E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata zgjedhore lë në hije arsimin, vendimet kanë mbetur pezull

Studentët dhe nxënësit janë lënë në udhëkryq ku askush deri më tani nuk ju hapur dritën jeshile. Për çdo ditë ato presin ndonjë vendim të marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në favor të tyre ose të paktën thjeshtë një orientim. Gjendja e krijuar nga fushata zgjedhore gjatë këtyre ditëve i ka lënë në hije dhe në heshtje totale të gjitha drejtimet e tjera si dhe detyrat që ka një shtet apo një ministri. Ende nuk kanë dalë notat e provimit të matematikës që kanë zhvilluar ditë më parë nxënësit e klasave të nënta të sistemit 9-vjeçar. Megjithëse duhet të kishin nisur rregjistrimet në shkollat e mesme ende nxënësit nuk dinë se çfarë të bëjnë pasi kanë mbetur peng i rezultateve të provimit të matematikës, ndaj shkollat e mesme nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse janë vënë totalisht në shërbim të zgjedhjeve duke u shëndërruar në qendra votimi apo numërimi për votat. Si pasojë e kësaj situate këta nxënës nuk kanë se çfarë të bëjnë tjetër veçse të presin që të pushojë jehona e zgjdhjeve dhe dikush të merret edhe me ata dhe ti japin rezultatet e provimeve. Ndërkohë që e njëjta situatë është edhe për studentët apo për maturantët që tashmë janë kandidatë për studentë. Pritet që më datë 11 të këtij muaji të zhvillohen provimet me zgjedhje dhe deri më tani nuk është dhënë as edhe një udhëzim për kandidatët për studentë. Gjithashtu paralizimi për shkak të zgjedhjeve ka qenë prezent edhe në universitete. Nga Universiteti i Tiranës disa kohë më parë ishte bërë e ditur se do të prisin deri në fund të këtij muaji që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës të jepte një vendim lidhur me kuotat shtesë për fakultete të ndryshme të këtij universiteti. Dje ishte edhe dita e fundit e muajit qershor dhe askush nuk u kujtua të jepte një vendim lidhur me kuotat e fakulteteve. Si dhe shumë nga universitetet kanë bllokuar ose kanë shtyrë për disa ditë provimet e këtij sezoni duke i lënë studentët në tension të mëtejshëm vetëm për shkak të zgjedhjeve.
Pedagogët e Vlorës pezulluan punën
Mbi 100 pedagogë të Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë, kanë pezulluar punën duke anuluar provimet e studentëve. Shkak, sipas pedagogëve është bërë pengesa që ministria i krijon universitetit në vendimmarrje. Pedagogët akuzojnë ministrinë, e cila sipas tyre, nuk ka marrë parasysh zgjerimin e këtij universiteti. Ata ankohen për moshapjen e degëve të reja si dhe të doktoraturave. Vendimi i bojkotit pa afat, merret pikërisht kur në këtë universitet vijon sezoni i provimeve. Megjithatë ky ka qenë një nga problemet më madhore që kanë pasur universitetet në vendin tonë. Për shkak të skemës së re të arsimit ato kanë humbur totalisht autonominë dhe nuk kanë të drejtë të vendosin as edhe një gjë vetëm por ju duhet që të kryejnë proceduarat me ministrinë gjë e cila i ka vonuar shumë marrjen e vendimeve lidhur me procesin mësimor.
Pranimet në universitete kanë mbetur pezull
7 mijë studentë do të pranojë Universiteti i Tiranës vitin e ri akademik. Në këtë vendim ka dalë rektorati, pas bilancit të bërë nga cdo fakultet për gjendjen e stafit të pedagogëve dhe ambjenteve. Rektori Dhori Kule deklaron se sivjet do të ketë 1 mijë kuota më shumë, por kjo rritje nuk do të shpërndahet në të gjitha degët. Nga shtimi i kuotave përfiton ekonomiku, drejtësia dhe shkencat sociale. Ndërsa fakulteti i mjekësisë ka kërkuar ulje të pranimeve. Rektori Kule ka propozuar që edhe degët e mësuesisë të kufizojnë pranimet në varësi të nevojave të tregut. Propozimet e Universitetit të Tiranës i janë dërguar Minsitrisë së Arsimit e cila pritet t'i kalojë për miratim në këshillin e ministrave. Drjetuesit e universitetit deklarojnë se kuotat duhet të miratohen nga qeveria në fund te qershorit, kohë kur maturantët plotësojnë formularin për universitetet ku duan të shkojnë. Muaji qershor mbaroi dhe askush nuk e mori mundimin ti jepte përgjigje këtij universiteti se çfarë do të bëhet me pranimin në universitete, në se do të miratohen këto kuota apo jo. Si dhe një sërë vendimesh të tjera nuk kanë marrë akoma përgjigje megjithëse kërkesat nga universitetet kanë kohë që janë paraqitur në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›