Xhafaj, denoncon dhunën e militantëve të PD ndaj komisionerëve të majtë
Sekretari për marrëdhënie lidhore në PS, Fatmir Xhafaj, denoncon dhunën që po ushtrojnë militantët ë PD ndaj komisionerëve të PS në vendin e numërimit të votave. Gjithashtu, sipas Xhafaj, konstatohen edhe largime komisionerësh, përfaqësues të PD nga grupet e numërimit të votave. Kam dalë këtu me shqetësimin si rrjedhojë e përpjekjeve të komisionerëve të PD, kandidatëve të saj në listën shumëemërore si dhe militantëve të kësaj partie, për të ndikuar mbi këtë proces, për të ndikuar mbi vendimmarrjen e KZAZ në vendet e numërimit të votave.
Konstatohen largime komisionerësh, përfaqësues të PD, nga grupet e numërimit të votave. Në disa raste është ushtruar dhunë psikologjike ndaj komisionerëve brenda dhe jashtë mjediseve të numërimit të votave dhe zvarritje të qëllimshme nga komisionerët e PD të procesit në numërimit në disa VNV, konkretisht në: Në zonën e Lushnjës, qarku Fier, VNV 22 dhe VNV 23, PD ka tërhequr komisionerët pa asnjë arsye nga procesi i numërimit, thekson Xhafaj. Më tej, ai shprehet se në qarkun e Elbasanit, numërimi në KZAZ 14 është bllokuar prej 3 orësh nga komisionerët e PD, një skenar që synon të shtrihet në të gjitha KZAZ e qarkut Elbasan. Ky skenar udhëhiqet nga Ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, i cili po tenton ta shtrijë këtë sistem në të gjitha qendrat e numërimit të votave, për shkak se ndihet diferenca në rezultat midis PS dhe PD në këtë Qark. Në Qarkun e Durrësit ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike, duke penguar procesin e numërimit dhe duke e bërë këtë proces të pasigurt. Ajo që është diçka shumë e shëmtuar është ajo çka po ndodh në VNV nr 11 në Krujë, në të cilën është bllokuar procesi i numërimit dhe në brendësi të kësaj VNV dhe në mjediset e jashtme ka një prezencë të shtuar të militantëve të PD dhe një lloj agresiviteti të dukshëm të tyre të ushtruar ndaj përfaqësuesve tanë në VNV, vijoi Xhafaj. Sipas tij, në Tiranë, në KZAZ nr 47, PD ka tërhequr përfaqësuesin e saj dhe për shumë kohë procesi ka mbetur i bllokuar, fenomen që e gjejmë edhe në Qarkun e Korçës, Vlorës etj. Ne i bëjmë thirrje PD që të reflektojë seriozisht ndaj këtyre rasteve, duke kthyer komisionerët në punë, duke hequr dorë nga ushtrimi i dhunës dhe nga çdo lloj tentative për të bllokuar dhe zvarritur procesin e numërimit. Njëkohësisht tërheq vëmendjen e KQZ, sepse konstatohet lehtësisht një qëndrim pasiv i këtij Komisioni ndaj këtyre dukurive dhe ne vlerësojmë se KQZ duhet të tregojë një rol më aktiv në administrimin e kësaj faze të rëndësishme të procesit. Është i njohur vlerësimi ynë për shumicën në këtë Komision, e cila nuk po i shërben ligjit, në lartësinë e detyrës që ka ky Komison në kuadrin e asaj çka parashikon Kodi Zgjedhor, por më shumë po i shërben interesave të PD në vendimmarrje., përfundon Xhafaj.