Trichet: SHBA dhe Europa janë ende nën stresin e krizës
Davos
Vendet e Eurozonës e përballuan në mënyrë solide krizën, edhe pse janë ende nën stres, që do të thotë se po i vuajnë akoma pasojat e saj. Kështu deklaroi presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Jean Claude Trichet, në një panel në Davos, bashkë me Kryeministrin grek, Papandreu, dhe atë spanjoll, José Louis Zapatero, gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos. “Kemi akoma mësime për të nxjerrë nga kriza, por dua t’ju kujtoj se pakti i stabilitetit dhe i rritjes ekonomike ka funksionuar, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme. Duhet të bëjmë thirrje për respektim rigoroz të marrëveshjeve të ndryshme”. Presidenti Trichet u bëri thirrje bankave se duhet të jenë më shumë transparente dhe se tani pika kryesore është ajo e ristrukturimit të bilanceve të tyre derisa të jenë në gjendje ta bëjnë mirë punën e tyre, domethënë të financojë ekonominë reale. “Këtë duhet ta bëjnë me çdo mjet të mundshëm, pra për të dalë nga kriza duhet të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion, duke mos marrë fitimin e tyre (fitimin e aksionerëve) për të forcuar bilancin, duke evituar shpërndarjen e dividendëve në shuma të mëdha, paketa të ndryshme shpërblimi, ose bonuse”, përfundoi ai. Eurozona bashkohet nga e njëjta monedhë, “po në të njëjtën kohë përbëhet nga vende të ndryshme, ashtu si SHBA-ja. Greqia nuk është si Finlanda, ashtu si Alaska, nuk është si Florida”, tha numri një i Bankës Qendrore Europiane, që mbrojti diversitetin në brendësi të Eurozonës. “Po flasim për 16 vende që ndajnë një treg të përbashkët dhe një ekonomi të të njëjtit lloj me atë amerikane. Jemi një ekonomi e madhe, si ajo e SHBA-së, dhe kemi të njëjtat diversitete për sa i përket inflacionit dhe rritjes ekonomike”.
#