Pirqi në Karsiyaka, Hashani provohet në Koln

Erdall Pirqi karrierën do ta vazhdojë në Turqi. Futbollistit 18 vjeçar i kanë mjaftuar vetëm dhjetë minuta lojë gjatë provave për t’i bindur trajnerët e anëtarit të Ligës së Parë turke, Karsiyaka që ta mbajnë në klubin e tyre.
Kjo pasi gjatë atyre dhjetë minutave sulmuesi vushtrrias ia ka dalë t’i shënojë dy gola.
“Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme kur shënova dy herë brenda dhjetë minutave. Shpresoj të vazhdoj të shënoj gola, të bëhem një lojtar i mirë, në mënyrë që në një të ardhme të bëhem pjesë e Kombëtares shqiptare”, tha Pirqi për Express, i cili deri më tani ishte pjesë e ekipit të të rinjve të Trepçës.
Ndërkohë, edhe një talent nga Kosova do të provojë që karrierën ta vazhdojë jashtë vendit. Bëhet fjalë për 18 vjeçarin Shqipdon Hashani, i cili javën e ardhshme do të provohet te skuadra gjermane Koln. Hashani sezonin e fundit me sukses ka bartur fanellën e skuadrës së Ferizajt.