PS, Berishës: Nëse do dialog, tërhiqu nga farsa e Tiranës
Në momentin kur faktori ndërkombëtar ka shtuar thirrjet për rikthimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, kjo e fundit ka rradhitur kushtet. Deputeti socialist Ditmir Bushati deklaroi dje se “për të dialoguar me opozitën Saliu duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit tonë në Tiranë”. Një tjetër kusht, sipas tij, është respektimi i shtetit të së drejtës dhe institucioneve ndërkombëtare. “Më pas, të nxjerrë nga sirtari i plurosur rezolutën tonë për Kuvendin, të propozuar që më 23 dhjetor 2010, e ta pranojë atë plotësisht, së bashku me kontributet e opozitës në procesin e adresimit të 12 prioriteteve kyçe të identifikuara në Opinionin e Komisionit Europian”, u shpreh Bushati. Pasi, sipas tij, përmbushja me rigorozitet e tyre, sikundër prioriteteve të tjera që burojnë nga situata në të cilën ndodhet vendi pas zgjedhjeve vendore, do t’i hapte rrugën procesit të vërtetë të shtet-ndërtimit në funksion të ardhmërisë Europiane të Shqipërisë. Deputeti Bushati gjeti rastin të shprehë mirënjohje për angazhimin e përkushtuar dhe qëndrimet e drejtpërdrejta të përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Europian, në lidhje me përkeqësimin e krizës politike që kalon vendi, si pasojë e tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve të Tiranës nga ana e pushtetit të Saliut. Në vlerësimin e zyrtarit socialist, konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian flasin qartë për situatën shqetësuese të procesit zgjedhor të Tiranës, edhe pse ka kaluar një muaj e gjysmë nga dita e votimit. “Dhe në të njëjtën linjë me raportin e fundit të OSBE-ODIHR, bëjnë thirrje për përfundimin e këtij procesi në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues. Epërsia e shtetit të së drejtës qëndron pikërisht në respektimin e kuadrit ligjor ekzistues dhe jo në ndryshimin e rregullave të lojës në mënyrë të orkestruar pasi loja ka mbaruar”, theksoi Bushati. Farsa që vijon të shfaqet para syve tanë nga tavolina e Ristanit në KQZ, u shpreh Bushati, përdorimi politik i Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk vuri në vend drejtësinë e kërkuar dhe mospranimi i ekspertizës ndërkombëtare nga ana e qeverisë prej një institucioni prestigjioz si Komisioni i Venecias, siç i ka hije një vendi e shoqërie Europiane, përbëjnë vetëm disa prej fakteve se përse zgjedhjet nuk përmbushen standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike. Duke zgjeruar argumentin e tij, Bushati ju përgjigj edhe thirrjeve të kryeministrit dhe ofertave për opozitën sa i takon propozimit të reformave apo mandateve të organeve kushtetuese. “E pashpresë, e vjetër dhe cinike është edhe oferta e tij për opozitën për shkëmbim pushtetesh, ndërkohë që farsa që zhvillohet në tavolinën e Ristanit në KQZ ka për qëllim të varrosë besimin e qytetarëve te një proces zgjedhor i drejtë e i ndershëm”, nënvizoi Bushati.