E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj dhe Gjinushi sulmojnë statusin e integrimit

09-07-2012 / L. Quku

PS-ja po instrumentalizon prirjen e saj bllokuese të statusit të vendit kandidat. Në këtë prirje të saj, ia ka dalë që të përfshijë edhe aleatët fiktivë të saj. Ndërsa Fatmir Xhafaj, shprehte “dakordësinë” për reformën zgjedhore, nxori si pretekst dje, shtyrjen e miratimit të heqjes së imuniteteve, nën pretendimin e mosmjaftimit të kohës, në këtë sesion parlamentar. Nga ana tjetër Skënder Gjinushi, i bënte thirrje PS-së të mos miratojë “pseudo reformat”, duke mos kursyer sulmet edhe ndaj OSBE-së dhe “prapaskenat e saj”

Partia Socialiste po instrumentalizon prirjen e saj bllokuese të statusit kandidat në Bashkimin Evropian, duke shfrytëzuar dy prej 12 mekanizmave vendimtarë në realizimin e këtij objektivi, reformën zgjedhore dhe heqjen e imunitetit. Kur pritej që Partia Socialiste dhe vetë lidershipi i saj, Edi Rama të pohonin me bindje të plotë se roli i opozitës do jetë ai i katalizatorit të avancimit të reformave, ndodh krejt e kundërta, përtej çdo imagjinate normale dhe etike demokratike, për një opozitë që është më e forta që ka pasur ndonjëherë parlamenti post-pluralist.
Edi Rama nxori dje në media, në konferenca të veçanta për shtyp, dy nga hispanikët e tij më besnikë, Skënder Gjinushin dhe Fatmir Xhafën. Secili ishte kujdesur që materiali i cili do t’i përcillej medias dhe më pas opinionit publik, të kishte në brendi të tij agresionin dhe kryqëzatën kundër perspektivës evropiane të vendit.
I pari ishte njeriu i krizave, ish ministri i Ramiz Alisë, Skënder Gjinushi i cili dha alarmin se reforma zgjedhore ka dështuar, sikurse, edhe misioni i OSBE/ODIHR s’ka se ç’të bëjë më me prezencën e tij në Shqipëri, pasi gjithçka është ezauruar dhe ligji elektoral nuk përmbush interesat e shqiptarëve. Gjinushi, kryetar i një partize që në zgjedhjet e fundit s’ka marrë as 1.2 për qind të votave në rang kombëtar, duket se është thellësisht i painformuar me punën e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, mandati i tretë i të cilit përfundon në 12 korrik. Po në këtë datë, në Bruksel nis punimet komiteti i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, i cili i paraprinë dorëzimit të progres-raportit vjetor të Komisionit Evropian, dokument i cili do bazohet në vijueshmërinë e kursit të reformave. Për këtë qëllim zyrtarët e Parlamentit Evropian do t’i shtyjnë përfaqësuesit shqiptarë drejt nënshkrimit të rezolutës së reformave.
Gjithsesi, mungesa e informacionit dhe keqpërdorimi politik që ushtron Edvini, e shndërrojnë “ideologun e ngërçeve” në politikan të padisiplinuar dhe tellall të interesave politike të kreut të PS. Ajo për të cilën jep “alarmin” kryetari i Social Demokratëve, lidhet me lexuesin optik të kartave të identitetit dhe numërimin elektronik. Grupi i ekspertëve të OSBE/ODIHR ka vlerësuar në thelb se është e pamundur përshtatja e teknologjisë së përparuar gjatë zgjedhjeve të ardhshme, pasi fillimisht nevojitet një projekt pilot ne lokalitete të caktuara.
Në sens të kundërt me arsyetimin logjik të ndërkombëtarëve, aq më tepër të një organizate të nderuar në spektrin e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, Partia Socialiste në bashkëpunim me aleatët e saj, kanë vendosur të shembin konsensusin politik për të zvarritur kështu jo vetëm hartimin e ligjit elektoral synim bojkotimin e zgjedhjeve, por edhe statusin e vendit kandidat. Reforma zgjedhore është një prej 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, prova e realizimit të të cilave është jo më larg se vjeshta e këtij viti. Në këtë drejtim, s’do mend të kuptohet se opozita është në rrugën e ilegalitetit, për sa kohë konsensusin e sheh si ultimatum, reformat si humbje të meritave dhe integrimin si dështim politik.
Kërcënimi i Gjinushit mbart në vetvete edhe frikën e opozitës për të shkuar në zgjedhje, ndërsa po shfrytëzojnë temperaturat e nxehta të këtyre ditëve, për të paralajmëruar mospjesëmarrjen në procesin e ardhshëm elektoral e mos pranimin e humbjes së 2013-ës. 
I dyti që iu rreshtua formacionit të agresorëve anti-BE, ishte pionieri i Enverit Fatmir Xhafaj i cili përpos gjysmë-pohimit në parim se drafti i propozuar nga mazhoranca për kufizimin e imunitetit ishte një riformulim i dokumentit të mëhershëm të Partisë Socialiste, kumtoi me një revoltë të paprecedentë lidhur me miratimin e ndryshimeve Kushtetuese brenda këtij sesioni parlamentar. Kur duhen afro 3 javë nga mbyllja e këtij sezonit parlamentar, kohë kjo pse jo, e mjaftueshme për të kompletuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore si dhe miratuar ndryshimet Kushtetuese sa i takon kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, PS pozicionohet me vetëdije për zvarritjen e dy kritereve bazë për integrimin ndërsa përcakton si kohë për shprehjen e votës “pro” (pikëpyetje të mëdha ka edhe për këtë qëndrim nisur nga destabiliteti politik brenda PS), vjeshtën e muajve shtator-tetor, pikërisht atëherë kur Komisioni Evropian dorëzon progres-raportin për vitin 2012 dhe domosdoshmërisht një përgjigje zyrtare për kërkesën e statusit.
Përtej pritshmërive pozitive të Brukselit, Stefan Fyles dhe presidencës qipriote të BE, që parashohin realizimin e detyrave (ndonëse jo të 12 pikat, por sidomos reformën zgjedhore, heqjen e imunitetit dhe reformën parlamentare), Partia Socialiste vazhdon të jetë makthi i reformave, statusit kandidat dhe ambicies së mbi 90 për qind të shqiptarëve për ta parë vendin në radhët e familjes së madhe evropiane. Zyrtarisht kemi një opozitë e cila zgjohet çdo ditë me synimin e vetëm largimin e vendit nga perspektiva evropiane, si rruga e vetme që realizon amanetin e Enver Hoxhës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›