Era ka ndryshuar konkurron në festivalin e filmit italian
Regjisori i ri Irvin Muçaj prezantohet në festivalin filmit të Genovas, Itali me filmin me metrazh të shkurtër Era ka ndryshuar. Festivali i cili nisi dje përfundon në datën 4 korrik dhe në këtë eveniment kinematografik do të konkurrojnë 26 filma. Regjisori Muçaj konkurron me këtë film, pasi u bë një përzgjedhje mes 500 filmash të tjerë. Filmi Era ka ndryshuar (Il vento e cambiato) është prodhuar nga Puglia film Commision, Itali, me skenar dhe regji të Irvin Muçaj dhe Massimo Federico.
Historia e filmit, është historia e një burri, i cili arrin të gjejë forcën tek vetja për të kapërcyer dhimbjen e madhe të vdekjes së gruas së tij pas një jete të gjatë së bashku me të. Irvin Muçaj është skenarist dhe regjisor i disa filmave artistikë, si Bora që bie në det, Macet në dëborë, Lulet e një nate dimri, etj. E ndërkohë që para disa kohësh në Festivalin Teatror të të Rinjve, i cili u zhvillua në Teatrin Kombëtar,ai u prezantua me shfaqjen "Pluhur mbi parvaz", e cila ishte nj dramë shqiptare shkruar nga Astrit Cani. Kjo shfaqje e cila u ngjit në skenë nën regjinë e Irvin Muçaj, ishte e para që çeli zyrtarisht këtë festival kushtuar artistëve të rinj. Regjisori Irvin Muçaj, i cili e kishte këtë pjesë projektin e parë teatror, vinte pas projekteve me regjinë e filmit. Ndryshe nga konkurrentët e tjerë, të cilët kishin zgjedhur të përfaqësoheshin me vepra të autorëve të huaj, regjisori Muçaj kishte zgjedhur të prezantohej para publikut të teatrit me një dramë shqiptare. Ai është i bindur se në të vërtetë, nuk ekzistojnë drama të dobëta, por regjisorë që kërkojnë gjëra të gatshme nga dramaturgë të njohur. E në këtë kuptim, për Irvin Muçaj, "Pluhuri mbi parvaz" zgjedhja e një vepre të tillë, për të ishte një sfidë, për këtë konkurs i cili vendosi për më të mirin mes regjisorëve të rinj. Drama e shkruar nga Astrit Cani flet për pjesën e brendshme, ndjenjat dhe varësinë prej tyre. Për ta ngjitur në skenë këtë vepër, regjisori Muçaj kishte përzgjedhur aktorët Julia Iliriani, Devis Muka, Orion Halili dhe Marsela Lena. Të katër këta aktorë së bashku me stafin realizues u angazhuan për të përcjellë në skenë një histori, ngjarjet e së cilës janë ambientuar në një provincë. Ndryshe nga viti që shkoi, për shkak të buxhetit më të vogël, akorduar nga Ministria e Kulturës, në këtë javë teatrore për të rinjtë pati më pak shfaqje. Mes tyre ishin dhe Mikel Kalemi me "Kthesën" e Tankret Dorst, Juli Sinani me "Over There" nga Morun Motok, Eglantina Cenoimeri me "Knepp" të Jorge Godenberg dhe Erion Hinaj me "Kamerierin memec" të Harold Pinterit, ishin pesë konkurrentët e javës teatrore për të rinjtë. Tendenca drejt veprave të dramaturgëve të mëdhenj, dhe pak dramaturgji kombëtare kishte për bazë zgjedhjet personale të artistëve të rinj. Të rinjtë kishin vendosur të prezantohen me drama që kanë psikologji, të shkruara prej autorëve të mëdhenj, me qëllim që kjo tu garantojë një lloj suksesi. E ndërkohë që regjisori Muçaj pret të ketë një sukses tjetër në Itali.