E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora bllokon mijëra njerëz në Kukës, Dibër, Shkodër e Korçë

Akset nacionale kalohen me zinxhirë. Mbyllen disa shkolla
Dëbora dhe i ftohti i acartë kanë pushtuar gati gjithë territorin e vendit. Përkeqësimi i kushteve të motit të ditëve të fundit kanë shkaktuar bllokim të rrugëve nacionale dhe izolim të komuna dhe zonave të thella malore.
Kukës
Reshjet e dëborës që kanë vijuar prej dy ditësh, kanë izoluar 6 komuna të Qarkut të Kukësit, si dhe kanë vështirësuar qarkullimin në të gjitha akset rrugore. Kështu komunat: Zapod, Arrën, Kalis, Grykë-çajë, Lekbibaj, Topojan dhe Shishtavec janë të izoluara. Në këto zona trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm dhe ngricat e mëparshme kanë krijuar vështirësi sa i takon pastrimit të rrugëve. Probleme kanë pasur edhe komunat e tjera në afërsi me qendrat urbane si: Surroi, Shën Mëria, Tërthore, Golaj, Fajza, Fierza, Bushtrica etj. Drejtoria Rajonale e Rrugëve në bashkëpunim me firmat që kanë detyrë pastrimin e tyre kanë dërguar nëpër të gjitha akset rrugore mjete borëpastruese, por pastrimi i dëborës ka qenë i vështirë për shkak të ngricave. Në aksin Kukës – Qafë-Shllak natën e kaluar për orë të tëra kanë mbetur të bllokuar disa dhjetëra automjete, të cilat kanë mundur që të rinisin udhëtimin e tyre vetëm pas ndërhyrjes së fadromave.  Rruga është zhbllokuar nga mesnata dhe vetëm pas kësaj të gjitha automjetet e bllokuara kanë lëvizur drejt Kukësit apo Tiranës.    Sipas Drejtorisë së Rrugëve, mësohet se aksi kombëtar Kukës-Qafë Shllak është i kalueshëm, por me zinxhirë. Ndërsa në segmentin Kukës-Peshkopi, në vendin e quajtur Kala e Dodës, trashësia e dëborës ka qenë e madhe dhe automjetet janë bllokuar, duke ndërprerë qarkullimin deri në mbërritjen e borëpastrueseve.
Ndërkaq, policia e Kukësit ka raportuar se nëpër të gjitha rrugët e qarkut janë shënuar disa përplasje automjetesh dhe dalje nga rruga, të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë qenë të pajisura me zinxhirë. Fatmirësisht, nuk janë shënuar viktima në njerëz.
Dibër
Reshjet e dëborës kanë risjellë izolimin e banorëve në mjaft fshatra dhe komuna në zona të thella malore të Qarkut të Dibrës.  Mëngjesin e djeshëm rruga nacionale Peshkopi-Tiranë, pothuajse ka qenë e pakalueshme për shkak të trashësisë së dëborës. Situata ka qenë më problematike në akset Peshkopi-Kukës dhe Ura e çerenecit-Klenjë-Librazhd, ku edhe kalimi me zinxhirë i automjeteve ka qenë pothuajse i pamundur. Policia rrugore ka ushtruar kontrolle në të gjitha rrugët nacionale, duke mos lejuar qarkullimin e automjeteve që nuk kanë qenë të pajisura me zinxhirë. Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Rrugëve në Peshkopi ka vënë në dispozicion gjithë mjetet e saj për zhbllokimin e situatës në rrugët nacionale për t’i mbajtur ato të kalueshme në çdo moment. Ndërsa mjaft komuna dhe fshatra të thellë malorë janë riizoluar për shkak të reshjeve të dëborës dhe uljes së temperaturave.  Drejtues të mjeteve që qarkullojnë në rrugët rurale ankohen se pak kujdes tregohet nga drejtoritë e rrugëve rurale për mirëmbajtjen e këtyre rrugëve, që bëhen shkak për aksidente, Burime nga emergjencat civile në Prefekturën Dibër, bëjnë me dije për “Shqip” se Komuna Lurë dhe mjaft fshatra në zona të thella malore janë të izoluar. Situata paraqitet më problematike në komunat: Kala e Dodës, Sllovë, Trebisht, Martanesh etj., ku po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin këto komuna me qendrat e rretheve përkatëse.
Shkodër
Mëngjesin e djeshëm, pjesa më e madhe e Qarkut të Shkodrës është gjendur nën “pushtetin” e dëborës. Disa komuna të thella malore janë izoluar, ndërkohë që është vështirësuar së tepërmi kalimi i automjeteve në rrugët nacionale. Komunat Kelmend, Dukagjin, Shosh dhe Shalë janë plotësisht të izoluara. Ndërkohë, janë të bllokuara rrugët rurale që lidhin fshatrat e komunave: Iballë, Qafë-Mali dhe Fierzë me rrugën kryesore. Aktualisht, rreth 20 mijë banorë që ndodhen në zonat e thella malore të Qarkut të Shkodrës janë plotësisht të izoluara. Ndërsa rrugët nacionale Shkodër – Pukë - Fushë-Arrëz, Qafë-Mali – Fushë-Arrëz dhe Vau i Dejës – Koman janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Korçë
Moti i keq në juglindje të vendit dhe reshjet e dëborës janë bërë pengesë për zhvillimin e mësimit kryesisht në zonat e thella malore. Shkak është bërë mungesa e arsimtarëve, të cilët nuk kanë  mundur të udhëtojnë drejt zonave malore për shkak të bllokimit të rrugëve. Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Arsimit dëbora ka bërë që të pezullohet mësimi në fshatin Podgorie, për shkak të bllokimit të rrugës. ”Autobusi që transporton arsimtarët është detyruar të kthehet, pasi nuk ka mundur të mbërrijë deri në fshat nga situata e vështirë në rrugë”, thotë drejtori Andrea Mano. Ndërkaq, mësohet se mësimi ka filluar me vonesë në fshatin Lozhan, si dhe disa fshatra të Komunës së Moglicës. Ndërkohë, situata në rrugët e Qarkut të Korçës është rënduar në orët e mëngjesit të djeshëm nga reshjet e dëborës. Drejtori i rrugëve nacionale, Kreshnik Zgjani, ka sqaruar se është dashur ndërhyrja e vazhdueshme me borëpastruese për të mbajtur të hapur rrugën nacionale në segmentin Pogradec-Qafëthanë, ku trashësia e borës ka arritur 50 cm. Vështirësi ka pasur dhe përgjatë akseve Korçë-Ersekë dhe Korçë-Plloçë, ku janë shtuar patrullat e policisë që detyrojnë vendosjen e zinxhirëve për të shmangur devijimet nga rruga dhe rrëshqitjen e mjeteve. Përdorimi i zinxhirëve ka qenë i detyrueshëm në të gjitha akset nacionale që lidhin Korçën me Pogradecin, Devollin dhe Kolonjën, ndërkohë që në mëngjes kanë qenë të bllokuara rrugët e Dardhës, Voskopojës dhe Lozhanit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›