Xhamia e madhe tek Namazgjaja, do të hartohet një projekt i ri

Komisioni
Komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe në kryeqytet ka vendosur që të hartohet një projekt i ri për ndërtimin e saj te Namazgjaja.
Sipas arsyetimit të anëtarëve të komisionit, projekti i xhamisë së re duhet të përshtatet me truallin e ri ku do të ndërtohet, si dhe të reflektojë trashëgiminë kuturore shqiptare në dizajnin e saj.
Anëtarët e komisionit për xhaminë, pasi janë njohur me të gjitha projektet e sjella në konkursin e zhvilluar rreth një vit më parë, si Andreas Perea Ortega; Architecture Studio; Search; Zaha Hadid Architects dhe BIG, e cila u shpall edhe fituese, kanë vendosur unanimisht për angazhimin e një tjetër studioje arkitekturore, e cila është propozuar nga Komuniteti Mysliman.
Sipas përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman, Kryearkitekti dhe drejtuesi i kësaj studioje, me një veprimtari 28-vjeçare Muharrem Hilmi Shenalp ka ardhur në Shqipëri dhe është njohur me truallin e Namazgjasë. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
Në mbledhje u miratua edhe komisioni i përbërë nga 6 anëtarë, përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe të Bashkisë së Tiranës, që do të përgatisë termat e referencës për intervistën. /G.N.
Xhamia e re, te Namazgjaja
Komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe të kryeqytetit ka rënë dakord në mbledhjen e datës 20 mars për vendin e ndërtimit të saj. Anëtarët e komisionit kanë pranuar propozimin e ardhur nga Komuniteti Mysliman për ndërtimin e xhamisë së madhe tek Namazgjaja ku ndodhet dhe toka e Komunitetit Mysliman. / F.S.