E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mark Krasniqi përuron librin e ri

Të premten (më 14 shtator), në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, me fillim nga ora 14, përurohet libri i Mark Krasniqi, “Kujtime e përjetime - Shënime biografike”.

Në librin “Kujtime e përjetime - Shënime biografike”, akademiku kosovar ka përmbledhur gjithë kujtimet dhe përjetimet e tij - gati njëshekullore. Mark Krasniqi ka hedhur në letër gjithë përjetimet dhe shënimet biografike të jetës së tij, duke rikujtuar fëmijërinë e tij, shkollimin, studimet, veprimtarinë shkencore e akademike, punën pedagogjike si studentë, përballjet me pushtetin e egër komunist e policor, angazhimin e tij në jetën politike të Kosovës së paraluftës e të pasluftës, por edhe takimet e tij me miq të hershëm e të rinj, deri në ditët e sotme.

Kjo biografi jetësore e akademikut, Mark Krasniqi, është edhe biografi e popullit shqiptar të Kosovës, gjegjësisht e përballjes së autorit dhe e popullit të tij me sfidat më të mëdha të luftës për liri, demokraci e pavarësi të vendit.

Në përurim do të flasin publicisti, Vehap Shita, historiani, Jusuf Buxhovi, dhe studiuesi, Anton Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›