edhe i nivelit që demonstron administrata civile nën këtë qeverisje, në të cilën po dominon frymë militante, nënshtrimi dhe besnikëria ndaj partisë në pushtet. Kjo është shqetësuese, sepse e bashkuar edhe me papërgjegjshmërinë politike e institucionale të kësaj qeverie është duke krijuar pasoja me efekte të ndjeshme jo thjesht në të sotmen, por edhe për të nesërmen e vendit. Një tjetër tregues i krizës reale të qeverisjes në këtë vend, i qasjes së saj të dukshme antikushtetuese. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve seriozisht dhe të reflektojmë realisht.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›