Xhafaj: Rritje e volumit të dërgesave të procesuara nga Posta Shqiptare

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Administratori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj prezantoi sot raportin vjetor mbi performancën, zhvillimet dhe sfidat e Postës Shqiptare gjatë vitit 2025.
Në punimet e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Xhafaj tha se Posta Shqiptare është një ndër institucionet më të vjetra në historinë e Shqipërisë, themeluar një javë pas shpalljes së Pavarësisë dhe është një nga ato institucione që është aty për të shënjuar përmes pullave çdo stad të zhvillimit të shtetit shqiptar.
Xhafaj tha se “Posta Shqiptare që është një shoqëri shtetërore me 100% kapital prodhues në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe ka një shtrirje tërësore rrjeti në të gjithë vendin”.
“Me 535 zyra dhe një staf prej 2461 punonjësish, 454 nga këto zyra janë online, 38 qendra përpunimi dhe shpërndarjeje, 36 degë, 16 filiale dhe një rrjet të plotë që siguron mbulimin në të gjithë territorin”, tha Xhafaj.
Xhafaj tha se “fokusi mbetet te konsolidimi i rezultateve pozitive, rritja e volumit të dërgesave të procesuara dhe forcimi i eficiencës operacionale, në funksion të shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe mbështetjes së zhvillimit ekonomik”.
Njëherësh, Xhafaj vuri në dukje se vijon puna për modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe rritjen e standardeve në çdo hallkë të aktivitetit të Postës Shqiptare.
/e.i/j.p/r.e/